Pages

Të lumët ju që tani qani, sepse do të qeshni! - E Merkure 11 Shtator 2013

Leximi i parë: Kolosianëve 3:1-11
Psalm: Psalm 145:2-3, 10-13
UNGJILLI: LUKA 6:20-26


Leximi i parë: Kolosianëve 3:1-11

1 Nëse, pra, u ngjallët bashkë me Krishtin, kërkoni çka është lart, ku gjendet Krishti ndenjur në fron në të djathtën e Hyjit! 
2 Dëshironi gjërat që janë lart e jo këto përmbi tokë! 
3 Sepse vdiqët dhe jeta juaj është e fshehur me Krishtin në Hyjin. 
4 E kur të duket Krishti ‑ Jeta juaj, atëherë edhe ju bashkë me Të do të shfaqeni plot lavdi.
5 Bëni, pra, të vdesin gjymtyrët tuaja, ato tokësoret: fëlligështia, papastërtia, epshet, dëshirat e këqija, lakmimi i tepruar i pasurisë ‑ që është idhujtari 
për shkak të tyre vjen hidhërimi i Hyjit [mbi ata që nuk dëgjojnë]. 
7 Po, dikur edhe ju ecët kësaj udhe, kur jetuat në këto vese. 
8 Por tani edhe ju flakni larg të gjitha këto: hidhërimin, zemërimin, të keqen, blasfeminë; goja juaj të mos përdorë fjalë të ndyta! 
9 Mos rreni njëri‑tjetrin! Ju e zhveshët njeriun e vjetër me veprat e tij 
10 dhe veshët njeriun e ri që përtërihet në njohurinë e drejtë në përgjasim të Krijuesit të vet. 
11 Aty nuk ka më:
grek ‑ hebre,
rrethprerje ‑ parrethprerje,
barbar ‑ skit,
skllav ‑ të lirë,
por Krishti është gjithçka dhe në të gjithë.


Psalm: Psalm 145:2-3, 10-13

2. Do të të bekoj çdo ditë dhe do të lëvdoj emrin tënd përjetë.
3. Zoti është i madh dhe i denjë për lëvdimin më të lartë dhe madhështia e tij është e panjohshme.
10. Tërë veprat e tua do të të kremtojnë, o Zot, dhe shenjtorët e tu do të të bekojnë.
11. Ata do të flasin për lavdinë e mbretërisë sate dhe do të tregojnë për fuqinë tënde,
12. për t`u bërë të njohura bijve të njerëzve mrekullitë e tua dhe shkëlqimin e madhërishëm të mbretërisë sate.
13. Mbretëria jote është një mbretëri përjet dhe sundimi yt vazhdon brez pas brezi.


UNGJIILI: LUKA 6:20-26

Lumturitë e mjerimet
(Mt 5, 1‑12)

20 Jezusi, si i drejtoi sytë e vet mbi nxënësit, thoshte:
“Të lumët ju, o skamnorë, sepse juve ju përket Mbretëria e Hyjit!
21 Të lumët ju që tani keni uri, sepse do të ngiheni!
Të lumët ju që tani qani, sepse do të qeshni!
22 Të lumët ju kur njerëzit do t’ju urrejnë,
kur do t’ju përjashtojnë prej rrethit të tyre,
kur do t’ju poshtërojnë,
kur do ta çmojnë emrin tuaj për të pandershëm për shkak të Birit të njeriut!
23 Atë ditë gëzohuni dhe kërceni sepse ju pret shpërblim i madh në qiell.
Vërtet, në të njëjtën mënyrë vepruan edhe etërit e tyre me profetët!
24 Por, vaj për ju, o pasanikë, sepse e keni ngushëllimin tuaj!
25 Vaj për ju që tani jeni të ngopur, sepse do të pësoni uri!
Vaj për ju që tani qeshni, sepse do të vajtoni e do të qani!
26 Vaj për ju, kur të gjithë njerëzit do t’ju lëvdojnë, sepse ashtu vepruan edhe etërit e tyre me profetët e rrejshëm!”



Pashë edhe qytetin e shenjtë - Jerusalemin e ri: zbriste nga qielli, prej Hyjit, i stolisur porsi nusja e përgatitur për fatin e vet. -- ZBULESA. xxi. 2