Pages

Jezusi zgjedh dymbëdhjetë Apostujt

1 e Korintasve 6:1-11
Psalm 149:1-6, 9
Luka 6:12-19


1 e Korintasve 6:1-11

1 A do të guxojë ndokush prej jush, nëse ka ndonjë padi kundër ndonjë tjetri, të kërkojë të drejtën në gjyq para paganëve e jo para shenjtërve? 
2Po a nuk e dini se shenjtërit do ta gjykojnë botën? E, nëse ju do ta gjykoni botën, po a thua s’jeni të zotët t’i gjykoni gjërat më të vogla? 
3 Po a nuk e dini se do t’i gjykojmë edhe engjëjt e jo më gjërat e përditshme? 
4 E ju, kur keni ndonjë pleqësi për gjërat e përditshme, shkoni e më vini pleq disa që Kisha i mban për asgjë? 
5 Le t’ju vijë turp që më detyroni t’jua them këtë gjë! Kështu a? A thua nuk gjendet ndër ju asnjë i dijshëm, i cili do të mund të pleqëronte mes vëllezërve të vet? 
6 Por vëllai me vëlla paditet, madje para të pafeve?! 
7Po edhe vetë puna që paditeni me njëri-tjetrin është e metë për ju. Pse më mirë nuk e duroni padrejtësinë? Pse më mirë nuk duroni të plaçkiteni? 
8 Por, përkundrazi, ju vetë bëni padrejtësi dhe plaçkitni, e kë se? Vëllezërit! 
9 A thua nuk e dini se ata që bëjnë padrejtësi nuk do të kenë pjesë në Mbretërinë e Hyjit? Mos u tradhtoni! As fëlligështarët, as idhujtarët, as kurorëthyesit, as homoseksualët e çdo lloji, 
10 as vjedhësit, as pijanecët, as shpërralluesit, as cubat nuk do të kenë pjesë në Mbretërinë e Hyjit. 11 Pra, të tillë ishit disa, por u latë, por u shenjtëruat, por e fituat shfajësimin në saje të Emrit të Jezu Krishtit Zot dhe të Shpirtit të Hyjit tonë.

Psalm 149:1-6, 9

1. Aleluja. Këndojini Zotit një këngë të re, këndoni lavdinë e tij në kuvendin e shenjtorëve.
2. Le të ngazëllohet Izraeli tek ai që e ka bërë, le të ngazëllohen bijtë e Sionit te Mbreti i tyre.
3. Le të lëvdojnë emrin e tij me valle, të këndojnë lavdet e tij me dajre dhe me qeste,
4. sepse Zoti kënaqet me popullin e tij; ai i kurorëzon me shpëtim njerëzit e përulur.
5. Le të ngazëllohen shenjtorët në lavdi, le të këndojnë nga gëzimi mbi shtretërit e tyre.
6. Le të kenë në gojën e tyre lavdet e Perëndisë dhe në dorën e tyre një shpatë që pret nga të dy anët;
9. për të zbatuar mbi ta gjykimin e shkruar. Ky është nderi që u rezervohet mbarë shenjtorëve të tij. Aleluja.

Luka 6:12-19

Jezusi zgjedh dymbëdhjetë Apostujt
(Mt 10, 1‑4; Mk 3, 13‑19)

12 Ndër ato ditë Jezusi shkoi në një mal për t’u lutur. Natën e kaloi duke iu lutur Hyjit. 13 Kur zbardhi drita, i thirri nxënësit e vet e prej tyre zgjodhi dymbëdhjetë, të cilët edhe i quajti apostuj: 14 Simonin, të cilin e quajti edhe Pjetër, Andreun, vëllanë e tij, Jakobin e Gjonin, Filipin e Bartolomeun, 15 Mateun, e Tomën, Jakobin e Alfeut, Simonin që quhej Zelltar, 16 Judën e Jakobit edhe Judën Iskariot, i cili u bë tradhtar.
Shërbim popullit
(Mt 4, 23‑25)
17 Pastaj zbriti bashkë me ta e zuri vend në rrafshinë. Ishte aty një shumicë e madhe nxënësish të tij dhe një turmë e madhe e popullit prej mbarë Judesë, prej Jerusalemit dhe prej bregut të detit të Tirit e të Sidonit, 18 që kishin ardhur për ta dëgjuar e për t’u shëruar prej sëmundjeve të veta. Shëroheshin edhe ata që i mundonin shpirtrat e ndytë. 19 Të gjithë këta njerëz kërkonin ta preknin, sepse prej tij dilte një fuqi që shëronte gjithkënd.