Pages

Ata shkuan dhe u predikuan njerëzve kthimin tek Hyji - E Enjte 6 Shkurt 2014

Leximi i parë: 1 i Mbretërve 2:1-4, 10-12
Psalm: 1 i Kronikave 29:10-12
UNGJILLI: MARKU 6:7-13


Leximi i parë: 1 i Mbretërve 2:1-4, 10-12

1 Kur iu afrua dita e vdekjes, Davidi i urdhëroi birit të vet Salomonit. I tha: 

2 “Unë po nisem për rrugën që do ta bëjnë të gjithë njerëzit mbi tokë. Ji i fortë dhe ji njeri! 

3 Mbaji urdhërimet e Zotit, Hyjit tënd! Ec udhëve të tija! Mbaji ligjet e tija, urdhërimet e tija, porositë dhe dëshmitë ashtu siç shkruan në Ligjin e Moisiut që të të shkojë mbarë gjithçka të ndërmarrësh, kudo që të sillesh, 

4 që Zoti ta çojë në vend fjalën që e ka folur kur m’u zotua: ‘Nëse bijtë e tu në jetën e tyre do të kujdesen që të ecin në praninë time me besnikëri me gjithë mend e zemër, mbi fronin e Izraelit do të rrijë gjithmonë njëri prej pasardhësve të tu’.

10 Kështu, pra, Davidi pushoi me etërit e vet dhe qe varrosur në Qytetin e Davidit. 

11 Mbretërimi i Davidit mbi Izraelin zgjati dyzet vjet: në Hebron mbretëroi shtatë vjet, kurse në Jerusalem tridhjetë e tri vjet.

12 Salomoni ndenji në fronin e Davidit, babait të vet, dhe mbretëria e tij erdhi e u forcua shumë.


Psalm: 1 i Kronikave 29:10-12

10Pastaj Davidi e bekoi Zotin para mbarë bashkësisë dhe tha: 
“I bekuar je, o Zot, Hyji i Izraelit, atit tonë, prej amshimit e në amshim!

11 Ty, o Zot, të përket madhëria e pushtetit,
lavdia, shkëlqimi dhe lartëmadhëria!
Sepse gjithçka në qiell e në tokë, janë të tuat!
Ty, o Zot, të përket mbretëria,
ti lartësohesh si kokën përmbi çdo gjë!

12 Prej teje vjen pasuria dhe lavdia,
ti zotëron me gjithçka!
Në dorën tënde fuqia dhe pushteti.
Ti mund të bësh gjithçka të madhërishme e të qëndrueshme!


UNGJILLI: MARKU 6:7-13

Dërgimi i të Dymbëdhjetëve
(Mt 10. 1. 5‑15; Lk 9, 1‑6)

Kështu doli e mësonte nëpër fshatra përreth.

7 Atëherë i thirri të Dymbëdhjetët e nisi t’i dërgojë dy nga dy dhe u dha pushtet mbi shpirtrat e ndytë. 

8 U urdhëroi të mos marrin në udhëtim asgjë tjetër, përveç shkopit: as bukë, as strajcë, as para bakri në brez, 

9 por të mbathin vetëm sandalet e të mos veshin dy palë petka.

10 Dhe u thoshte:
“Kudo që të hyni në ndonjë shtëpi, rrini aty derisa të largoheni nga ai vend. 

11Po qe se ndokund nuk ju pranojnë dhe nuk ju dëgjojnë, dilni dhe shkundni pluhurin nga këmbët tuaja si dëshmi kundër tyre.”

12 Ata shkuan dhe u predikuan njerëzve kthimin tek Hyji. 

13 Dëbonin shumë djaj, lyenin me vaj shumë të sëmurë dhe i shëronin.




Kushdo që ju kërkon njerëzve të tjerë të bëjnë gjënë e duhur, por që jep një shëmbull të keq duke vepruar në mënyrë të kundërt, është si një endës që e thur fillin shpejt me një dorë dhe që e shthur fillin po aq shpejt me dorën tjetër.

-- Shën. Tomas More