Pages

Jezusi sheron te djallosurin

Leximi i pare: Hebrenjve 11:32-40
Psalmet 31:20-24
Ungjilli: Marku 5:1-20 

Leximi i pare: Hebrenjve 11:32-40

32 Po çka të them më? Nuk do të më dilte koha të flas për Gjedeonin, për Barakun, për Samsonin, për Jeftin, për Davidin, për Samuelin dhe për profetët, 33 të cilët me anë të fesë nënshtruan mbetëri, vunë në veprim drejtësinë, fituan premtimet, mbyllën gojën e luanëve, 34 shuan fuqinë e zjarrit, shpëtuan nga tehu i shpatës, u shëruan nga sëmundjet, u dëftuan trima të fortë në luftë, zmbrapsën ushtritë e të huajve. 35 Disa gra i fituan, me anë të ngjalljes, të vdekurit e vet. Të tjerë, të vënë në mundime, nuk e pranuan faljen, që të fitonin një ngjallje më të mirë. 36 Prapë disa të tjerë sprovuan poshtërime, frushkullime, madje, edhe pranga dhe burgje; 37 u vranë me gurë, u sharruan, u prenë me teh të shpatës, u enden të veshur me lëkura delesh, me lëkura dhish, në skamje, të nëpërkëmbur, të marrë me të keq 38 - bota nuk ishte e denjë për ta - endeshin nëpër shkretëtirë, nëpër male, nëpër shpella dhe nëpër gropa dheu. 39 Të gjithë këta, edhe pse e morën dëshminë e mirë me anë të fesë, megjithatë, nuk morën çka u qe premtuar, 40 sepse Hyji parapa diçka më të mirë për ne: që pa ne ata të mos e arrijnë përsosmërinë.

Psalmet 31:20-24

20 Oh, sa e madhe është mirësia jote, o Zot,
të cilën e ruan për ata që të druajnë,
e ke përgatitur për ata që shpresojnë në ty
në sy të bijve të Adamit.
21 Ti i fsheh në strehën e fytyrës sate
larg nga ngatërresat e njerëzve,
i strehon në Tendën tënde
larg nga gjuhët ngatërrestare.
22 Qoftë bekuar Zoti që më pajisi
me mirësi të mrekullueshme në qytet të fortë!
23 Ndërsa në vështirësinë time mendoja:
“I përjashtuar jam prej syve të tu!”,
por ti e dëgjove zërin e lutjes sime
kur drejt teje lëshova kushtrimin.
24 Duani Zotin, të gjithë shenjtërit e tij:
ai i ruan besimtarët e vet,
por edhe atë që vepron me madhështi
Zoti e shpaguan sipas meritave.

Ungjilli: Marku 5:1-20

SHËRIMI I TË DJALLOSURIT NGA GERAZA


1 Arritën matanë detit në krahinën e gerazenëve.
2 Posa Jezusi doli prej lundrës (menjëherë) nga varrezat i doli përpara një njeri që kishte djallin në trup. 3 Ky banonte në varreza. Askush nuk mundte më as ta lidhë në hekura. 4 Shpesh e kishin lidhur në pranga e zinxhirë, por ai i copëtonte prangat e i këpuste zinxhirët. Askush s’ishte më i zoti ta zotërojë. 5Gjithë natën e ditën nëpër varre e nëpër male bërtiste e rrahte veten me gurë.
6 Kur prej së largu e pa Jezusin, u lëshua me vrap, ra para tij përmbys për dhe, 7 e atëherë, me sa zë pati, bërtiti:
“Çka do prej meje, Jezus, Biri i Hyjit tejet të Lartë? Po të përbej në Hyjin mos më mundo!”
8 Sepse Jezusi i kishte thënë: “Shpirti i ndytë, dil prej këtij njeriu!”
9 Atëherë Jezusi e pyeti:
“Si quhesh?”
“Quhem Legjion ‑ u përgjigj ai ‑ sepse jemi shumë.”
10 Ai i lutej shumë Jezusit që të mos i dëbonte prej asaj krahine.
11 Tashti, aty në rrëzë të malit po kulloste një tufë e madhe thish. 12 Shpirtrat e ndytë e përbenin:
“Na dërgo ndër thi të hyjmë në ta.”
13 Ai i lejoi. Shpirtrat e ndytë, pasi dolën, hynë në thi dhe tufa, afërsisht dy mijë copë ‑ u lëshuan me turr nga gremina, kërceu në det dhe u mbyt.
14 Barinjtë ndërkaq ikën dhe e përhapën lajmin nëpër qytet e fshatra. Njerëzit shkuan të shohin ç’kishte ndodhur. 15 Erdhën te Jezusi dhe, kur e panë të djallosurin, që kishte pasur në trup një legjion të tërë, ndenjur, të veshur dhe shëndosh në mend, i kapi frika. 16 Ata që kishin parë me sytë e vet u treguan si ndodhi puna me të djallosurin dhe me thitë. 17 Atëherë ata filluan t’i luten Jezusit të largohet prej krahinës së tyre.
18 Kur Jezusi hyri në barkë, ai që kishte qenë i djallosur zuri t’i lutej ta merrte me vete. 19 Jezusi nuk e lejoi, por i tha:
“Shko në shtëpinë tënde te familja jote e tregoju ç’nder të bëri Zoti dhe si pati mëshirë për ty.”
20 Ai shkoi dhe filloi të tregojë nëpër Dekapolis gjithçka Jezusi bëri për të. Gjithkush mrekullohej.