Pages

Prandaj rrini zgjuar se nuk e dini ditën as orën!

1 e Korintasve 1:17-25
Psalm 33:1-2, 4-5, 10-11
Mateu 25:1-13

1 e Korintasve 1:17-25

17 Sepse Krishti nuk më dërgoi të pagëzoj, por të predikoj Ungjillin, madje ta predikoj, jo me dituri fjale, që të mos i humbë fuqia kryqit të Krishtit.
Krishti, fuqia dhe urtia e Hyjit 18 E njëmend, predikimi për kryqin, për ata që dënohen, është marri, kurse, për ne të shëlbuarit, është fuqia e Hyjit. 19 Sepse është në Shkrim i shenjtë:
‘Do ta asgjësoj dijen e të dijshëmve,do ta bëj të kotë urtinë e të urtëve.’
20 Ku është i dijshmi? Ku është mësuesi i Ligjit? Ku është shqyrtuesi i kësaj bote? Pse, a nuk e bëri Hyji marri urtinë e botës? 21 Për të vërtetë, pasi bota me urtinë e vet nuk e njohu Hyjin me anë të dijes së zbuluar prej Hyjit, i pëlqeu Hyjit, me marrinë e predikimit t’i shëlbojë besimtarët. 22E, ndërsa hebrenjtë kërkojnë mrekulli e grekët lypin urti, 23 ne predikojmë Krishtin e kryqëzuar ‑ për hebrenj skandal e për paganë marri, 24 kurse për të grishurit ‑ si për hebrenj si për grekë ‑ Krishtin ‑ fuqinë e Hyjit dhe dijen e Hyjit. 25 Sepse, çka në Hyjin duket marri, është më e dijshme se njerëzit e çka në Hyjin duket dobësi, është më e fuqishme se njerëzit.

Psalm 33:1-2, 4-5, 10-11

1 Galdoni, o të drejtë në Zotin, të drejtëve u ka hije lavdërimi!
2 Lavdërojeni Zotin me kitarë, bini gëzueshëm lirës me dhjetë korda!
3 Këndoni atij një këngë të re, përcilleni bukur me cetër brohoritjen!
4 Sepse e drejtë është fjala e Zotit e të gjitha veprat e tija me besë.
5 E do drejtësinë e gjyqin, plot është toka me mirësinë e Zotit.
10 Zoti i shpartallon synimet e popujve, i pështjellon qëllimet e kombeve.
11 Synimi i Zotit qëndron për amshim, mendimet e zemrës së tij prej breznie në brezni.

Mateu 25:1-13

1”Atëherë Mbretëria e qiellit do t’u përngjajë dhjetë virgjërave, të cilat i morën dritëzat e veta e i dolën para dhëndrit. 2 Pesë prej tyre ishin marroqe e pesë të mençura. 3 Tashti, këto marroqet, morën me vete dritëzat, por nuk morën vajin. 4 Ndërsa ato të mençurat, morën me vete bashkë me dritëzat e veta edhe vaj në enë. 5 Pasi dhëndri u vonua, u kotën të gjitha dhe i zuri gjumi. 6 Rreth mesnatës u dha lajmi: ‘Ja, dhëndri! Dilini përpara!’ 7 Atëherë të gjitha virgjërat u çuan dhe i rregulluan dritëzat e veta. 8 Atëherë marroqet u thanë të urtave: ‘Na jepni prej vajit tuaj se po na ndalen dritëzat.’ 9 Të mençurat u përgjigjën: ‘ Assesi! Që të mos na mungojnë neve dhe juve, më mirë shkoni te tregtarët e bleni për vete!’ 10 Kur ato shkuan të blejnë, erdhi dhëndri e ato që ishin gati, hynë bashkë me të në dasmë dhe u mbyll dera. 11 Më vonë ia behën edhe virgjërat e tjera e thanë: ‘Zotëri, o zotëri, na e çel derën!’ 12 Por ai iu përgjigj: ‘Përnjëmend po ju them: nuk ju njoh!’

13 Prandaj: rrini zgjuar se nuk e dini ditën as orën!”