Pages

Shërimi i një të gërbuluri

Leximi i pare: Hebrenjve 3:7-14
Psalmet 95:6-11
Ungjilli: Marku 1:40-45

Leximi i pare: Hebrenjve 3:7-14

7 Prandaj, siç thotë Shpirti Shenjt:

»Sot, në qoftë se e dëgjoni zërin e tij, 8 mos jini zemërgurë si në ditën e Kryengritjes, si në ditën e vënies në provë në shkretëtirë, 9 ku më ngacmuan etërit tuaj dhe më vunë në provë edhe pse i panë veprat e mia 10 gjatë dyzet vjetëve. Prandaj m’u ndye ajo brezni dhe thashë: ‘Gjithmonë gënjehet zemra e tyre, e nuk i marrin vesh udhët e mia’. 11 Kështu u përbetova në zemërimin tim: »Kurrë s’do të hyjnë në pushimin tim 

12 Kini kujdes, o vëllezër, që ndonjëri prej jush të mos e ketë zemrën e keqe, të pafe që të shkëputet nga Hyji i gjallë, 13 por nxiteni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo: »Sot«, që të mos »ngurohet« ndokush prej jush i ngashnyer prej mëkatit. 14 Sepse jemi bërë pjesëtarë të Krishtit - merret vesh - në qoftë se qëndrojmë të palëkundshëm në shpresë deri në fund ashtu si filluam. 

Psalmet 95:6-11

6 Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
7 Sepse ai është Hyji ynë, ne jemi populli i kullotës së tij, grigja që ai ruan.
8 Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: “Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
9 porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, kur etërit tuaj më vunë në sprovë:
më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
10 Dyzet vjet më mërziti ajo brezni e thashë: ‘Popull zemërluhatshëm është ky,
11 që s’i njeh udhët e mia.’ Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: ‘Askurrë s’do të hyjnë në prehjen time!’”

Ungjilli: Marku 1:40-45

Shërimi i një të gërbuluri
(Mt 8, 1‑4; Lk 5, 12‑16)

40 Atëherë iu paraqit një i gërbulur, ra në gjunj dhe iu lut: “Nëse do, mund të më pastrosh!” 41 Jezusi pati dhembshuri, shtriu dorën, e preku dhe i tha: “Dua! Qofsh pastruar!” 42 Dhe aty për aty prej tij u zhduk gërbula dhe u shërua. 43 Jezusi menjëherë e nisi të shkojë, por i urdhëroi rreptësisht: 44 “Shih ‑ i tha ‑ mos i trego askujt, por shko, duku te prifti dhe, për shërimin tënd, kushto çka ka urdhëruar Moisiu ‑ atyre për dëshmi.” 45 Por ai, posa doli, filloi të flasë e ta përflasë ngjarjen, kështu që Jezusi s’mund të hynte më haptas në qytet, por qëndronte përjashta në vende të pabanuara. E njerëzit shkonin tek ai nga çdo anë.