Pages

Shërimi i të verbërit prej Betsaidës - E Mërkurë 19 Shkurt 2014

Leximi i parë: Jakobi 1:19-27
Psalm: Psalm 15:2-5
UNGJILLI: MARKU 8:22-26


Leximi i parë: Jakobi 1:19-27

Të dëgjohet dhe të zbatohet fjala

19 Dijeni mirë, vëllezërit e mi të dashur, këtë gjë: çdo njeri le të jetë i shpejtë për të dëgjuar, i ngadalshëm për të folur dhe i ngadalshëm për zemërim. 

20 Sepse zemërimi i njeriut nuk e kryen drejtësinë e Hyjit. 

21 Prandaj, flakni tej çdo ndyrësi dhe çdo të keqe tjetër e me plot butësi pranoni fjalën e mbjellë në ju, e cila është e aftë t’i shpëtojë shpritrat tuaj.

22 Bëhuni zbatues të fjalës e jo vetëm dëgjues që gënjejnë vetveten. 

23 Sepse, në qoftë se dikush e dëgjon fjalën, por nuk e zbaton, ai i përngjan njeriut që e shikon fytyrën e vet në pasqyrë: 

24 e pa veten, shkoi e menjëherë harroi se si qe. 

25 Ndërsa ai që e vëren ligjin e përsosur - atë të lirisë – e, në qoftë se i përvishet jo thjesht si dëgjues i habitur, por si zbatues i veprës, ky do ta gjejë lumturinë e vet në ushtrimin e tij.

26 Në qoftë se ndokush e mban veten për besimtar e nuk i vë fre gjuhës së vet, por e gënjen zemrën e vet, besimi i tij është i kotë. 

27 Besimi i pastër dhe i patëmetë para Hyjit Atë është ky: kujdesi për jetimët dhe për gra të veja në vështirësitë e tyre dhe ruajtja e pastër e vetvetes nga kjo botë.


Psalm: Psalm 15:2-5

2 Vetëm ai që jeton me nder,
që vepron me drejtësi
e prej zemrës flet të vërtetën,

3 që s’i shpifet kujt me fjalë,
që të afërmin s’e dëmton,
që shokun nuk e çnderon:

4 ai që keqbërësin e mban për asgjë
e i çmon ata që e druajnë Zotin,
ai që i përbehet dashamirit të vet
dhe ia mban fjalën,

5 nuk jep të holla me kamatë
e nuk merr ryshfet kundër të pafajshmit.
Kush vepron kështu
kurrë e për këtë jetë nuk do të luhatet.


UNGJILLI: MARKU 8:22-26

Shërimi i të verbërit prej Betsaidës

22 Dhe arritën në Betsaidë. Aty i sollën një të verbër dhe iu lutën ta prekte. 

23 Ai e mori për dore të verbërin, e nxorri jashtë fshatit, i pështyu në sy, vuri duart mbi të dhe i tha: “A sheh gjë?”

24 Ai i hapi sytë dhe tha:
Po shoh njerëz... më duken si drurë... ecin.”

25 Pastaj Jezusi prapë i vuri duart mbi sytë e të verbërit. I verbëri pa qartë. U shërua. Shihte mirë, gjithçka. 

26 Jezusi e nisi të shkojë në shtëpi e i tha: “Mos hyr assesi në fshat!”




Me ata që janë të përkryer dhe që ecin me thjeshtësi, nuk ka asgjë të vogël dhe të pahijshme, nëse ajo është një gjë që e kënaq Zotin; sepse kënaqësia e Zotit është i vetmi objekt tek i cili ata synojnë, dhe që është arsyeja, vlerësimi dhe shpërblimi i të gjitha punëve, veprimeve dhe planeve të tyre; dhe prandaj, në gjithçka që ata e gjejnë këtë, ajo është për ta një gjë e madhe dhe e rëndësishme.

-- Shën. Alfonsus Rodriguez