Pages

Kush nuk është kundër nesh, është me ne - E Mërkurë 26 Shkurt 2014

Leximi i parë: Jakobi 4:13-17
Psalm: Psalm 49:2-3, 6-11
UNGJILLI: MARKU 9:38-40



Leximi i parë: Jakobi 4:13-17

Qortimi rreth vetëlavdërimit

13 Hë pra, ju që thoni: "Sot ose nesër do të shkojmë në këtë apo në atë qytet, do të kalojmë atje një vit, do të tregtojmë e do të fitojmë", 

14 ju që nuk dini as çka do të ndodhë nesër! Po çka është jeta juaj? Është avull që duket për një moment dhe zhduket menjëherë! 

15 Në vend që të thoni: "Në dashtë Zoti do të jetojmë dhe do të bëjmë këtë ose atë gjë!"

16 E tani mburreni me krenarinë tuaj. Çdo mburrje e tillë është punë e keqe. 

17 Kush, pra, di të bëjë mirë dhe nuk bën, - bën mëkat. 


Psalm: Psalm 49:2-3, 6-11

2 Dëgjoni këto, o popuj të gjithë,
dëgjoni të gjithë banorët e tokës:

3 vegjëli e bujarë,
të pasur e të vobektë së bashku:

6 Përse të trembem në ditë të këqija,
kur të më rrethojë paudhësia që më vë pritë?

7 Ata shpresojnë në pasuritë e veta
mburren me kamjen e madhe të veten.

8 E pra, njeriu s’është i zoti ta shpërblejë vetveten,
askush s’mund t’ia paguajë Hyjit shpërblimin:

9 çmimi i jetës është tepër i shtrenjtë
dhe askurrë nuk mund të paguhet,

10 që njeriu të jetojë gjithmonë
e të mos e shohë gropën e varrit.

11 Por do t’i shohë duke vdekur të dijshmit:
vdes i marri, vdes i patenzoni:
të tjerëve ua lënë pasuritë e veta!


UNGJILLI: MARKU 9:38-40

Kush nuk është kundër nesh, është me ne
(Lk 9, 49‑50)

38 Gjoni i tha:
“Mësues, pamë një njeri që i dëbonte djajtë në Emrin tënd. Ne ia ndaluam, sepse ai nuk na ndiqte.”

39 Jezusi i tha:
“Mos ia ndaloni! Sepse s’ka njeri që të mund të bëjë mbrekulli në Emrin Tim e menjëherë pastaj të flasë keq për Mua.  

40 Kush nuk është kundër nesh, është me ne.




Gjithkush argumenton në favor të virtytit që ai e praktikon me lehtësi, dhe i egzagjeron vështirësitë e virtyteve që janë në kundërshtim me atë.

-- Shën. Francis de Sales, ‘Dashuria e Zotit’