Pages

Vendose fatin tënd tek Zoti, ki besim tek ai dhe ai ka për të vepruar.

Leximi i pare: Hebrenjve 10:32-39
Psalmet 37:3-6, 23-24, 39-40
Ungjilli: Marku 4:26-34 

Leximi i pare: Hebrenjve 10:32-39

32 Dhe tani sillni ndërmend ditët e mëparshme, në të cilat, pasi u ndriçuat, keni duruar një luftë të madhe vuajtjesh, 33 herë duke u bërë objekt fyerjesh dhe mundimesh, herë duke u solidarizuar me ata që trajtoheshin në këtë mënyrë. 34 Sepse treguat dhembje për mua në prangat e mia dhe keni pranuar me gëzim t`ju zhveshin nga pasuria juaj, duke ditur se keni për veten tuaj një pasuri më të mirë e të qëndrueshme në qiej. 35 Mos e hidhni tej guximin tuaj, që do të ketë një shpërblim të madh. 36 Sepse ju keni nevojë për ngulm që mbasi, të bëni vullnetin e Perëndisë, të merrni gjërat e premtuara. 37 ``Edhe fort pak kohë, edhe ai që duhet të vijë do të vijë dhe nuk do të vonojë. 38 Dhe i drejti do të jetojë prej besimit; por ne qoftë se ndokush tërhiqet prapa, shpirti im nuk do të gjejë pëlqim në të``. 39 Por ne nuk jemi nga ata që tërhiqen prapa për humbje, por nga ata që besojnë dhe i ruajnë shpirtrat e tyre.

Psalmet 37:3-6, 23-24, 39-40

3 Ki besim tek Zoti dhe bëj të mira; bano vendin dhe shto besnikërinë.
4 Gjej kënaqësinë tënde në Zotin dhe ai do të plotësojë dëshirat e zemrës sate.
5 Vendose fatin tënd tek Zoti, ki besim tek ai dhe ai ka për të vepruar.
6 Ai do të bëjë të shkëlqejë drejtësia jote si drita dhe ndershmëria e saj si mesdita.
23 Hapat e njeriut i drejton Zoti, kur atij i pëlqejnë rrugët e tij.
24 Por kur njeriu rrëzohet, nuk shtrihet për tokë, sepse Zoti e mban për dore.
39 Por shpëtimi i të drejtëve vjen nga Zoti; ai është kështjella e tyre në kohën e fatkeqësisë.
40 Dhe Zoti i ndihmon dhe i ēliron; i ēliron nga të pabesët dhe i shpëton, sepse kanë gjetur strehë tek ai.

Ungjilli: Marku 4:26-34

Shëmbëlltyra e farës që rritet vetvetiu

26 Dhe vazhdoi: “Mbretëria e Hyjit është porsi kur njeriu e hedh farën në dhe. 27 Si të flejë si të rrijë zgjuar natë e ditë, fara mbin, rritet ‑ pa ditur ai se si. 28 Toka vetvetiu qet bimën; më parë kërcyllin, pastaj kallirin e në fund kallirin plot kokrra. 29 E posa fryti piqet, i vë draprin, sepse është koha e korrjes.”

Shëmbëlltyra e farës së sinapit
(Mt 13, 31‑32; Lk 13, 18‑19)

30 Dhe thoshte: “Me çka ta krahasojmë Mbretërinë e Hyjit? Ose me çfarë krahasimi ta paraqesim? 31 Ajo i përngjet kokrrës së sinapit që është më e vogla ndër farëra kur hidhet në dhe; 32 por, kur mbillet, rritet e bëhet më e madhe se të gjitha perimet; lëshon degë të mëdha, aq sa zogjtë e malit banojnë nën hijen e saj.”

Përdorimi i shëmbëlltyrave
(Mt 13, 34‑35)

33 Me shumë shëmbëlltyra si këto ua shpallte Fjalën, ashtu si ishin të zotët ta kuptojnë; 34 por pa shëmbëlltyra atyre nuk u fliste asgjë, kurse nxënësve ua shtjellonte veçmas të gjitha.