Pages

“Më duhet ta shpall Ungjillin e Mbretërisë edhe në qytete të tjera, sepse për këtë punë jam dërguar.”

1 e Korintasve 3:1-9
Psalm 33:12-15, 20-21
Luka 4:38-44


1 e Korintasve 3:1-9
1 E vetë, vëllezër, nuk munda t’ju predikoj porsi njerëzve shpirtërorë, por porsi qenieve tokësore, porsi foshnjave në Krishtin. 2 Ju dhashë të pini qumësht e jo ushqime të forta, sepse ende nuk mund t’i bluanit. Po, madje as tani s’jeni në gjendje, 3 sepse ende jeni tokësorë. Dhe, njëmend, derisa në mes jush të ketë smirë e grindje, a thua nuk jeni tokësorë, a thua nuk silleni në mënyrën e njeriut thjesht lëndor? 4 Sepse, kur ndonjëri thotë: “Unë jam i Palit” e një tjetër: “Unë jam i Apolit”, a nuk jeni vetëm njerëz thjesht natyrorë?
5 Po çka është Apoli? Çka është Pali? Shërbëtorë, me anë të të cilëve ju e pranuat fenë. Secili veproi sipas dhuratave që Hyji i dha: 6 Unë mbolla, Apoli lagu, por Hyji bëri që të rritet. 7 Kështu: nuk është gjë as ai që mbjell e as ai që lag, por Hyji që bën të rritet. 8 Ai që mbjell e ai që lag janë të barabartë. Secili sipas mundit që të ketë bërë, do ta marrë shpërblimin. 9 Sepse ne punojmë së bashku në punën e Hyjit; e ju jeni ara e Hyjit e ndërtesa e Hyjit.

Psalm 33:12-15, 20-21

12 Lum ai komb që për Hyj e ka Zotin, populli që Zoti e zgjodhi për pronë.
13 Zoti shikon nga qielli e i sheh të gjithë bijtë e njerëzve.
14 Prej vendit të vet të shenjtë i shqyrton të gjithë banorët e tokës,
15 ai që të gjithëve ua ka krijuar zemrat e i kupton të gjitha veprat e tyre.
20 Shpirti ynë shpreson në Zotin, ai është ndihma dhe mburoja jonë.
21 Zemra jonë në të e ka shpresën, shpresojmë në Emrin e tij të shenjtë.

Luka 4:38-44

Shërimi i shumë njerëzve në popull
(Mt 8, 14‑17; Mk 1, 29‑34)

38 Si doli prej sinagogës, hyri në shtëpinë e Simonit. Vjehrrën e Simonit e kishin zënë ethe të forta e i bënë lutje për të. 39 Ai u përkul kah ajo, u urdhëroi etheve ‑ e ato e lëshuan. U çua aty për aty dhe u shërbeu.

40 Kur perëndoi dielli, të gjithë ata që ishin të sëmurë me sëmundje të ndryshme, i binin tek ai e Jezusi i shëronte duke vënë duart mbi secilin prej tyre. 41 Prej shumëkujt dilnin djajtë e thoshin: “Ti je Biri i Hyjit!” Jezusi u kërcënohej dhe ua ndalonte të flisnin, sepse e dinin se ai ishte Mesia.

Predikimi nëpër vende të ndryshme
(Mk 1, 35‑39)
42 Kur zbardhi drita doli dhe shkoi në një vend të pabanuar. Turmat u vunë ta kërkojnë, e kur e gjetën, u munduan ta ndalnin të mos largohej prej tyre. 43Ai u tha: “Më duhet ta shpall Ungjillin e Mbretërisë edhe në qytete të tjera, sepse për këtë punë jam dërguar.”
44 E predikonte nëpër sinagoga të Judesë.