Pages

Ju lini pas dore urdhërimin e Hyjit e mbani traditat e njerëzve - E Martë 11 Shkurt 2014

Leximi i parë: 1 i Mbretërve 8:22-23, 27-30
Psalm: Psalm 84:3-5, 10-11
UNGJILLI: MARKU 7:1-13


Leximi i parë: 1 i Mbretërve 8:22-23, 27-30

Lutja personale e Salomonit

22 Salomoni qëndroi para lterit të Zotit në praninë e mbarë bashkësisë së Izraelit, i shtriu duart e tija drejt qiellit 

23 dhe tha: “O Zot, Hyji i Izraelit! Nuk ka Hyj të ngjashëm me ty as lart në qiell, as poshtë mbi tokë! Ti e mban besë‑lidhjen dhe e ruan mëshirën për shërbëtorët e tu që ecin në praninë tënde me gjithë zemër. 

27 Dhe njëmend, a mund të merret me mend se Hyji banon mbi tokë me të vërtetë? Qielli vetë e qiejt e qiejve ty nuk mund të të zënë! Aq më pak kjo Shtëpi që unë ta ndërtova! 

28 Por, deh, vëri veshin lutjes së shërbëtorit tënd dhe lutjeve të tija, o Zot, Hyji im! Dëgjo britmën dhe lutjen që shërbëtori yt po e drejton sot para teje! 

29 Le të jenë natë e ditë sytë e tu të çelur mbi këtë Shtëpi, mbi vendin, për të cilin the: ‘Këtu do të jetë Emri im’! Dëgjoje lutjen që po ta bën shërbëtori yt në këtë vend”!

Psalm: Psalm 84:3-5, 10-11

3 Shpirti im shkrihet e meket
për pallatet e Zotit.
Zemra ime e trupi im
i brohoritin Hyjit të gjallë.

4 Edhe trumcaku e gjen bunin e vet
edhe turtulli çerdhen e vet
ku i vë zogjtë e vet:
e unë lterët e tu, o Zoti i ushtrive,
Mbreti im e Hyji im!

5 Lum ata që banojnë në shtëpinë tënde:
do të të lavdërojnë për amshim.

10 Shiko, o Hyj, Mbrojtësi ynë,
shikoje fytyrën e të shuguruarit tënd!

11 Vërtet, më e mirë është një ditë në Shtëpinë tënde
se të tjera me mijëra!
Parapëlqej të qëndroj te pragu i Shtëpisë së Hyjit tim,
më tepër se të banoj në tendat e mëkatarëve.


UNGJILLI: MARKU 7:1-13

1 Rreth Jezusit u bashkuan farisenjtë dhe disa skribë që kishin ardhur nga Jerusalemi. 

2 Ata vunë re se disa prej nxënësve të tij po hanin bukë me duar “të papastra” – d.m.th. të palara.

3 Tashti farisenjtë dhe mbarë hebrenjtë nuk hanë bukë pa i larë duart deri në bërryl për arsye të zakoneve të të parëve. 

4 As kur kthehen nga tregu nuk hanë gjë pa u larë më parë. Janë edhe shumë gjëra të tjera që i mbajnë për shkak të traditës: larje gotash, katrovash e enësh remi (tryezash).

5 Prandaj farisenjtë dhe skribët e pyetën Jezusin:
“Pse nxënësit e tu nuk i mbajnë traditat e të parëve, por hanë bukë me duar “të papastra”?”

6 Ai u përgjigj:
“Mirë parafoli për ju, o shtiracakë, Isaia, kur shkroi:
‘Ky popull më nderon me buzë,
kurse zemra e tyre është larg meje.

7 I kotë është kulti që më bëjnë,
kur mësojnë gjasme mësimin e Hyjit
‑ rregulloret që i qitën njerëzit.’

8 Ju lini pas dore urdhërimin e Hyjit e mbani traditat e njerëzve.”

9 Dhe u tha:
“Bukur se! Zhbëni urdhërimin e Hyjit, për të ruajtur traditën tuaj! 

10 E pra, Moisiu tha:
‘Ndero babain tënd dhe nënën tënde!’
dhe:
‘Kush ta nëmë babain dhe nënën, le të ndëshkohet me vdekje!’

11 E ju përkundrazi thoni:
‘Nëse ndokush i thotë babait ose nënës: po e shpall kurban ‑ d.m.th. ‑ dhuratë të shenjtë ‑ ndihmën që ju takon prej meje’, 

12 atë nuk e lejoni t’i ndihmojë më babait dhe nënës. 

13 Kështu zhbëni Fjalën e Hyjit për hir të traditës suaj, që ju vetë e bëtë traditë për vete. E bëni edhe shumë punë të tilla të ngjashme me këto.”




Ne nuk duhet të mërzitemi nëse përgjigja e lutjes sonë është vonuar gjatë. Por për këtë arsye le të tregojmë durim të madh dhe pranim. Sepse Ai e vonon për këtë arsye: që ne të mund t'i ofrojmë Atij një mundësi të përshtatshme për të na nderuar me Ndërhyrjen e Tij Hyjnore. Megjithatë, nëse ne e marrim apo jo çfarë kërkojmë, le të vazhdojmë të qëndrojmë të palëkundur në lutje. Sepse të dështojmë në marrjen e dëshirave të zemrës sonë, kur Zoti po aq e dëshiron atë, nuk është më keq se sa ta marrësh atë; sepse ne nuk e dimë si Ai e di se çfarë është e përshtatshme për ne.



-- Shën Gjon Krisostom