Pages

I thirri nxënësit e vet e prej tyre zgjodhi dymbëdhjetë - E Marte 10 Shtator 2013

Leximi i parë: Kolosianëve 2:6-15
Psalm: Psalm 145:1-2, 8-11
UNGJILLI: LUKA 6:12-19


Leximi i parë: Kolosianëve 2:6-15

6 Siç e pranuat Jezu Krishtin Zot, ashtu edhe vazhdoni të jetoni në Të: 
7 të rrënjosur, vazhdimisht të mbimuruar në të dhe të fortë në fe sikurse qetë mësuar, gjithherë përplot me falënderim. 
8 Ruajuni të mos ju gënjejë kush me anë të “filozofisë” ‑ me stërhollime të kota, që bazohen në thashethemet njerëzore, në “elementet e botës” e jo në Krishtin. 
9 Dhe, pasi në Krishtin banon trupërisht e tërë plotësia hyjnore, kështu edhe ju jeni 
10 të mbushur me anë të Tij. Ai është Kryet e çdo Principate e Pushteti.
11 Në të jeni edhe të rrethprerë, por me një rrethprerje që s’është bërë me dorë njeriu ‑ u zhveshët nga trupi i mëkatit ‑ me anë të rrethprerjes së Krishtit.
12 Të varrosur bashkë me Të në pagëzim, bashkë me Të edhe u ngjallët në saje të fesë, me të cilën besuat në fuqinë e Hyjit që e ngjalli nga të vdekurit.
13 Edhe juve që ishit të vdekur për shkak të fajeve tuaja dhe të parrethprerjes së trupit tuaj, Hyji ju ngjalli bashkë me Të. Ai mirësisht na i fali të gjitha fajet tona,
14 Ai e zhvleftësoi dëftesën paditëse që, në saje të urdhërimeve, ishte kundër nesh, e bëri të zhduket, e mbërtheu në kryq.
15 I çarmatosi Principatat dhe Pushtetet ‑ e dëftoi këtë botërisht ‑
dhe i tërhoqi zvarrë në kalimin ngadhënjyes të Kryqit!


Psalm: Psalm 145:1-2, 8-11

1. Unë do të të përlëvdoj, o Perëndia im dhe Mbreti im, dhe do të bekoj emrin tënd përjetë.
2. Do të të bekoj çdo ditë dhe do të lëvdoj emrin tënd përjetë.
8. Zoti është i dhemshur dhe mëshirplot, i ngadalshëm në zemërim dhe i madh në mirësi.
9. Zoti është i mirë me të gjithë dhe plot dhemshuri për të gjitha veprat e tij.
10. Tërë veprat e tua do të të kremtojnë, o Zot, dhe shenjtorët e tu do të të bekojnë.
11. Ata do të flasin për lavdinë e mbretërisë sate dhe do të tregojnë për fuqinë tënde.


UNGJILLI: LUKA 6:12-19

Jezusi zgjedh dymbëdhjetë Apostujt
(Mt 10, 1‑4; Mk 3, 13‑19)

12 Ndër ato ditë Jezusi shkoi në një mal për t’u lutur. Natën e kaloi duke iu lutur Hyjit. 
13 Kur zbardhi drita, i thirri nxënësit e vet e prej tyre zgjodhi dymbëdhjetë, të cilët edhe i quajti apostuj: 
14 Simonin, të cilin e quajti edhe Pjetër, Andreun, vëllanë e tij, Jakobin e Gjonin, Filipin e Bartolomeun, 
15 Mateun, e Tomën, Jakobin e Alfeut, Simonin që quhej Zelltar, 
16 Judën e Jakobit edhe Judën Iskariot, i cili u bë tradhtar.

Shërbim popullit
(Mt 4, 23‑25)

17 Pastaj zbriti bashkë me ta e zuri vend në rrafshinë. Ishte aty një shumicë e madhe nxënësish të tij dhe një turmë e madhe e popullit prej mbarë Judesë, prej Jerusalemit dhe prej bregut të detit të Tirit e të Sidonit, 
18 që kishin ardhur për ta dëgjuar e për t’u shëruar prej sëmundjeve të veta. Shëroheshin edhe ata që i mundonin shpirtrat e ndytë. 
19 Të gjithë këta njerëz kërkonin ta preknin, sepse prej tij dilte një fuqi që shëronte gjithkënd.


Hapi i parë i përulësisë është bindja e pahezitueshme, e cila vjen natyrshëm tek ata që e duan Krishtin mbi gjithçka.

-- Shën. Benedikti (Rregulli i Shën. Benediktit 5:1-2)