Pages

Prandaj, Biri i njeriut është zotëruesi edhe i të shtunës!

Leximi i pare: Hebrenjve 6:10-20
Psalmet 111:1-2, 4-5, 9-10
Ungjilli: Marku 2:23-28

Leximi i pare: Hebrenjve 6:10-20

10Sepse, Hyji nuk është i padrejtë që ta harrojë veprën tuaj dhe dashurinë që treguat ndaj Emrit të tij, duke u shërbyer dhe duke vazhduar t’u shërbeni shenjtërve. 11 Dëshirojmë veç, që secili prej jush ta tregojë të njëjtin kujdes që shpresa të plotësohet deri në fund, 12 që të mos ju pakësohet zelli, por t’u përngjani atyre që, në saje të fesë dhe të duresës, trashëgojnë të mirat e premtuara.
13 Dhe njëmend, kur Hyji i jepte Abrahamit premtimin, pasi nuk kishte se me kë më të madh t’i përbetohej, iu përbetua me vetveten 14 duke thënë:
»Vërtet do të të mbuloj me bekime dhe do të të jap trashëgimtarë të panumërueshëm«.
15 Kështu Abrahami duke pritur me duresë i fitoi premtimet. 16 Njerëzit, veç, përbetohen me dikënd që është më i madh se ata dhe beja për ta është një garanci që i jep fund çdo mosmarrëveshjeje. 17 Kështu edhe Hyji: duke dashur t’ua vërtetojë në mënyrë më të plotë trashëgimtarëve të premtimeve palëkundshmërinë e vendimit të vullnetit të vet, u bë dorëzanë me përbetim. 18 Në këtë mënyë, në fuqi të dy veprimeve të pandërrueshme - në të cilat është e pamundur që Hyji të gënjejë - ne, që u strehuam në Hyjin, jemi shumë të nxitur të mbështetemi në shpresën që na u parashtrua. 19 Atë e kemi spirancë të sigurt dhe të fortë të shpirtit »që hyn në brendinë përmbas Tisit«, 20 atje, ku për ne, si pararendës depërtoi Jezusi, pasi u bë Kryeprift i amshuar në mënyrën e Melkizedekut.

Psalmet 111:1-2, 4-5, 9-10

1 ALELUJA!
Me gjithë shpirt do ta lavdëroj Zotin,
në kuvendin e të drejtëve, në mbledhjen e tyre.
2 Të mëdha janë veprat e Hyjit,
për t’u shqyrtuar prej atyre që i duan.
4 U ngreh përmendore mrekullive të veta,
i mëshirshëm e mëshirëdhënës është Zoti.
5 U jep ushqim atyre që e druajnë,
kurrë s’e harron Besëlidhjen e vet.
9 Shpërblim i dha popullit të vet,
Besëlidhjen e vet e bëri të amshueshme:
i shenjtë dhe i tmerrshëm është Emri i tij.
10 Fillimi i dijes është frika e Zotit,
janë të mençur të gjithë ata që veprojnë sipas saj,
lavdia e Tij qëndron për amshim.

Ungjilli: Marku 2:23-28

Shkokëlim kallinjësh të shtunën
(Mt 12, 1‑8; Lk 6, 1‑5)

23 Një të shtunë Jezusi po kalonte nëpër të mbjella. Nxënësit e tij, duke udhëtuar, filluan të këpusin kallinj. 24 Farisenjtë atëherë po i thonë: “Shih! Pse po bëjnë atë që s’është e lejueshme të bëhet të shtunën?” 25 Jezusi u përgjigj: “A s’ju ka rënë kurrë të lexoni ç’bëri Davidi kur pati nevojë, atëherë kur u urit ai e përcjellësit e tij? 26 Se si, kur ishte kryeprift Abiatari, hyri në Shtëpinë e Hyjit dhe i hëngri bukët e kushtuara, të cilat s’guxon t’i hajë askush përveç priftërinjve? Madje, ai u dha edhe përcjellësve të vet!”
27 Atëherë u thoshte edhe këtë:
“E shtuna u bë për njeriun e jo njeriu për të shtunën. 28 Prandaj, Biri i njeriut është zotëruesi edhe i të shtunës!”