Pages

Por kush ta shajë Shpirtin Shenjt, ai s’do të ketë falje për amshim

Leximi i pare: Hebrenjve 9:15, 24-28
Psalmet  98:1-6
Ungjilli: Marku 3:22-30

Leximi i pare: Hebrenjve 9:15, 24-28

15 Për këtë arsye Ai është Ndërmjetësi i Besëlidhjes së re që - me anë të vdekjes për shpërblim të fajeve të bëra në kohën e Besëlidhjes së parë - të grishurit ta fitojnë trashëgimin e përjetshëm të premtuar. 24 Sepse Krishti nuk hyri në Shenjtëroren e Shenjtëroreve të punuar me dorë, që është vetëm shëmbëllesë e thjeshtë e asaj të vërtetës, por drejt në qiell: që tani të ndërmjetësojë për ne para fytyrës së Hyjit. 25 Jo veç, që shumë herë ta flijojë vetveten sikurse kryeprifti çdo vit hyn në Shenjtëroren e Shenjtëroreve me gjak të huaj; 26 - përndryshe do t’i ishte dashur të pësojë shumë herë që prejkrijimit të rruzullit. Por tani u dëftua një herë të vetme - në mbarimin e kohës - për ta asgjësuar mëkatin me anën e flijimit të vetvetes. 27 Dhe, sikurse njerëzve u duhet një herë të vdesin - e pastaj vjen gjyqi - 28kështu edhe Krishti: u flijua vetëm një herë për të shlyer mëkatet e të gjithëve, kurse herën e dytë - jo më në lidhje me mëkate - do t’u duket atyre që e presin për t’u shëlbuar.

Psalmet  98:1-6

Zoti gjykatës i tokës

1 Psalm.
Këndoni Zotit një këngë të re,
sepse bëri vepra të mrekullueshme!
Ngadhënjeu me fuqi të së djathtës së vet,
me fuqi të krahut të vet të shenjtë.
2 Zoti e dëftoi shpëtimin e vet,
përpara paganëve e zbuloi drejtësinë e vet.
3 I ra ndër mend dashuria dhe besnikëria e vet
kundrejt shtëpisë së Izraelit.
Të gjitha skajet e botës e panë
shëlbimin e Hyjit tonë.
4 Mbarë toka le t’i brohorisë Zotit,
le të gëzojë, të duartrokasë e të këndojë.
5 Këndoni Zotit me harpë,
me tinguj veglash muzikore,
6 me trumbetë e me zë të pipëzës së bririt,
brohoritni para fytyrës së Zotit, Mbret!

Ungjilli: Marku 3:22-30

22 Kurse skribët që zbritën nga Jerusalemi, thoshin:
“E ka në trup Beelzebulin e me anë të kryetarit të djajve i dëbon djajtë”
23 Ai i thirri t’i afrohen dhe filloi t’u flasë me shëmbëlltyra:
“Si është e mundur që Djalli ta dëbojë djallin. 24 Në qoftë se një mbretëri çohet kundër vetvetes, ajo shkatërrohet. 25 Po ashtu edhe ajo shtëpi që çohet kundër vetvetes, shkatërrohet. 26 Nëse, pra, Djalli çohet kundër vetvetes dhe përçahet, ai shpartallohet ‑ i erdhi fundi! 27 Dhe dihet që s’ka njeri që mund të hyjë në shtëpinë e të fortit dhe t’ia marrë plaçkat pa e lidhur atë më parë. Vetëm atëherë mund t’ia plaçkisë shtëpinë.
28 Për të vërtetë po ju them: njerëzve do t’ju falen të gjitha mëkatet e blasfemitë, me të cilat do të blasfemojnë, 29 por kush ta shajë Shpirtin Shenjt, ai s’do të ketë falje për amshim; është fajtor i një mëkati të përhershëm. 30Sepse thoshin: “Ka qoftëlargun në trup!”