Pages

Jezusi i tha Simonit: “Mos ki frikë! Tani e tutje do të zësh njerëz.”

1 e Korintasve 3:18-23
Psalm 24:1-6
Luka 5:1-11

1 e Korintasve 3:18-23

18 Askush mos ta gënjejë vetveten! Në qoftë se ndokush prej jush kujton se është i mençur sipas parimeve të shekullit, le të bëhet i marrë për të qenë i urtë. 19 Sepse dija e kësaj bote është marri para Hyjit, sepse Shkrimi i shenjtë thotë:
‘Ai i zë të dijshmit në dredhitë e tyre.’
20 dhe përsëri:
‘Zoti i njeh mendimet e të mençurve,
e di se janë të kota.’
21 Prandaj, askush prej jush mos ta vërë mburrjen e vet në njerëz, sepse gjithçka është juaja: 22 Pali, Apoli, Kefa, bota, jeta, vdekja, e tashmja, e ardhmja! Gjithçka është juaja, 23 ju jeni të Krishtit e Krishti është i Hyjit!

Psalm 24:1-6

Liturgjia e hyrjes në Shenjtërore
1 Psalm. I Davidit.

E Zotit është toka dhe gjithçka ajo ka, rruzulli mbarë e të gjithë banorët e tij.
2 Ai vetë e themeloi mbi dete, dhe e bëri të qëndrueshme mbi lumenj.
3 Kush do të ngjitet mbi malin e Zotit e kush do të qëndrojë në vendin e tij të shenjtë?
4 Ai që duart i ka të pafajshme e zemrën të pastër, ai që nuk e drejtoi shpirtin e vet në kotësi, ai që nuk betohet në gënjeshtër.
5 Ky do ta marrë bekimin prej Zotit, shfajësimin e Hyjit, Shëlbuesit të vet.
6 E tillë është breznia e atyre që kërkojnë Zotin, e atyre që kërkojnë fytyrën e Hyjit të Jakobit.

Luka 5:1-11

1 Jezusi një ditë ishte në bregun e liqenit të Gjenezaretit e, ndërsa populli po shtyhej rreth tij për të dëgjuar fjalën e Hyjit, 2 pa dy lundra buzë bregut të liqenit: peshkatarët kishin dalë e po lanin rrjetat. 3 Hyri në njërën prej atyre lundrave ‑ në atë që ishte e Simonit ‑ dhe iu lut ta largonte pakëz prej tokës. U ul e, prej lundrës, mësonte turmën.
4 Kur pushoi së foluri, i tha Simonit:
“Grahi në ujë të thellë e hidhni rrjetat tuaja për të zënë peshk.”
5 Simoni i tha:
“Mësues, gjithë natën u përpoqëm e nuk zumë asgjë; por pasi po thua ti, do t’i hedh rrjetat.”
6 Si bënë kështu, zunë një sasi të madhe peshqish ‑ gati po u shqyheshin rrjetat. 7 Atëherë u dhanë shenjë shokëve në lundrën tjetër të vinin e t’u ndihmonin. Ata erdhën dhe i mbushën të dy lundrat aq sa gati u fundosën.
8 Kur pa Simon Pjetri, i ra ndër këmbë Jezusit dhe i tha:
“Largohu prej meje, Zotëri, se jam njeri mëkatar!”
9 Vërtet, për arsye të peshkut që zunë, mbeti shtang prej habisë ai dhe të gjithë të tjerët që ishin me të; 10 gjithashtu edhe Jakobi e Gjoni, bijtë e Zebedeut, bashkëgjuetarë të Simonit. Jezusi i tha Simonit:
“Mos ki frikë! Tani e tutje do të zësh njerëz.”
11 Ata, si i sollën lundrat në breg, lanë gjithçka e shkuan pas tij.