Pages

Në saje të kësaj fjale, djalli doli prej vajzës tënde - E Enjte 13 Shkurt 2014

Leximi i parë: 1 i Mbretërve 11:4-13
Psalm: Psalm 106:3-4, 35-37, 40
UNGJILLI: MARKU 7:24-30


Leximi i parë: 1 i Mbretërve 11:4-13

4 Dhe kur Salomoni u plak, gratë e tij ia prishën zemrën dhe ai ndoqi hyjnitë e huaja dhe zemra e tij nuk i përkiste më plotësisht Zotit, Hyjit të tij, sikurse zemra e Davidit, babait të tij. 

5 Salomoni ndiqte Astartën, hyjneshën e sidonëve e Melkomin, idhullin e amonëve. 

6 Kështu Salomoni bëri çfarë nuk i pëlqente Zotit dhe nuk i ishte besnik Zotit, sikurse qe Davidi, baba i tij. 

7 Atëherë Salomoni i ndërtoi një lartësirë Kamosit, idhullit të moabitëve, në malin që është përballë Jerusalemit, dhe Melkomit, idhullit të bijve të Amonit. 

8 Kështu bëri edhe për të gjitha gratë e veta të huaja, të cilat u kushtonin kem dhe fli hyjnive të veta.

9 Prandaj edhe Zoti iu hidhërua Salomonit, sepse e largoi mendjen e vet prej Zotit, Hyjit të Izraelit, i cili iu dëftua dy herë 

10 dhe i kishte urdhëruar këtë: të mos i ndiqte hyjnitë e huaja. Por ai nuk zbatoi çka i kishte urdhëruar Zoti.

11 Kështu që edhe Zoti i tha Salomonit: “Pasi bëre kështu e nuk e mbajte Besëlidhjen Time as Urdhërimet e Mia që t’i dhashë, Unë do ta marr prej teje mbretërinë tënde e do t’ia jap një shërbëtori tënd. 

12 Megjithatë këtë s’do ta bëj për të gjallë tënd, për dashuri të Davidit, babait tënd; do ta marr prej duarve të djalit tënd. 

13 Por as prej tij s’do ta marr tërë mbretërinë, birit tënd do t’i jap vetëm një fis për shkak të shërbëtorit tim Davidit e për shkak të Jerusalemit që e kam zgjedhur”.


Psalm: Psalm 106:3-4, 35-37, 40

3 Lum ata që i mbajnë urdhërimet e tija
dhe veprojnë me drejtësi në çdo kohë.

4 Na kujto, o Zot, në mirësinë tënde ndaj popullit tënd,
eja e na shih me shëlbimin tënd,

35 por u përzien me paganë
dhe i mësuan veprat e tyre.

36 U shërbyen idhujve të tyre
dhe këta u bënë kurth për ta.

37 I flijuan djemtë e vet
e vajzat e veta djajve.

40 Flakë u ndez Zoti me hidhërim kundër popullit të vet
iu ndy ndër sy trashëgimi i vet.


UNGJILLI: MARKU 7:24-30

Feja e gruas sirofenikase
(Mt, 15, 21‑28)

24 Jezusi u çua prej andej e shkoi në krahinën e Tirit. Hyri në një shtëpi e dëshironte të mos e dijë kush, por nuk mundi të mbetej i fshehur. 

25 Sepse menjëherë e mori vesh një grua, vajza e së cilës kishte në trup shpirtin e ndyrë. Ajo erdhi dhe u hodh para këmbëve të tij. 

26 Gruaja ishte pagane me prejardhje sirofenikase. I lutej ta dëbonte djallin prej vajzës së saj. 

27 Ai i tha:
“Prit njëherë të ngihen fëmijët, sepse nuk është mirë të merret buka e fëmijëve e t’u hidhet këlyshëve.”

28 Ajo u përgjigj:
Po, Zotëri! Por, edhe këlyshët hanë nën tryezë thërmijat e fëmijëve!”

29 Ai iu përgjigj:
“Shko lirisht në shtëpi se, në saje të kësaj fjale, djalli doli prej vajzës tënde!”

30 Ajo shkoi në shtëpi dhe e gjeti fëmijën në shtrojë. Djalli kishte dalë.



Nëse ne dëshirojmë të bëjmë përparime në shërbim të Zotit, ne duhet ta fillojmë çdo ditë të jetës sonë me një zell të ri. Ne duhet ta mbajmë veten në praninë e Zotit sa më shumë të jetë e mundur dhe të mos kemi asnjë mendim tjetër apo përfundim të të gjitha veprimet tona përveç se nderimin hyjnor.

-- Shën Charles Borromeo