Pages

Nëna dhe vëllezërit e Jezusit - E Marte 24 Shtator 2013

Leximi i parë: Esdra 6:7-8, 12, 14-20
Psalm: Psalm 122:1-5
UNGJILLI: LUKA 8:19-21


Leximi i parë: Esdra 6:7-8, 12, 14-20

7 "Mos e pengoni rindërtimin e atij Tempulli të Hyjit. Prijësi i judenjve dhe paria e tyre le ta ndërtojnë Shtëpinë e Hyjit në vendin e vet. 

8 Dhe ja, urdhërat e mi se si duhet ju të silleni ndaj parisë së judenjve që po e rindërtojnë atë Tempull të Hyjit: atyre njerëzve me kujdes e pa ndërprerje le t’u jepen shpenzimet nga arka e mbretit, d. t. th. nga tatimet që mblidhen në krahinën e Përtejlumit. 

12 Ndërsa Hyji, që e ka vendosur Emrin e tij të banojë aty, i shkatërroftë të gjitha mbretëritë dhe atë popull që ta shtrijë dorën e vet për ta përbuzur e për ta rrënuar Shtëpinë e Hyjit në Jerusalem.
Unë Dariu e dhashë këtë urdhëresë. Dua që të zbatohet pikë për pikë”.

14 Pleqtë e judenjve vazhduan ndërtimin e Tempullit të përkrahur me guxim nga profeti Agjé dhe nga Zakaria, biri i Ados. E kryen ndërtimin me urdhrin e Hyjit të Izraelit dhe me urdhër të Kirit, të Dariut e të Artakserksit, mbretërve të përsianëve. 

15 E përfunduan ndërtimin e Shtëpisë së Hyjit, të tetën ditë të muajit Adar, d. t. th. në vitin e gjashtë të mbretërimit të mbretit Dari.

16 Atëherë bijtë e Izraelit ‑ priftërinj, levitë e të tjerët të riatdhesuar nga mërgimi me gëzim të madh e bënë kushtimin e kësaj Shtëpie të Hyjit. 

17 Në shugurimin e kësaj Shtëpie të Hyjit i kushtuan njëqind mëzetër, dyqind desh, katërqind qengja dhe, si fli shpërblyese për mëkatet e mbarë Izraelit, dymbëdhjetë cjep, sipas numrit të fiseve të Izraelit. 

18 Pastaj i caktuan priftërinjtë sipas rendeve të tyre dhe levitët sipas veshjes së tyre në shërbimin e Hyjit në Jerusalem ashtu si shkruan në Librin e Moisiut.

19 Izraelitët e riatdhesuar nga mërgimi i kremtuan Pashkët në ditën e katërmbëdhjetë të muajit të parë. 

20 Të gjithë levitët u pastruan. Të pastruar të gjithë, flijuan Pashkët për të gjithë të riatdhesuarit, për vëllezërit e vet priftërinjtë dhe për vete.


Psalm: Psalm 122:1-5

1 U gëzova kur më thanë: "Shkojmë në shtëpinë e Zotit".

2 Këmbët tona u ndalën brenda portave të tua, o Jeruzalem.

3 Jeruzalemi është ndërtuar si një qytet i bashkuar mirë,

4 ku ngjiten fiset, fiset e Zotit, për të kremtuar emrin e Zotit.

5 Sepse aty janë vënë fronet për gjykimin, fronet e shtëpisë së Davidit.


UNGJILLI: LUKA 8:19-21

Nëna dhe vëllezërit e Jezusit
(Mt 12, 46‑50; Mk 3, 31‑35)

19 Nëna e tij dhe vëllezërit erdhën ta shohin por s’mundën të afroheshin tek ai prej popullit. 

20 E lajmëruan:
“Nëna jote e vëllezërit e tu, janë jashtë e dëshirojnë të të shohin.”

21 Ai iu përgjigj:
“Nëna ime e vëllezërit e mi ‑ janë këta ‑ që e dëgjojnë dhe e zbatojnë Fjalën e Hyjit.”



Lutja zbulon tek shpirtrat kotësinë e gjërave të tokës dhe kënaqësitë. Ajo i mbush ata me dritë, forcë dhe ngushëllim; dhe ju jep atyre një tregues të harmonisë me paqe të shtëpisë sonë qiellore.

-- Shën Rosa e Viterbos