Pages

Po qe se kripa prishet...S’vlen më për asgjë...E Djelë 9 Shkurt 2014

Leximi i parë: Isaia 58:7-10
Psalm: Psalm 112:4-9
Leximi i dytë: 1 e Korintasve 2:1-5
UNGJILLI: MATEU 5:13-16


Leximi i parë: Isaia 58:7-10

7 A jo ta ndash bukën tënde me të uriturin,
t’i shtiesh në shtëpinë tënde skamnorët e të pastrehët?
Kur ta shohësh të zhveshurin, vishe
dhe mos e përbuz farefisin tënd.

8 Atëherë do të zbardhë porsi agimi drita jote,
shërimi yt do të vijë më shpejt;
para teje do të ecë drejtësia jote
e do të të përcjellë lavdia e Zotit.

9 Atëherë do të thërrasësh e Zoti do të të dëgjojë,
do ta thërrasësh e ai do të përgjigjet: “Këtu jam!”
Nëse do ta zhdukësh prej mesit tënd zgjedhën,
gishtin paditës dhe fjalën e keqe,

10 nëse do t’ia japësh kafshatën tënde të uriturit,
nëse do ta ngish të uriturin,
atëherë në errësirë do të shndritë drita jote,
terri yt do të jetë porsi mesdita.


Psalm: Psalm 112:4-9

4. Drita lind në terr për ata që janë të drejtë, për njeriun e dhemshur, të mëshirshëm dhe të drejtë.

5. Do të jetë i lumtur njeriu që ka dhemshuri dhe jep hua, dhe i drejton punët e tij me drejtësi,

6. sepse nuk do të lëvizet kurrë; i drejti do të kujtohet gjithnjë.

7. Ai nuk do t`u trëmbet lajmeve të këqia; zemra e tij është e fortë, me besim tek Zoti.

8. Zemra e tij është e sigurt; ai nuk do të ketë fare frikë, deri sa të mos shikojë triumfues mbi armiqtë e tij.

9. Ai ka shpërndarë lirisht, u ka dhënë nevojtarëve, drejtësia e tij vazhdon përjetë dhe fuqia e tij do të ngrihet në lavdi.


Leximi i dytë: 1 e Korintasve 2:1-5

1 Edhe vetë, o vëllezër, kur erdha në mesin tuaj, nuk erdha për t’ju kumtuar misterin e Hyjit me fjalë të larta e me urti të stërholluar, 

2 sepse nuk desha në mesin tuaj të di tjetër përveç Jezu Krishtit ‑ dhe Atë të kryqëzuar. 

3 Edhe vetë u paraqita në mes jush i ligshtë, me frikë e me tmerr të madh. 

4 Fjalët e mia e predikimi im nuk ishin (fjalime) të stërholluara që mbushin mendjen me fuqi të urtisë njerëzore, por ishin dëftim i Shpirtit Shenjt dhe i fuqisë, 

5 që feja juaj të mos themelohej në dijen e njerëzve, por në fuqinë e Hyjit.


UNGJILLI: MATEU 5:13-16

Kripa e tokës e drita e botës
(Mk 9, 50; Lk 14, 34‑35)

13 “Ju jeni kripa e tokës. Po qe se kripa prishet, me çka mund të kripet? S’vlen më për asgjë, përveçse të hidhet jashtë e ta shkelin njerëzit.

14 Ju jeni drita e botës. Nuk mund të fshihet qyteti i ngritur në majë të malit.

15 As nuk ndizet dritëza për ta vënë nën magje, por për ta vënë mbi pishtar për t’u bërë dritë të gjithëve në shtëpi. 

16 Ashtu të shndrisë edhe drita juaj para njerëzve, që t’i shohin veprat tuaja të mira e ta lëvdojnë Atin tuaj që është në qiell.”



O Zot, duke e parë se Ti je kaq i dashur pafundësisht, përse na ke dhënë ne vetëm një zemër për të dashur Ty, dhe këtë kaq të vogël dhe kaq të ngushtë?

-- Shën Filip Neri