Pages

Në ato ditë ata do të agjërojnë - E Premte 6 Shtator 2013

Leximi i parë: Kolosianëve 1:15-20
Psalm: Psalm 100:2-5
UNGJILLI: LUKA 5:33-39


Leximi i parë: Kolosianëve 1:15-20

15 Ai është shëmbëllesa e Hyjit të papashëm, i Parëlinduri ‑ para çdo krijese.
16 Sepse në Të u krijua çdo gjë në qiell e në dhe, çka shihet e çka nuk shihet:
qoftë Fronet, qoftë Zotërimet, qoftë Principatat, qoftë Pushtetet ‑ gjithçka u krijua nëpër Të dhe për Të.
17 Ai është para çdo gjëje dhe çdo gjë qëndron në Të.
18 Ai është Kryet e Trupit ‑ Kishës; Ai është Fillimi, i Parëlinduri ndër të vdekurit ‑ që të jetë në gjithçka i Pari.
19 Sepse Hyjit i pëlqeu të banojë në Të e tërë Plotësia dhe, me anë të Tij,
20 ‑ duke vendosur paqen me anë të gjakut të kryqit [të Tij] ‑ të pajtojë me vete gjithçka qoftë në tokë qoftë në qiell.


Psalm: Psalm 100:2-5

2. I shërbeni Zotit me gaz, ejani para tij me këngë gëzimi.
3. Pranoni që Zoti është Perëndia; na ka bërë ai dhe jo ne vetë; ne jemi populli i tij dhe kopeja e kullotës së tij.
4. Hyni në portat e tij me falenderim dhe në oborret e tij me lavde; kremtojeni, bekoni emrin e tij.
5. Sepse Zoti është i mirë; mirësia e tij është e përjetshme dhe besnikëria e tij vlen për të gjitha brezat.


UNGJILLI: LUKA 5:33-39

Çështja e agjërimit
(Mt 9, 14‑17; Mk 2, 18‑22)

33 Atëherë ata i thanë: “Nxënësit e Gjonit agjërojnë shpesh dhe luten, po ashtu edhe ata të farisenjve ‑ përkundrazi, të tutë hanë e pinë.”
34 Jezusi u përgjigj:
“A mund t’i bëni dasmorët të agjërojnë derisa dhëndri është me ta? 
35 Tani vijnë ditët kur do t’ua rrëmbejnë dhëndrin, atëherë, në ato ditë do të agjërojnë.”
36 U tregoi edhe krahasimin:
“Askush nuk e pret një copë prej petkut të ri për t’ia vënë petkut të vjetër, përndryshe shqyen petkun e ri, kurse copa prej petkut të ri nuk përkon me petkun e vjetër. 
37 Askush nuk e shtie verën e re në rrëshiqa të vjetër, sepse vera e re i pëlcet rrëshiqat kështu që edhe vera derdhet edhe rrëshiqat prishen: 
38 por vera e re duhet të hidhet në rrëshiqa të rinj.
39 Askush, duke pirë verë të vjetër, s’i lakmon verës së re, sepse thotë: “E vjetra është më e mirë!”