Pages

Ky po bën të dëgjojnë të shurdhërit e të flasin memecët! - E Premte 14 Shkurt 2014

Leximi i parë: 1 i Mbretërve 11:29-32; 12:19
Psalm: Psalm 81:10-15
UNGJILLI: MARKU 7:31-37


Leximi i parë: 1 i Mbretërve 11:29-32; 12:19

29 E ndodhi që asohere Jeroboamin, dalë nga Jerusalemi, ta takojë në rrugë Ahia profetin, prej Silos. Ahia ishte mbështjellë me mantel të ri. Ishin të dy vetëm në fushë. 

30 Ahia mori leshnikun e vet të ri, me të cilin ishte i mbështjellë, e shqeu në dymbëdhjetë pjesë 

31 e i tha Jeroboamit:
“Merri dhjetë pjesë, sepse kështu thotë Zoti, Hyji i Izraelit’: Ja, unë do ta heq prej dorës së Salomonit mbretërinë e do të t’i jap ty dhjetë fise. 

32 Atij do t’i lë vetëm një fis për shkak të Davidit, shërbëtorit tim, e për shkak të qytetit të Jerusalemit që, prej të gjitha fiseve të Izraelit e zgjodha për vete.

19 Kështu Izraeli u nda prej shtëpisë së Davidit deri në ditën e sotme.


Psalm: Psalm 81:10-15

10 Pranë teje tjetër zot të mos kesh,
zot të huaj mos adhuro!

11 Sepse unë Zoti jam Hyji yt,
unë që të nxora nga dheu i Egjiptit,
hape gojën tënde se dua ta mbush!

12 Por populli im s’e dëgjoi zërin tim,
Izraeli nuk qe në kujdes për mua.

13 Prandaj i lashë në ngurtësinë e zemrës së tyre,
le të jetojnë si u pëlqen atyre.

14 Po, sikur të më dëgjonte mua populli im,
sikur të ecte Izraeli udhëve të mia,

15 po, atëherë shpejt do t’i përulja armiqtë e tij,
do ta rëndoja dorën mbi kundërshtarët e tij.


UNGJILLI: MARKU 7:31-37

Shërimi i një shurdhamani belbacuk

31 Pastaj doli prapë nga krahina e Tirit, e nëpër Sidon, erdhi drejt detit të Galilesë në krahinat e Dekapolit.

32 I sollën një shurdhaman që mezi fliste dhe iu lutën ta vërë dorën mbi të. 

33 Ai e ndau prej popullit veçmas, ia futi gishtërinjtë e vet në veshë, me pështymë të vet ia preku gjuhën, 

34 i drejtoi sytë kah qielli, psherëtiu dhe i tha: “Effatha ‑ që do të thotë: “Çelu!” 

35 E menjëherë iu çelën veshët e iu zgjidh pengesa e gjuhës dhe foli rrjedhshëm.

36 Jezusi u urdhëroi të mos i tregojnë askujt. Por, sa më tepër që ai ua ndalonte, ata aq më tepër e shpallnin. 

37 Të mrekulluar mbi çdo masë thoshin:
“Gjithçka bëri mirë!”
“Ky po bën të dëgjojnë të shurdhërit e të flasin memecët!”



Ata që vdesin, vdesin prej vetë neglizhencës së tyre.

-- Shën Ambrose