Pages

Pse jeni frikacakë? Po a ende nuk besoni?

Leximi i pare: Hebrenjve 11:1-2, 8-19
Luka 1:69-75
Ungjilli: Marku 4:35-41

Leximi i pare: Hebrenjve 11:1-2, 8-19

1 Feja është një mënyrë të pasuri të gjërave që shpresohen, mjet të njihen gjërat që nuk shihen. 2 Në fuqi të saj, madje, të parët tanë fituan një dëshmi të mirë.

8 Me anë të fesë Abrahami, kur qe grishur, dëgjoi të çohet dhe të niset drejt vendit që do ta fitonte në trashëgim; e la vendin edhe pse nuk dinte se ku do të shkonte. 9 Me anë të fesë erdhi të banojë në tokën e premtuar si në tokën e huaj dhe jetoi nën tenda me Izakun dhe me Jakobin, bashkëtrashëgimtarët e të njëjtit premtim, 10 sepse priste Qytetin me themele të palëkundshme, arkitekti dhe ndërtuesi i të cilit është Hyji.

11 Me anë të fesë - edhe vetë Sara beronjë - fitoi mundësinë të bëhej nënë - megjithëse i kishte kaluar mosha - sepse e mbante besnik Atë që i dha premtimin. 12 Këndej, prej një njeriu - dhe ai gati i vdekur, lindi një shumicë e madhe porsi yjet në qiell dhe rëra e panumërueshme në bregun e detit.

13 Të gjithë këta vdiqën në fe pa marrë çka u qe premtuar. Ata vetëm e vërejtën prej së largu dhe e përshëndetën duke pranuar se janë të huaj dhe udhëtarë përmbi tokë. 14 Vërtet, ata që flasin kështu, dëftojnë qartë se kërkojnë atdheun. 15 Patjetër, po të kishin menduar për atdheun prej të cilit dolën, do të kishin pasur kohë të ktheheshin. 16 Por, tashti, ata dëshirojnë një atdhe më të mirë - d. m. th. atë qiellore. Për këtë arsye Hyjit nuk i vjen turp të quhet Hyji i tyre: vërtet, Ai ua ka bërë gati Qytetin.

17 Me anë të fesë, Abrahami, i vënë në provë, e flijoi Izakun. Flijonte djalin e vetëm ai që kishte marrë premtimin, 18 të cilit i qe thënë: »Pasardhësit e tu do të rrjedhin prej Izakut«, 19 plotësisht i bindur se Hyji mund të ngjallë edhe të vdekurit. Prandaj edhe e rifitoi - dhe qe një shëmbëlltyrë.

Luka 1:69-75

69 Ai e ngriti Shpëtimtarin tonë
në shtëpinë e Davidit, shërbëtorit të vet,
70 sikurse premtoi kaherë me gojë të profetëve të tij të shenjtë:
71 se do të na shpëtojë prej armiqve tanë dhe prej dorës së të gjithë atyre që na urrejnë;
72 se do të bëjë mirësinë që ua premtoi etërve tanë e do t’i bjerë në mend Besëlidhja e tij e shenjtë
73 e betimi që bëri në të mirën e Abrahamit, atit tonë, se do të na e bëjë të mundshme 
74 t’i shërbejmë pa frikë, të çliruar nga duart e armikut 
75 në shenjtëri e drejtësi para tij për çdo ditë të jetës sonë.

Ungjilli: Marku 4:35-41

Fashitja e detit
(Mt 8, 23‑27; Lk 8, 22‑25)

35 Po atë ditë, kur u err, u tha nxënësve: “Të kalojmë matanë!”
36 Ata e nisën popullin, kurse Jezusin e morën ashtu siç ishte në lundër. E përcillnin edhe lundra të tjera. 37 Ndërkaq, u çua një stuhi e madhe. Valët e detit u tërbuan aq sa hidheshin brenda e gati e mbushën me ujë. 38 Jezusi po flinte në nënkresë. E zgjuan dhe i thanë: “Mësues! A nuk shqetësohesh që po mbytemi?”
39 Ai u zgjua i urdhëroi erës dhe i tha detit: “Qetësohu! Shuaj!”
Era pushoi e u bë fashë e madhe.
40 Atëherë u tha: “Pse jeni frikacakë? Po a ende nuk besoni?”
41 Ata i kapi frikë e madhe dhe i thoshin njëri‑tjetrit:
“Vallë, kush është ky të cilit po i nënshtrohen era dhe deti?”