Pages

Rrini gati, sepse Biri i njeriut do të vijë në atë orë kur ju s’e pritni.

1 e Korintasve 1:1-9
Psalm 145:2-3, 4-5, 6-7
Mateu 24:42-51


1 e Korintasve 1:1-9

1. Pali, për vullnet të Hyjit, i grishur të jetë apostull i Krishtit Jezus, edhe vëlla Sosteni, 2. Kishës së Hyjit që është në Korint, të shenjtëruarve në Krishtin Jezus, të grishurve të jenë shenjtër, bashkë me të gjithë ata, që në cilindo vend e thërrasin Emrin e Zotit tonë, Jezu Krishtit, Zotit të tyre dhe tonë. 3. Paçi hir e paqe prej Hyjit, Atit tonë, dhe prej Zotit Jezu Krisht! 4. Përherë i falemnderit Hyjit tim për ju që ju dha hirin hyjnor me anë të Krishtit Jezus, 5. sepse në Krishtin ju u bëtë të pasur me gjithçka në çdo fjalë e në çdo dije. 6. Kështu, aq u përforcua në ju dëshmia e Krishtit, 7. sa që nuk ju mungon asnjë dhuratë juve që pritni Zbulimin e Zotit tonë Jezu Krishtit.
8. Por edhe Ai do t’ju forcojë deri në fund që të jeni pa mungesa në Ditën e Zotit tonë Jezusit (Krisht). 9. Besnik është Hyji që ju thirri në shoqërinë e Birit të vet, Jezu Krishtit, Zotit tonë.

Psalm 145:2-3, 4-5, 6-7

2. Do të të bekoj çdo ditë dhe do të lëvdoj Emrin Tënd përjetë.
3. Zoti është i madh dhe i denjë për lëvdimin më të lartë dhe madhështia e tij është e panjohshme.
4. Një brez do t`i shpallë lëvdimet e veprave të tua tjetrit dhe do t`i njoftojë mrekullitë e tua.
5. Do të mendohem thellë mbi shkëlqimin e lavdishëm të madhështisë sate dhe mbi veprat e tua të mrekullueshme.
6. Këto do të flasin për fuqinë e veprave të tua të tmerrshme, dhe unë do të tregoj madhështinë tënde.
7. Ata do të shpallin kujtimin e mirësisë sate të madhe dhe do të këndojnë me gëzim drejtësinë tënde.

Mateu 24:42-51

42 Prandaj: rrini zgjuar, sepse nuk dini se në ç’ditë do të vijë Zotëria juaj! 43 E mos harroni: po ta dinte i zoti i shtëpisë se në ç’orë të natës i vjen vjedhësi, do të rrinte zgjuar e nuk do të lejonte t’i thyhej shtëpia. 44 Prandaj: rrini gati, sepse Biri i njeriut do të vijë në atë orë kur ju s’e pritni.”
45 Vallë, cili është ai shërbëtor besnik e i mençur, që zotëria e vuri përmbi shërbëtorët e vet për t’u dhënë ushqimin në kohën e duhur? 46 I lumi ai shërbëtor, që, kur të vijë zotëria, e gjen duke vepruar kështu! 47 Për të vërtetë po ju them: do t’ia besojë mbarë pasurinë e vet!

48 Por në qoftë se shërbëtori i keq thotë në zemrën e vet: ‘zotëria im vonon të vijë’ 49 e fillon t’i rrahë shokët e vet e të hajë e të pijë me pijaneca; 50 zotëria i këtij shërbëtori do të vijë pikërisht atë ditë, kur ky s’e pret, pikërisht në atë orë, kur ky s’e di; 51 do ta ndëshkojë rëndë dhe do t’ia caktojë vendin me shtiracakët, ku do të jetë vaj dhe kërcëllim dhëmbësh.”