Pages

Ata lanë gjithçka e shkuan pas Tij - E Enjte 05 Shtator 2013

Leximi i parë: Kolosianëve 1:9-14
Psalm: Psalm 98:2-6
UNGJILLI: LUKA 5:1-11


Leximi i parë: Kolosianëve 1:9-14

9 Prandaj edhe ne, që atë ditë, kur morëm vesh për këtë gjë, nuk pushojmë së luturi për ju dhe të kërkojmë prej Hyjit të fitoni me çdo urti e kuptim shpirtëror njohurinë e plotë të vullnetit të tij, 
10 që të jetoni në mënyrë të denjë për Zotin dhe t’i pëlqeni Atij plotësisht, duke dhënë fryte veprash të mira dhe duke përparuar në njohurinë e Hyjit, 
11 që të forcuar me çdo fuqi si i përgjigjet pushtetit të Hyjnisë së tij, të jeni të fortë e të durueshëm në çdo provë, që me gëzim 
12 ta falënderoni Atin, i cili ju bëri të aftë të keni pjesë në trashëgimin e shenjtërve në dritë.
13 Ai na nxori nga pushteti i errësirës dhe na kaloi në Mbretërinë e Birit të vet të dashur,
14 në të cilin kemi shpërblimin -   faljen e mëkateve.


Psalm: Psalm 98:2-6

2. Zoti ka bërë të njohur shpëtimin e tij dhe ka shprehur drejtësinë e tij përpara kombeve.
3. Ai ka mbajtur mend mirësinë e tij dhe besnikërinë e tij për shtëpinë e Izraelit; të tëra skajet e tokës kanë parë shpëtimin e Perëndisë tonë.
4. Dërgojini britma gëzimi Zotit, o banorë të të gjithë tokës, shpërtheni në këngë gëzimi, ngazëlloni dhe këndoni lavde.
5. Këndojini lavde Zotit me qeste, me qesten dhe me zërin e këngës.
6. Dërgoni britma gëzimi me boritë dhe me zërin e bririt përpara Zotit, Mbretit.


UNGJILLI: LUKA 5:1-11

1 Jezusi një ditë ishte në bregun e liqenit të Gjenezaretit e, ndërsa populli po shtyhej rreth tij për të dëgjuar fjalën e Hyjit, 
2 pa dy lundra buzë bregut të liqenit: peshkatarët kishin dalë e po lanin rrjetat. 
3 Hyri në njërën prej atyre lundrave ‑ në atë që ishte e Simonit ‑ dhe iu lut ta largonte pakëz prej tokës. U ul e, prej lundrës, mësonte turmën.
4 Kur pushoi së foluri, i tha Simonit:
“Grahi në ujë të thellë e hidhni rrjetat tuaja për të zënë peshk.”
5 Simoni i tha:
“Mësues, gjithë natën u përpoqëm e nuk zumë asgjë; por pasi po thua ti, do t’i hedh rrjetat.”
6 Si bënë kështu, zunë një sasi të madhe peshqish ‑ gati po u shqyheshin rrjetat. 
7 Atëherë u dhanë shenjë shokëve në lundrën tjetër të vinin e t’u ndihmonin. Ata erdhën dhe i mbushën të dy lundrat aq sa gati u fundosën.
8 Kur pa Simon Pjetri, i ra ndër këmbë Jezusit dhe i tha:
“Largohu prej meje, Zotëri, se jam njeri mëkatar!”
9 Vërtet, për arsye të peshkut që zunë, mbeti shtang prej habisë ai dhe të gjithë të tjerët që ishin me të; 
10 gjithashtu edhe Jakobi e Gjoni, bijtë e Zebedeut, bashkëgjuetarë të Simonit. Jezusi i tha Simonit:
“Mos ki frikë! Tani e tutje do të zësh njerëz.”
11 Ata, si i sollën lundrat në breg, lanë gjithçka e shkuan pas tij.