Pages

Unë nuk erdha të ftoj të drejtët, por mëkatarët - E Shtune 21 Shtator 2013

Leximi i parë: Efesianëve 4:1-7, 11-13
Psalm: Psalm 19:2-5
UNGJILLI: MATEU 9:9-13


Leximi i parë: Efesianëve 4:1-7, 11-13

1 Ju përbej, prandaj, unë i burgosuri në Zotin: jetoni denjësisht si i ka hije thirrjes që keni marrë: 

2 me plot përvujtëri, butësi e duresë; durojeni njëri‑tjetrin me dashuri! 

3 Bëni çmosin ta ruani njësinë e Shpirtit me anë të paqes që ju bashkon. 

4 S’ka veçse një Trup të vetëm dhe një Shpirt të vetëm ‑ sikurse edhe jeni të grishur në një shpresë të vetme të thirrjes suaj. 

5 Nuk ka veçse një Zot, një fe, një pagëzim; 

6 një Hyj të vetëm, Atin e të gjithëve, i cili sundon mbi të gjithë, vepron nëpër të gjithë e banon në të gjithë.

7 Edhe secilit prej nesh i qe dhënë hiri me atë masë me të cilën Krishti deshi të na e dhurojë.

11 E Ai i ‘dha’ disa apostuj, disa të tjerë profetë, disa prapë ungjilltarë, disa të tjerë barinj dhe mësues, 

12 që shenjtërit t’i bëjë të aftë për veprën e shërbesës, për ndërtimin e trupit të Krishtit, 

13 derisa të gjithë ta arrijmë njësinë e fesë dhe njohjen e Birit të Hyjit deri në gjendjen e njeriut të përsosur, deri në masën që i përket pjekurisë së plotë të Krishtit: 


Psalm: Psalm 19:2-5

2 Një ditë i flet ditës tjetër dhe një natë ia tregon tjetrës.

3 Nuk kanë gojë, as fjalë; zëri i tyre nuk dëgjohet;

4 por harmonia e tyre përhapet mbi gjithë dheun dhe mesazhi i tyre arrin deri në skajin e botës; në qiejtë Perëndia ka vënë një çadër për diellin;

5 dhe ai është si një dhëndër që del nga dhoma e tij e martesës; ngazëllon si një trim që përshkon rrugën e tij.


UNGJILLI: MATEU 9:9-13

Thirrja e Mateut
(Mk 2, 13‑17; Lk 5, 27‑32)

9 Jezusi, si shkoi prej andej, pa një njeri që quhej Maté, ndenjur në doganë. Jezusi i tha: “Eja pas meje!” Ai u ngrit dhe shkoi pas tij.

10 Dhe, kur më vonë, Jezusi u ul në tryezë në shtëpi, ja se ia behën shumë tagrambledhës e mëkatarë e u ulën në tryezë bashkë me Jezusin e me nxënësit e tij. 

11 Farisenjtë kur e panë këtë, i pyetën nxënësit e tij:
“Pse mësuesi juaj ha bukë me tagrambledhës e me mëkatarë?”

12 Jezusi, kur i dëgjoi, u përgjigj:
“Mjeku nuk u duhet të shëndoshëve, por të sëmurëve! 

13 Shkoni e mësoni çka do të thotë: ‘Më pëlqen mëshira e jo flia!’ Sepse unë nuk erdha të ftoj të drejtët, por mëkatarët.”



Ndërsa akoma në këtë botë, ne duhet që të shlyejmë me gjithë zemër mëkatet e kryera në trup dhe ta bëjmë të mundur që Zoti të na shpëtoj kur ka akoma kohë. 
Kur ne të kemi ikur nga kjo botë, nuk do të jemi më në gjëndje të pendohemi dhe të rrëfejmë mëkatet tona. 
Ne duhet të bëjmë vullnetin e Atit, t'i mbajmë trupat e pastër dhe të ruajmë urdhërimet e Zotit, sepse kjo është mënyra për të fituar jetën e përjetshme.

-- Ligjërata e shekullit të dytë