Pages

Ejani tek unë të gjithë ju që jeni të lodhur prej barrës së rëndë - E Merkure 18 Shtator 2013

Leximi i parë: 1 e Korintasve 12:31; 13:1-10, 13
Psalm: Psalm 25:1-5, 8-10
UNGJILLI: MATEU 11:25-30



Leximi i parë: 1 e Korintasve 12:31; 13:1-10, 13

31. Dëshironi dhuratat më të shkëlqyeshme! Dhe ja, po ju dëftoj më të shkëlqyshmen udhë!

1 Po t’i flisja gjuhët e njerëzve e të engjëjve, por po të mos kisha dashurinë,
do të isha porsi bronzi që kumbon e porsi cimbali që tingëllon.

2 Po ta kisha dhuratën e profecisë e t’i dija të gjitha misteret e të gjitha dituritë; po ta kisha edhe fenë e plotë, me të cilën të mund t’u ndërroja vend maleve, por po të më mungonte dashuria, s’do të isha asgjë!

3 Po ta ndaja lëmoshë mbarë pasurinë time dhe po ta jepja trupin tim të digjej, por, po të më mungonte dashuria, nuk do të më vlente asgjë!

4 Dashuria është zemërgjerë, është e dhimbshme, dashuria, nuk ka smirë,
nuk mbahet me të madh, nuk krenohet

5 nuk është e panjerëzishme, nuk kërkon interesin e vet, nuk hidhërohet,
nuk e mban mend të keqen,

6 nuk i kënaqet padrejtësisë, por i gëzohet të vërtetës.

7 Arsyeton gjithçka, beson gjithçka, shpreson gjithçka, duron gjithçka.

8 Dashuria nuk mbaron kurrë. Profecitë mbarojnë, gjuhët shuhen, njohuritë marrin fund.

9 Sepse njohuria jonë është e kufizuar dhe e kufizuar është profecia jonë.

10 Por, kur të arrijë përsosmëria, çka është e kufizuar do të marrë fund.

13 Tani, veç, mbetet feja, shpresa e dashuria ‑ këto të tria ‑ porse më e madhja ndër to është dashuria.


Psalm: Psalm 25:1-5, 8-10

1. Te ti, o Zot, e lartoj shpirtin tim.

2. O Perëndia im, kam besim te ti; bëj që të mos mbetem i zhgënjyer dhe që armiqtë e mi të mos triumfojnë mbi mua.

3. Po, bëj që asnjë nga ata që kanë besim te ti të mos zhgënjehet; u turpërofshin ata që sillen pabesisht pa shkak.

4. O Zot, më trego rrugët e tua, më mëso shtigjet e tua.

5. Më udhëhiq në të vërtetën tënde dhe më mëso, sepse ti je Perëndia i shpëtimit tim; unë shpresoj shumë te ti gjatë gjithë ditës.

8. Zoti është i mirë dhe i drejtë, prandaj ai do t`u mësojë rrugën mëkatarëve.

9. Ai do të udhëheqë njerëzit zemërbutë në drejtësi dhe do t`u mësojë të përulurve rrugën e tij.

10. Të gjitha rrugët e Zotit janë mirësi dhe vërtetësi për ata që respektojnë besëlidhjen e tij dhe porositë e tij.


UNGJILLI: MATEU 11:25-30

Jezusi premton paqen shpirtërore
(Lk 10, 21‑22)

25 Në atë kohë Jezusi mori fjalën e tha:
Po të bekoj, o Atë, Zotërues i qiellit e i dheut, që i fshehe këto gjëra nga të dijshmit e nga të urtët, e ua zbulove të vegjëlve.

26 Mirë, o Atë, pse të pëlqeu Ty kështu!

27 Ati më dorëzoi mua gjithçka dhe askush s’mund ta njohë Birin përveç Atit,
dhe askush s’mund ta njoh Atin, përveç Birit e përveç atij kujt Biri do që t’ia zbulojë.

28 Ejani tek unë të gjithë ju që jeni të lodhur prej barrës së rëndë e unë do t’ju çlodh. 

29 Merrni mbi vete zgjedhën time e pranoni t’ju mësoj unë që jam zemërbutë e i përvuajtur. Kështu do të gjeni pushim për shpirtrat tuaj,

30 sepse, vërtet, zgjedha ime është e ëmbël e barra ime e lehtë.”



Cila do të jetë kurora e atyre, që të përulët nga brënda dhe të tallur nga jashtë, e kanë imituar përulësinë e Shpëtimtarit tonë në formën e saj të plotë!
-- Shën Bernadette