Pages

Dijetaret: 'Ku është foshnja e lindur, që do të bëhet mbreti i judenjve'?

Festa e Epifanisë – 6 Janar 2017

Leximi i pare: Isaia 60:1-6
Psalmet 72:1,6,7,9, 10-12
Leximi i dytë: Efesianëve 3:2-3, 5-6
Ungjilli: Mateu 2:1-12




Leximi i parë: Isaia 60:1-6

1 Ngrihu, shkëlqe, se po vjen drita jote, mbi ty po lind Lavdia e Zotit! 2 Sepse tokën po e mbulon terri dhe një errësirë e madhe popujt, kurse mbi ty, dritë bën Zoti e Lavdia e tij mbi ty, do të shihet! 3 Në dritën tënde, do të ecin popujt edhe mbretërit, në lindjen e shkëlqimit tënd. 4 Lartësoji përreth sytë e tu e shiko: të gjithë këta po mblidhen, te ti po vijnë. bijtë e tu po vijnë prej së largu, bijat e tua para duarsh po i sjellin. 5 Atëherë do të shikosh, fytyra do të të ndriçojë, zemra do të të rrahë e do të të zgjerohet, sepse pasuritë e detit do të zbrazen te ti, të mirat e popujve do të vijnë te ti. 6 Mori gamilesh do të të mbulojnë, gamile njëgungëshe nga Madiani e Efa. Të gjithë do të vijnë nga Saba, ar e kem do të sjellin e do t’i këndojnë lavde Zotit.

Psalmet 72:1,6,7,9, 10-12

1 I Salomonit.
O Hyj, jepja mbretit gjyqin tënd dhe drejtësinë tënde birit të mbretit
6 Do të zbresë porsi vesa mbi bar, porsi shiu që e lag tokën
7 Në ditët e tija do të lulëzojë drejtësia dhe paqe e madhe derisa të jetë hëna
9 Para tij do të bien përmbys banorët e shkretëtirës, kundërshtarët e tij do të lëpijnë dheun
10 Mbretërit e Tarsisit edhe të ishujve dhurata do të sjellin, mbretërit e arabëve e të Sabës do të lajnë të dhjetat
11 Të gjithë mbretërit para tij përmbys do të bien e popujt mbarë do t’i shërbejnë
12 Ai do ta shpëtojë skamnorin që fshan, të varfërin që nuk ka ndihmëtar.

Leximi i dytë: Efesianëve 3:2-3, 5-6

2 Mendoj se patjetër do të keni marrë vesh për hirin që Hyji, për ta çuar në vend synimin e vet, ma ka dhënë për të mirën tuaj, 3 [se] me zbulesë qesh vënë në njohuri të Misterit, për të cilin shkurtimisht posa ju vura në dijeni. 5 I cili nuk u qe zbuluar njerëzve të breznive të shkuara sikurse tani u është zbuluar në Shpirt Shenjt apostujve të tij të shenjtë dhe profetëve, 6 se paganët ‑ në Jezu Krishtin ‑ janë bashkëpjesëtarë të të njëjtit trashëgim, bashkëgjymtyrë të të njëjtit trup, dhe bashkanëtarë të të njëjtit premtim në saje të Ungjillit.

Ungjilli: Mateu 2:1-12

1 Pasi Jezusi lindi në Betlehemin e Judesë, në kohën e mbretit Herod, ja, prej Lindjes ia behën në Jerusalem disa Dijetarë, 2 e pyetën: “Ku është foshnja e lindur, që do të bëhet mbreti i judenjve. Sepse e pamë yllin e tij duke lindur dhe erdhëm t’i shprehim nderimet tona.”

3 Mbreti Herod, posa i dëgjoi këto fjalë, u shqetësua vetë e me të edhe mbarë Jerusalemi. 4 I bashkoi të gjithë kryepriftërinjtë e skribët e popullit dhe i pyeti se ku duhej të lindte Mesia. 5 Ata iu përgjigjën: “Në Betlehemin e Judesë, sepse kështu ka shkruar profeti:

6 “E ti, o Betlehem tokë e Judës,
ti nuk je kurrsesi më i parëndësishmi
ndër qytetet princërore të Judës,
sepse prej teje do të dalë prijësi,
që do ta udhëheqë popullin tim, Izraelin.”


7 Atëherë Herodi i thirri fshehtazi Dijetarët dhe me kujdes mori hetime prej tyre rreth kohës kur u ishte dukur ylli. Pastaj i dërgoi në Betlehem duke u thënë: 8 “Shkoni dhe bëni me kujdes kërkime rreth fëmijës. Kur ta gjeni, më lajmëroni që të vij edhe vetë e t’i shpreh nderimet e mia.”

9 Ata, si e dëgjuan mbretin, u nisën. Dhe ja, ylli që kishin parë në lindjen e tij, u shkonte përpara derisa zuri vend aty ku ishte fëmija. 10 Ata, kur e panë yllin, u bënë shend e verë. 11 E, si hynë në shtëpi, panë fëmijën me Marinë, të ëmën e tij, ranë përmbys dhe i shprehën nderimet e tyre. Pastaj hapën thesaret e veta e i dhuruan: ar, kem e mirrnë. 12 Të mësuar në ëndërr prej Hyjit të mos ktheheshin te Herodi, u kthyen një rruge tjetër në vendin e vet.