Pages

Zgjedhja e të Dymbëdhjetëve

Leximi i pare: Hebrenjve 8:6-13
Psalmet 85:8, 10-14
Ungjilli: Marku 3:13-19

Leximi i pare: Hebrenjve 8:6-13

6Por tani Krishti, fitoi një shërbesë shumë më të shquar, sepse është ndërmjetësi i Besëlidhjes më të mirë, të themeluar mbi premtime më të mira. 7Po të kishte qenë me të vërtetë Besëlidhja e parë e patëmetë, nuk ishte dashur t’i bëhej vend tjetrës. 8Sepse, duke i prozhmuar, u thotë:
»Ja, po vijnë ditët - thotë Zoti - kur do të bëj me Shtëpinë e Izraelit dhe me shtëpinë e Judës një Besëlidhje të re. 9Jo më si Besëlidhja që pata bërë me etërit e tyre, kur i mora për dore për t’i nxjerrë nga toka e Egjiptit. Meqenëse ata nuk qëndruan besnikë ndaj Besëlidhjes sime, prandaj as vetë nuk u kujdesova për ta - thotë Zoti. 10Dhe ja, Besëlidhja të cilën do ta lidh me Shtëpinë e Izraelit pas këtyre ditëve - thotë Zoti: ligjet e mia do t’i thadroj në shpirtrat e tyre dhe do t’i zgavëroj me shkronja në zemrat e tyre. Unë do të jem Hyji i tyre kurse ata do të jenë populli im. 11Askush nuk do ta mësojë bashkëqytetarin e vet, askush vëllain e vet duke thënë: ‘Njihe Zotin!’, sepse të gjithë do të më njohin, prej më të voglit e deri në më të madhin ndër ta, 12sepse do të kem mëshirë për fajet e tyre dhe s’do t’i kujtoj mëkatet e tyre«. 13Kur thotë »Të Renë« dëshmon se »E Para« është plakur; tashti, çka plaket e vjetrohet, është afër zhdukjes.

Psalmet 85:8, 10-14

8 Na e trego, o Zot, mëshirën tënde
e na jep shëlbimin tënd!
10 Shpëtimi i tij është afër atyre që e druajnë,
lavdia e tij do të banojë në vendin tonë.
11 Mëshira dhe e vërteta do të përpiqen,
drejtësia e paqja do të merren ngrykë.
12 E vërteta do të mbijë nga toka
e drejtësia do të shikojë prej qiellit.
13 Sepse Zoti ka për të dhënë çdo të mirë
edhe toka jonë do ta japë frytin e vet.
14 Drejtësia do t’i shkojë përpara
dhe do t’u tregojë udhën hapave të tij.

Ungjilli: Marku 3:13-19

Zgjedhja e të Dymbëdhjetëve
(Mt 10, 1‑4; Lk 6, 12‑16; Vap 1, 13)

13 Pastaj u ngjit në një mal e i thirri ata që deshi vetë. Ata shkuan tek ai. 14Dhe i emëroi të Dymbëdhjetët [të cilët edhe i quajti apostuj], që të jenë me të e t’i dërgojë të predikojnë, 15 e ta kenë pushtetin t’i dëbojnë djajtë. 16 [I emëroi, pra, të Dymbëdhjetët:] Simonin ‑ të cilit ia ngjiti emrin Pjetër, 17Jakobin, birin e Zebedeut, dhe Gjonin, vëllain e tij, që i quajti: Boanerges, që do të thotë: Bijtë e rrufesë; 18 pastaj Andreun, Filipin, Bartolomeun, Mateun, Tomën, Jakobin e Alfeut, Tadeun, Simonin Kananeas 19 dhe Judën Iskariot, i cili edhe e tradhtoi.