Pages

Të gjithë ata që e preknin, shëroheshin. - E Hënë 10 Shkurt 2014

Leximi i parë: 1 i Mbretërve 8:1-7, 9-13
Psalm: Psalm 132:6-10
UNGJILLI: MARKU 6:53-56


Leximi i parë: 1 i Mbretërve 8:1-7, 9-13

1 Atëherë Salomoni i bashkoi në Jerusalem te vetja ‑ te mbreti Salomon ‑ gjithë parinë e Izraelit: të gjithë të parët e fiseve, prijësit e vëllazërive të bijve të Izraelit për ta bartur Arkën e Besëlidhjes së Zotit prej Qytetit të Davidit, d. m. th. prej Sionit. 

2 Të gjithë izraelitët u bashkuan të mbreti Salomon në muajin Etanim, d. m. th. në muajin e shtatë, në festë. 

3 Kur erdhën të parët e Izraelit, priftërinjtë e morën Arkën 

4 dhe e bartën Arkën e Zotit, Tendën e Takimit dhe të gjitha enët e Shenjtë‑ rores që ishin në Tendë. I bartën priftërinjtë e levitët. 

5 Mbreti Salomon dhe mbarë pupulli i Izraelit që ishte mbledhur rreth tij, së bashku me të flijonin para Arkës dele e gjedhë aq shumë, saqë s’mund të çmoheshin as të numëroheshin. 

6 Priftërinjtë e sollën Arkën e Besëlidhjes së Zotit në vendin e saj në Dabirin e Tempullit, në Shenjtëroren e shenjtëroreve, nën krahët e kerubinëve. 

7 Kështu kerubinët i shtrinin krahët mbi vendin e Arkës dhe mbronin Arkën edhe shtagat e saja. 

9 Në Arkë nuk kishte tjetër përveç dy rrasave guri që i kishte futur në të Moisiu në Malin Horeb, kur Zoti lidhi Besëlidhje me bijtë e Izraelit pasi kishin dalë prej tokës së Egjiptit.

Hyji e merr për pronë të vetën Tempullin

10 Posa dolën priftërinjtë prej shenjtërores, reja e mbushi Shtëpinë e Zotit 

11dhe priftërinjtë nuk mund të qëndronin e të shërbesonin për shkak të resë: dhe njëmend lavdia e Zotit e kishte mbushur Shtëpinë e Zotit. 

12 Atëherë Salomoni tha: “Zoti vendosi të banojë në renë e errët.

13 Unë, pra, bëra mirë që të ndërtova një Shtëpi të madhërishme, një fron të qëndrueshëm e të përhershëm për ty”.


Psalm: Psalm 132:6-10

6 Ja, dëgjuam se është në Efratë,
e kemi gjetur në Fushat e Jaarit!

7 Le të hyjmë në tendën e tij,
të adhurojmë te shtroja e këmbëve të tija!

8 Ngrihu, o Zot, eja në vendin e pushimit tënd,
ti dhe arka e Pushtetit tënd!

9 Priftërinjtë e tu le të veshen me drejtësi,
shenjtërit e tu le të brohoritin me galdim.

10 Për dashuri të shërbëtorit tënd Davidit,
mos e përbuz fytyrën e Mesisë tënd!


UNGJILLI: MARKU 6:53-56

Shërime në rrethe të Gjenezaretit
(Mt 14, 34‑36)

53 Pasi lundruan deri në breg, arritën në Gjenezaret e aty e lidhën barkën. 

54 Posa dolën nga barka, njerëzit që e njohën 

55 menjëherë shpejtuan të shkojnë nëpër mbarë krahinën e filluan të sjellin të sëmurët në vigje atje ku dëgjonin se ishte. 

56 E kudo që hynte: në fshatra, në qytete apo në katunde, i vendosnin të sëmurët në sheshe dhe e lutnin t’ia preknin së paku kindin e petkut. Të gjithë ata që e preknin, shëroheshin.



Do të jetë vetëm prej sakrificës dhe vuajtjes, të ofruara si pendesë, që ju do të jeni në gjëndje, sipas hirit të Zotit, të ktheni mëkatarët.

-- Shën Gjon Vianney