Pages

Diskutim mbi agjërimin: Atëherë ata, atë ditë, do të agjërojnë!

Leximi i pare: Hebrenjve 5:1-10
Psalmet 110:1-4
Ungjilli: Marku 2:18-22

Leximi i pare: Hebrenjve 5:1-10

1 Sepse, çdo Kryeprift zgjidhet nga mesi i njerëzve dhe vihet kryeprift për të mirën e njerëzve në marrëdhëniet e tyre me Hyjin. Detyra e tij është të ushtojë dhurata e fli për shpërblim të mëkateve. 2 Ai është në gjendje të ketë dhembshuri për ata që nuk dinë e gënjehen, sepse edhe ai vetë është i ngarkuar me ligështi. 3 Këndej i duhet të kushtojë fli për mëkatet si për popull ashtu edhe për vete. 4 Dhe askush nuk e merr për vetvete këtë nder, por vetëm ai që thirret prej Hyjit tamam si Aroni.
5 Kështu edhe Krishti nuk e përvetësoi ai vetë nderin të bëhet kryeprift, po ia dha Ai që i tha:
»Ti je im Bir,
unë sot të linda«;
6 sipas asaj fjale që e thotë diku gjetiu:
»Ti je prift për amshim
në mënyrën e Melkizedekut«.
7 Ai, në ditët e jetës së vet këtu mbi tokë, i kushtoi lutja dhe lutje me ofshama të mëdha dhe me lot Atij që mundte ta shpëtonte nga vdekja, dhe qe vështruar për shkak të nënshtrimit të vet. 8 Ai, megjithëse ishte Bir, mësoi nga ato që pësoi të jetë i dëgjueshëm 9 dhe, pasi e fitoi përsosmërinë, për të gjithë ata që e dëgjojnë, u bë shkaku i shëlbimit të amshuar, 10 i shpallur prej Hyjit Kryeprift »në mënyrën e Melkizedekut«.


Psalmet 110:1-4
1 I Davidit. Psalm.
I tha Zoti Zotit tim: “Rri në të djathtën time,
derisa t’i vë armiqtë e tu shtrojë për këmbët e tua”!
2 Skeptrin e pushtetit tënd Zoti do ta shtrijë nga Sioni:
sundo mes armiqve të tu!
3 Ty të përket më i larti pushtet
në ditën e fuqisë sate
në shkëlqime të shenjta
nga kraharori para Yllit të Dritës
unë të linda.
4 Zoti u përbetua, assesi s’do të pendohet:
“Ti je prift për amshim
në mënyrën e Melkizedekut”.

Ungjilli: Marku 2:18-22

Diskutim mbi agjërimin
(Mt 9, 14‑17; Lk 5, 33‑39)

18 Nxënësit e Gjonit dhe farisenjtë agjëronin. Erdhën disa dhe i thanë:
“Pse nxënësit e Gjonit e të farisenjve agjërojnë e nxënësit e tu nuk agjërojnë?”
19 Jezusi u përgjigj:
“A thua mund të agjërojnë dasmorët derisa është me ta dhëndri? Për aq kohë sa është dhëndri me ta s’mund të agjërojnë! 20 Do të vijë dita kur do t’ua rrëmbejnë dhëndrin. Atëherë ata, atë ditë, do të agjërojnë!
21 Askush nuk e qep arnën e tirkut të pashkelur në petk të vjetër; përndryshe arna e tirkut të pashkelur e shqyen petkun e vjetër dhe e shqyerja bëhet më e madhe.
22 Askush nuk e qet verën e re në rrëshiqa të vjetër; përndryshe vera e re i shqyen rrëshiqat: vera derdhet e rrëshiqat prishen. Porse vera e re ‑ në rrëshiqa të rinj.”