Pages

Kurrë mos u betoni; as me Qiell, sepse ai është froni i Hyjit - E Shtunë 16 Shkurt 2014

Psalm: Psalm 119:1-2, 4-5, 17-18, 33-34
Leximi i dytë: 1 e Korintasve 2:6-10
UNGJILLI: MATEU 5:17-37


Psalm: Psalm 119:1-2, 4-5, 17-18, 33-34

1 ALELUJA!
Lum njeriu me sjellje të pastër,
që ecën në Ligjin e Zotit!

2 Lum kush i mban dëshmitë e tija,
që e kërkon me gjithë zemër.

4 Ti i shpalle urdhërimet e tua
që të mbahen përpikërisht.

5 Oh, sikur të ishin të drejta udhët e mia
për t’i zbatuar rregulloret e tua!

17 Bëja këtë të mirë shërbëtorit tënd:
që të jetoj e ta mbaj fjalën tënde.

18 M’i hap sytë të shikoj
mrekullitë e ligjit tënd.

33 Ma trego, o Zot, udhën e ligjeve të tua,
dhe unë do ta mbaj gjithmonë.

34 Më jep kuptim që ta mbaj Ligjin tënd
e do ta zbatoj me gjithë zemrën time.

Leximi i dytë: 1 e Korintasve 2:6-10

Zbulimi i Shpirtit Shenjt

6 Ne, në të vërtetë, shpallim dijen në mes të të përsosurve, por jo dijen e këtij shekulli, as të princave të kësaj bote të gjykuar për dënim, 

por predikojmë dijen e Hyjit të fshehur në mister, atë që Hyji e kishte paracaktuar para shekujve për lumturinë tonë, 

8 atë që asnjë nga princat e kësaj bote nuk mundi ta njohë; sepse, po ta kishin njohur, nuk do ta kishin kryqëzuar Zotin e lavdisë. 

9 Por, siç thotë Shkrimi i shenjtë:
‘Çka syri nuk pa e veshi nuk dëgjoi
dhe në zemër të njeriut nuk hyri,
atë ua bëri Hyji gati atyre që e duan.’

10 Hyji na e zbuloi këtë të vërtetë me anë të Shpirtit Shenjt: sepse Shpirti Shenjt depërton në gjithçka, edhe në vetë thellësinë e natyrës hyjnore. 


UNGJILLI: MATEU 5:17-37

Qëndrimi i Jezusit ndaj Besëlidhjes së Vjetër

17 “Mos t’ju shkojë ndër mend se erdha për ta shlyer Ligjin ose Profetët! Jo, s’erdha të shlyej, por të përkryej. 

18 Për të vërtetë po ju them: derisa të jetë qielli e toka, asnjë germë dhe asnjë presje nuk do t’i hiqet Ligjit, por do të zbatohen të gjitha.

19 Prandaj, kushdo që do ta shlyejë njërin ndër këta urdhra, qoftë edhe më të voglin, dhe do t’i mësojë njerëzit të bëjnë ashtu, do të jetë më i vogli në Mbretërinë e qiellit; ndërsa ai që do t’i mbajë dhe do t’i mësojë, do të jetë i madh në Mbretërinë e qiellit.

20 Sepse, unë po ju them: nëse drejtësia juaj nuk do të jetë më e madhe se drejtësia e skribëve dhe e farisenjve, nuk do të hyni në Mbretërinë e qiellit.”

Zemërimi

21 “Keni dëgjuar se u qe thënë të vjetërve: ‘Mos vra!’ Kush vret do të jetë përgjegjës para gjyqit.

22 E unë po ju them: Kushdo zemërohet kundër vëllait të vet, do të jetë përgjegjës para gjyqit; e kush t’i thotë vëllait të vet: ‘Budalla’, do të jetë përgjegjës para Sinedrit; kush t’i thotë: ‘I marrë’, do të përgjigjet në zjarrin e ferrit.

23 Pra, nëse e sjell dhuratën tënde për ta kushtuar në lter e aty të bie në mend se yt vëlla ka diçka kundër teje, 

24 lëre dhuratën tënde aty para lterit, shko e pajtohu më parë me vëllain tënd e pastaj eja e kushtoje dhuratën tënde!

25 Rregullohu shpejt me kundështarin tënd sa të jesh ende në udhëtim me të, që kundërshtari të mos të të dorëzojë te gjykatësi e ky te rojtari i gjyqit, që të mos të ndryejnë në burg. 

26 Për të vërtetë po të them: s’do të dalësh prej andej para se ta paguash edhe paranë më të fundit.”

Mësimi mbi kurorëthyerjen

27 “Keni dëgjuar se qe thënë: ‘Mos e the kurorën!’ 

28 E unë po ju them: kushdo që me dëshirim e shikon një grua, në zemrën e vet e ka bërë fëlligështinë me të. 

29 Nëse syri yt i djathtë të çon në mëkat, nxirre e flake larg teje! Është më mirë për ty të humbasësh njërën nga gjymtyrët e tua, se i tërë trupi yt të hidhet në ferr. 

30 E nëse dora jote e djathtë të çon në mëkat, preje e hidhe larg teje! Është më mirë për ty të humbasësh një gjymtyrë se i tërë trupi yt të hidhet në ferr.”

Mësimi mbi divorcin
(Mt 19, 9; Mk 10, 11‑12; Lk 16, 18)

31 “Qe thënë edhe: Kush e ndan gruan e vet, le t’ia japë letrën e ndarjes.’ 

32 E unë po ju them: kushdo e ndan gruan e vet ‑ përveçse në rastin e fëlligështisë ‑ e bën atë të thyejë kurorën; e nëse ndokush martohet me gruan e ndarë, then kurorën.”

Mësimi mbi betimin

33 “Keni dëgjuar gjithashtu se u qe thënë të vjetërve: ‘Mos e the betimin, por zbato çka i ke premtuar Zotit me betim!’ 

34 E unë po ju them: kurrë mos u betoni; as me Qiell, sepse ai është froni i Hyjit, 

35 as me Tokë, sepse ajo është shtroja e këmbëve të tij as me Jerusalem, sepse ai është qyteti i Mbretit të madh. 

36 Mos bëj be as në kokën tënde, sepse nuk je i zoti as një fije floku ta bësh të bardhë ose të zezë. 

37 Fjala juaj le të jetë: Po, po; jo, jo! Çkado që është më tepër se kaq, vjen prej Qoftëlargut.”




Po të ishte një iluzion (si e besoni ju) që na tregon se shpirti është i pavdekshëm, dhe se ka një gjykim pas vdekjes dhe një shpërblim të virtytit në ringjallje, dhe se Zoti është Gjykatësi, ne me kënaqësi do të jetonim me një gënjeshtër të tillë si kjo, e cila na ka mësuar të bëjmë jetë të mirë duke pritur shpresën e të ardhmes madje edhe kur kalojmë vështirësi.

-- Shën Apollonius