Pages

Me sy në ballë e nuk shihni.... - E Martë 18 Shkurt 2014

Leximi i parë: Jakobi 1:12-18
Psalm: Psalm 94:12-15, 18-19
UNGJILLI: MARKU 8:14-21


Leximi i parë: Jakobi 1:12-18

Prova dhe tundimi

12 Lum ai njeri që pëson tundim, sepse, pasi t’i qëndrojë provës, do të fitojë kurorën e jetës të premtuar atyre që e duan Hyjin. 

13 Askush që është i tunduar të mos thotë: »Hyji më tundon«, sepse Hyji nuk mund të jetë i tunduar për të keq dhe Ai nuk tundon askënd.

14 Por secili tundohet nga lakmimi i vet, i prirur dhe i ngashnjyer. 

15 Lakmimi pastaj i mbarsur, lind mëkatin, dhe mëkati, si të kryhet, lind vdekjen.

16 Mos u tradhtoni, vëllezërit e mi të dashur: 

17 Çdo dhuratë e mirë dhe çdo dhunti e përsosur është prej së larti, zbret nga Ati i dritës, në të cilin nuk ka ndërrim as hije dyshimi. 

18 Ai na lindi në saje të vullnetit të vet nëpër fjalën e së vërtetës, që ne të jemi një farë fryti i parë i krijesave të tij.


Psalm: Psalm 94:12-15, 18-19

12 Lum ai njeri që ti e mëson, o Zot,
të cilit ti ia mëson Ligjin tënd,

13 për t’i dhënë paqe në ditë fatzeza
ndërkohë që keqbërësit t’i hapet gropa.

14 Sepse Zoti nuk e përbuz popullin e vet,
as s’do të heqë dorë nga prona e vet,

15 sepse e drejta do t’i jepet drejtësisë
e pas saj do të shkojnë të gjithë zemërmirët.

18 Kur unë kujtoja: “Më rrëshqiti këmba!”,
dashuria jote, o Zot, ma ngjiti dorën!

19 Kur në shpirtin tim grumbullohen vështirësitë,
ngushëllimet e tua ma gëzojnë zemrën.



UNGJILLI: MARKU 8:14-21

Tharmi i farisenjve dhe i Herodit
(Mt 16, 5‑12)

14 Nxënësit harruan të marrin bukë. Me vete në barkë kishin vetëm një bukë.

15 Atëherë Jezusi u dha këtë porosi: “Dëgjoni: ruajuni prej tharmit të farisenjve e prej tharmit të Herodit!” 

16 Ata i thoshin njëri‑tjetrit: “Nuk kemi bukë!” 

17Jezusi e hetoi atë gjë e u tha:
“Përse po shqetësoheni pse s’keni bukë? Po, a ende nuk po kuptoni e nuk po merrni vesh? Po aq pak mend paskeni?

18 ‘Me sy në ballë e nuk shihni,
me veshë në kokë e nuk dëgjoni?’
Po a nuk po ju kujtohet 

19 se kur i ndava pesë bukë për pesë mijë vetë, sa shporta plot me copa mblodhët?” Ata iu përgjigjën: “Dymbëdhjetë!”

20 “E kur ndava shtatë bukë për katër mijë vetë, sa shporta plot me copa mblodhët?”
“Shtatë!” ‑ iu përgjigjën.

21 “Dhe ende nuk po kuptoni?! ‑ u tha.




Fjalët e Zotit tonë na mësojnë se edhe pse ne kalojmë mes shumë trazirave në këtë botë, ne duhet të kemi vetëm një qëllim. Se ne jemi veçse udhëtarë pa asnjë banesë të përhershme; ne jemi në udhën tonë, dhe prapë nuk jemi në tokën tonë; ne jemi në gjëndjen e dëshirës, dhe jo të kënaqësisë. A dëshironi të dini se çfarë do të kemi ne atje? Vetë Zoti na tregon kur Ai flet për shërbëtorët e Tij, Amin, Unë ju them, se ai do t'i bëj ata të rehatohen dhe Ai do t'ju shërbej atyre.

-- Shën Agustini