Pages

Të korrat janë të mëdha e punëtorë janë pak!

Leximi i pare: 2 e Timoteut 1:1-8
Psalmet 96:1-3, 7-8, 10
Ungjilli: Luka 10:1-9


Leximi i pare: 2 e Timoteut 1:1-8

1 Pali, apostulli i Krishtit Jezus për vullnet të Hyjit i dërguar për të shpallur jetën e premtuar që është në Krishtin Jezus: 2 Timoteut, birit të dashur: hir, mëshirë, paqe prej Hyjit Atë dhe prej Krishtit Jezus, Zotit tonë.

Falënderim Hyjit

3 E falënderoj Hyjin, të cilit i shërbej, sikurse edhe të parët e mi, me ndërgjegje të pastër, ndërsa pa pushim të kujtoj në lutja të mia natë e ditë. 4Dhe, kur më bien në mend lotët e tu, më kap një dëshirë e madhe të të shoh ty që të mbushem me gëzim. 5 Kujtoj fenë e çiltër që është në ty, që më parë ishte në gjyshen tënde Loidën dhe në nënën tënde Eunikën dhe jam i bindur se banon edhe në ty.

6 Këndej të përkujtoj ta ringjallësh dhuratën e hirit të Hyjit që është në ty në saje të vënies së duarve të mia. 7 Sepse Hyji nuk na e ka dhënë shpirtin e frikës, por përkundrazi, shpirtin e virtytit, të dashurisë dhe të urtisë. 8 Prandaj mos të të vijë turp ta dëshmosh Zotin tonë, as mua të burgosurin e tij, por hiq keq bashkë me mua për Ungjill duke u mbështetur në fuqinë e Hyjit, 

Psalmet 96:1-3, 7-8, 10

Zoti mbret dhe gjykatës

1 Këndoni Zotit një këngë të re!
Mbarë toka le t’i këndojë Zotit!
2 Këndoni Zotit, bekojeni Emrin e tij,
shpalleni si një ditë për ditë shpëtimin e tij!
3 Kumtojeni ndër paganë lavdinë e tij,
ndër mbarë popujt mrekullitë e tija!
7 Jepni Zotit, familjet e popujve,
jepni Zotit nder e fuqi,
8 jepjani Zotit nderin e Emrit të tij!
Kushtoni dhurata e hyni në pallatet e tija,
10 Shpallni ndër paganë: “Mbret është Zoti”!
Ai e mban botën që të mos shkatërrohet;
i gjykon popujt me drejtësi.


Ungjilli: Luka 10:1-9

1 Pastaj Zotëria i zgjodhi edhe shtatëdhjetë [e dy] nxënës të tjerë dhe i dërgoi nga dy [e dy] përpara vetes në çdo qytet dhe vend, ku mendonte të shkonte. 2 U thoshte:

“Të korrat janë të mëdha e punëtorë janë pak! Luteni të zotin e të korrave të çojë punëtorë në të korrat e veta. 3 Shkoni! Ja, po ju dërgoj porsi qengja mes ujqish! 4 Mos merrni me vete as qese, as strajcë, as sandalet e mos përshëndetni udhës askënd! 

5 Në cilëndo shtëpi të hyni, më parë thoni: ‘Paqja me këtë shtëpi!’ 6 Po qe se është aty ndokush mik i paqes, mbi të do të zbresë paqja juaj; po qe se s’është asnjë, do të kthehet te ju. 

7 Rrini në atë shtëpi! Hani e pini çka t’u ketë qëlluar; sepse punëtori ka tagër në rrogën e vet. Mos kaloni prej një shtëpie në një tjetër!

8 Në çdo qytet që të hyni e t’ju pranojnë, hani çka t’ju vënë përpara. 9 Shëroni të sëmurët që janë në të e thuajini popullit: ‘U afrua Mbretëria e Hyjit!’