Pages

Gjaku i Krishtit do ta pastrojë ndërgjegjen tonë nga veprat e vdekura për t’i shërbyer Hyjit të gjallë!

Leximi i pare: Hebrenjve 9:2-3, 11-14
Psalmet 47:2-3, 6-9
Ungjilli: Marku 3:20-21

Leximi i pare: Hebrenjve 9:2-3, 11-14

 2 Dhe njëmend qe ndërtuar Tenda. Në pjesën e parë të saj ishte qirimbajtësja, tryeza dhe bukët e kushtimit, dhe quhet Shenjtërorja. 3 Pastaj, pas tisit të dytë, ishte pjesa e dytë e Tendës, që quhet Shenjtërorja e Shenjtëroreve. 11 Por erdhi Krishti, Kryeprifti i të mirave që do të vijnë. Dhe, nëpër një tendë më të madhe dhe më të përsosur, të punuar jo me dorë - d. m. th. jo të kësaj krijese 12 dhe nëpër gjak jo të cjepve dhe të mëzetërve, por nëpër gjak të vet, hyri njëherë e përgjithmonë në Shenjtëroren e Shenjtëroreve dhe fitoi shpërblimin përfundimtar. 13 Dhe njëmend, në qoftë se gjaku i stërpikur i cjepve dhe i mëzetërve dhe hiri i mështjerrës i shenjtëron të papastrit duke ua pastruar ritualisht trupin, 14sa më tepër Gjaku i Krishtit - i cili nëpër Shpirtin e amshuar ia flijoi vetveten Hyjit porsi fli të panjollë - do ta pastrojë ndërgjegjen tonë nga veprat e vdekura për t’i shërbyer Hyjit të gjallë!

Psalmet 47:2-3, 6-9

2 Duartrokitni, o popuj të gjithë,
brohoritni Hyjit me zë gëzimi!
3 Sepse Hyji është i tejetlartë, i tmerrshëm,
Mbreti i madh mbi tokën mbarë.
6 Ngjitet Hyji me brohori,
Zoti me zë trumbete.
7 Këndoni Hyjit, këndoni,
këndoni mbretit tonë, këndoni!
8 Sepse Hyji është mbreti i mbarë tokës:
këndoni këngë me mjeshtëri!
9 Hyji mbretëron mbi mbarë popujt,
Hyji rri mbi fronin e vet të shenjtë.

Ungjilli: Marku 3:20-21


20 Jezusi u kthye në shtëpi. Prapë u mblodh turmë e madhe sa që as nuk mund të hanin bukë. 21 Kur morën vesh të tijtë, shkuan ta marrin sepse flitej: “Nuk është në vete.”