Pages

“Biri i njeriut është zotëria i të shtunës.”

1 e Korintasve 4:6-15
Psalm 145:17-21
Luka 6:1-5

1 e Korintasve 4:6-15

6 Me këto fjalë, vëllezër, e mora për shembull veten e Apolin për mësimin tuaj, që në ne ta kuptoni fjalën. Jo përtej asaj që është e shkruar!’ që të mos krenoheni me njërin kundër tjetrit. 7 E njëmend, kush ta jep ty përparësinë? Çka ke që nuk e ke marrë? E, nëse e ke marrë prej tjetërkujt, pse krenohesh sikur s’e ke marrë? Tani u ngitë! Tani u bëtë të pasur! Pa ne u bëtë mbretër! Ku të merrej ai fat, të bëheshit vërtet mbretër, që të mbretëronim edhe ne me ju!
9 E pra, unë mendoj se Hyji ne, apostujve, na ka vënë në vendin e fundit, si të dënuar për vdekje: lojë për botën, për engjëjt e për njerëzit;
10 ne të marrë për shkak të Krishtit, ju të urtë në Krishtin,
‑ ne të dobët, ju të fortë,
ju të nderuar e ne të përbuzur,
11 deri tani s’ngihemi me bukë as me ujë, jemi të zhveshur e të shtypur, të paplëng e të pashtëpi, 12 lodhemi duke punuar me duart tona.
Na shajnë e ne flasim mirë për ta,
na salvojnë e ne durojmë;
13 na shpifen e ne ngushëllojmë.
U bëmë deri më sot porsi plehrat e botës, porsi mbeturinat e gjithkujt!
14 Nuk po jua shkruaj këto që t’ju turpëroj, por që t’ju qortoj si fëmijët e mi të dashur. 15 Sepse, edhe po t’i kishit në Krishtin dhjetë mijë mësues, nuk do të kishit shumë etër, sepse, me anë të Ungjillit, unë ju linda në Jezu Krishtin.

Psalm 145:17-21

17 Zoti është i drejtë në të gjitha rrugët e tij dhe dashamirës në të gjitha veprat e tij.
18 Zoti është pranë gjithë atyre që kërkojnë, pranë gjithë atyre që e kërkojnë në të vërtetë.
19 Ai kënaq dëshirën e atyre që kanë frikë prej tij, dëgjon britmën dhe i shpëton.
20 Zoti mbron të gjithë ata që e duan dhe do të shkatërrojë të gjithë të pabesët.
21 Goja ime do të tregojë lëvdimin e Zotit, dhe çdo qënie do të bekojë emrin e tij të shenjtë përjetë.

Luka 6:1-5

1 Një të shtunë, kur Jezusi po kalonte nëpër të mbjella, nxënësit e tij këputnin kallinj, i shkokëlonin në dorë dhe i hanin. 2 Atëherë disa farisenj thanë:
“Pse bëni çka s’është e lejueshme të bëhet të shtunën?”
3 Jezusi iu përgjigj:
“A nuk keni lexuar çfarë bëri Davidi kur u urit ai dhe përcjellësit e tij? 4 [Si] hyri në Shtëpinë e Hyjit, i mori bukët e kushtimit, hëngri vetë dhe u dha të hanë edhe atyre që ishin me të, bukët, që s’kishte leje t’i hajë askush tjetër përveç priftërinjve?”
5 Dhe u tha: “Biri i njeriut është zotëria i të shtunës.”