Pages

Hyji aq fort e deshi botën sa dha një të vetmin Birin e Vet - E Shtune 14 Shtator 2013

Leximi i parë: Numrat 21:4-9
Psalm: Psalm 78:1-2, 34-38
Leximi i dytë: Filipianëve 2:6-11
UNGJILLI: GJONI 3:13-17



Leximi i parë: Numrat 21:4-9

Gjarpri i bronzit

4 Izraelitët u nisën prej malit Hor për t’iu shmangur tokës së Edomit udhës që shpie te Deti i Kuq. Por populli udhës filloi ta humbasë durimin, 
5 zuri të ankohej kundër Zotit e Moisiut. Thanë: “Pse na nxore nga Egjipti a për të vdekur në këtë shkretëtirë? S’ka bukë, s’ka ujë; kurse kjo e zezëhaje na e mërziti shpirtin”!
6 Për këtë arsye Zoti çoi në popull gjarpërinj të hidhur, të cilët e hanin popullin dhe vdiqën shumë njerëz prej Izraelit. 
7 Atëherë erdhën tek Moisiu e i thanë: “Bëmë mëkat kur folëm kundër Zotit e kundër teje; lutu ti që të na i largojë gjarpërinjtë”! Moisiu u lut për popull, 
8 e Zoti tha: “Punoje gjarprin helmues e vëre në shtyllë si shenjë: kushdo që, pasi ta ketë ngrënë gjarpri, ta shikojë, do të shpëtojë”.
9 Moisiu e punoi një gjarpër prej bronzit dhe e vuri për shenjë; këdo që hante gjarpri, si e shikonte atë, shërohej.

Psalm: Psalm 78:1-2, 34-38

1. Kushtoji kujdes, o populli im, ligjit tim; dëgjo fjalët e gojës sime.
2. Do të hap gojën time për të thënë shëmbëlltyra, dhe kam për të paraqitur misteret e kohërave të lashta.
34. Kur i vriste, ata e kërkonin dhe ktheheshin të kërkonin Perëndinë me zell.
35. Kujtoheshin që Perëndia ishte Kështjella e tyre dhe që Perëndia shumë i larti ishte Shpëtimtari i tyre.
36. Por ata e mashtronin me gojën e tyre dhe e gënjenin me gjuhën e tyre.
37. Në fakt zemra e tyre nuk ishte e qëndrueshme ndaj tij dhe ata nuk ishin besnikë ndaj besëlidhjes së tij.
38. Por ai, që është i mëshirshëm, ua fali paudhësinë e tyre dhe nuk i shkatërroi, dhe shumë herë përmbajti zemërimin e tij dhe nuk e la indinjatën e tij të shpërthejë.

Leximi i dytë: Filipianëve 2:6-11

5 Kini në ju po ato ndjenja që ishin në Krishtin Jezus:
6 i cili, edhe pse me natyrë Hyj, barazinë e vet me Të nuk e çmoi si një visar që s’mundet pa të,
7 por ia mohoi vetvetes e mori natyrën e shërbëtorit dhe u bë i ngjashëm me njerëz dhe, për kah pamja e jashtme, dukej vetëm njeri.
8 E përuli vetveten duke u bërë i dëgjueshëm deri në vdekje, mu deri në vdekjen në kryq.
9 Prandaj edhe Hyji e lartësoi tesve dhe i dha emrin që është mbi çdo emër
10 që në Emër të Jezusit të përkulet çdo gju i atyre që janë në qiell, në tokë e në nëntokë
11 dhe çdo gjuhë të dëshmojë: ‘Jezu Krishti është Zot!’ Në nder të Hyjit Atë.


UNGJILLI: GJONI 3:13-17

13 Askush nuk u ngjit në qiell, përveç Birit të njeriut që zbriti nga qielli.
14 Dhe, sikurse Moisiu e lartësoi gjarprin në shkretëtirë, po ashtu duhet të lartësohet edhe Biri i njeriut,
15 që kushdo të besojë në të ta ketë jetën e pasosur.
16 Vërtet, Hyji aq fort e deshi botën sa që dha një të vetmin Birin e vet
kështu që, secili që beson në të, të mos birret, por të ketë jetën e pasosur.
17 Në të vërtetë Hyji nuk e dërgoi Birin që ta dënojë botën, por që bota të shpëtojë nëpër të.