Pages

Pse jeni frikacakë? Po a ende nuk besoni? - E Shtunë 1 Shkurt 2014

Leximi i parë: 2 i Samuelit 12:1-7, 10-17
Psalm: Psalm 51:12-17
UNGJILLI: MARKU 4:35-41


Leximi i parë: 2 i Samuelit 12:1-7, 10-17

1 Zoti e dërgoi Natanin te Davidi. Ky erdhi te Davidi dhe i tha: “Në një qytet jetonin dy vetë. Njëri ishte pasanik e tjetri skamnor. 

2 Pasaniku kishte bagëti të imëta e të trasha me shumicë të madhe. 

3 Kurse skamnori nuk kishte asgjë tjetër përveç një deleje të vocërr. E kishte blerë dhe e kishte ushqyer. Ishte rritur tek ai bashkë me fëmijët e tij duke ngrënë bukën e tij e duke pirë prej gotës së tij dhe duke fjetur në gjirin e tij. Për të ishte sikur ta kishte pasur bijë. 

4 Porse, kur një shtegtar erdhi te pasaniku, ky, duke kursyer bagëtitë e veta të imëta e të trasha për t’i bërë gosti atij shtegtari që kishte ardhur tek ai, shkoi e mori delen e skamnorit dhe i bëri gati bukën njeriut që kishte ardhur tek ai”.

5 Davidi u hidhërua pa masë kundër këtij njeriu e i tha Natanit: “Pasha jetën e Zotit, njeriu që ka bërë këtë punë, meriton vdekjen! 

6 Katërfish do ta paguajë delen për arsye se ka bërë një punë të tillë dhe është dëftuar njeri i pashpirt”.

7 Atëherë Natani i tha Davidit: “Ti je ai njeri! Kështu thotë Zoti, Hyji i Izraelit: Unë të shugurova mbret përmbi Izraelin. Unë të shpëtova prej dorës së Saulit.

10 Për këtë arsye kurrën e kurrës nuk do të hiqet shpata prej familjes sate, pasi më përbuze mua dhe e more gruan e Uri Heteut për të qenë gruaja jote. 

11 Prandaj kështu thotë Zoti: ‘Ja, unë do të bëj që e keqja jote të vijë mu prej familjes sate! Ndër sy të tu do t’i marr gratë e tua e do t’ua jap të afërmve të tu e do të flenë me gratë e tua në dritën e këtij dielli.

12 Ti, vërtet, e bëre këtë fshehtazi, por unë do ta bëj ballafaqas në sy të mbarë Izraelit, ditën për diell’”!

13 Atëherë Davidi i tha Natanit: “Kam mëkatuar kundër Zotit”! E Natani i tha Davidit: “Prej anës së vet Zoti ta ka falur këtë mëkat; s’do të vdesësh. 

14 Megjithatë, pasi me këtë veprim i bëre të blasfemojnë armiqtë e Zotit, djali që të ka lindur, me siguri do të vdesë”.

15 Atëherë Natani u kthye në shtëpinë e vet.

Vdekja e djalit të Betsabesë. Lindja e Salomonit

Zoti e goditi djalin që gruaja e Urit ia lindi Davidit, dhe u sëmur rëndë. 

16 Davidi iu lut Zotit për foshnjën dhe Davidi agjëronte e, kur kthehej në shtëpi, natën e kalonte shtruar për tokë. 

17 Krerët e shtëpisë së tij qëndronin përreth tij dhe i thoshin të ngrihej nga toka, por ai nuk dëgjoi as nuk hëngri bukë me ta. 


Psalm: Psalm 51:12-17

12 Krijoje në mua, o Hyj, zemrën e pastër,
përtërij në mua një shpirt të qëndrueshëm!

13 Mos më flak larg fytyrës sate,
mos e hiq prej meje shpirtin tënd të shenjtë.

14 Ma kthe gëzimin e shpëtimit tënd,
dhe më forco me shpirt të gatshëm.

15 E unë do t’ua mësoj mëkatarëve udhën e shëlbimit
e fajtorët do të kthehen tek ti.

16 Ma fal gjakun e derdhur, o Hyj, Hyji i shëlbimit tim,
dhe gjuha ime do ta shpallë shenjtërinë tënde.

17 Zhdërvilloj, o Zot, buzët e mia,
dhe goja ime do ta shpallë lavdinë tënde.


UNGJILLI: MARKU 4:35-41

Fashitja e detit
(Mt 8, 23‑27; Lk 8, 22‑25)

35 Po atë ditë, kur u err, u tha nxënësve:
“Të kalojmë matanë!”

36 Ata e nisën popullin, kurse Jezusin e morën ashtu siç ishte në lundër. E përcillnin edhe lundra të tjera. 

37 Ndërkaq, u çua një stuhi e madhe. Valët e detit u tërbuan aq sa hidheshin brenda e gati e mbushën me ujë. 

38 Jezusi në pope flinte në nënkresë. E zgjuan dhe i thanë:
“Mësues! A nuk shqetësohesh që po mbytemi?”

39 Ai u zgjua i urdhëroi erës dhe i tha detit:
“Qetësohu! Shuaj!”
Era pushoi e u bë fashë e madhe.

40 Atëherë u tha:
“Pse jeni frikacakë? Po a ende nuk besoni?”

41 Ata i kapi frikë e madhe dhe i thoshin njëri‑tjetrit:
“Vallë, kush është ky të cilit po i nënshtrohen era dhe deti?”



Mos u ankoni për tundimet që pësoni. Kur Zoti e ka për qëllim të hedhi një virtyt të veçantë mbi ne, Ai shpesh na lejon në fillim të tundohemi nga pala kundërshtare. Megjithatë, shikojeni çdo tundim si një ftesë për t'u rritur në një virtyt të veçantë dhe një premtim nga Zoti se ju do të jeni të suksesshëm, vetëm nëse qëndroni të palëkundur.

-- Shën. Filip Neri