Pages

Ti je Pjetër‑Shkëmb dhe mbi këtë shkëmb unë do ta ndërtoj Kishën Time - E Shtunë 22 Shkurt 2014

Froni i Shën Pjetrit, Apostull (Festa)

Leximi i parë: 1 e Pjetrit 5:1-4
Psalm: Psalm 23:1-6
UGJILLI: MATEU 16:13-19


Leximi i parë: 1 e Pjetrit 5:1-4

1 Eprorëve, pra, që janë tek ju u jap vërejtje unë, epror edhe vetë bashkë me ta, dëshmitar i mundimeve të Krishtit dhe pjesëtar i Lavdisë që do të zbulohet: 

2 ruajeni grigjën e Hyjit që ju është lënë në kujdes, mbikëqyreni jo përdhuni, por vullnetarisht, si do Hyji; jo për hir të fitesës së ndytë, por me shpirt gatishmërie, 

3 jo si zotërues mbi ata që ju janë besuar, por si shembull i grigjës. 

4 E kur të shfaqet Kryebariu, do të merrni kurorën e lavdisë, që kurrë nuk vyshket.

Psalm: Psalm 23:1-6

Bariu i mirë

1 Psalm. I Davidit.
Zoti është bariu im,
asgjë nuk më mungon.

2 Më pushon kullotave të gjelbra,
më prin në ujëra të qeta,

3 shpirtin ma përtërin.
Ai më prin shtigjeve të drejta
në saje të dashurisë së Emrit të vet.

4 Po edhe në kalofsha nëpër luginën e hijes së vdekjes,
s’trembem nga e keqja
sepse ti je me mua:
thupra jote dhe kërraba
për mua janë ngushëllim.

5 Ti ma shtron tryezën përpara
ndër sy të armiqve të mi,
me vaj erëmirë kokën ma lyen,
gotën ma mbush plot e përplot.

6 Hiri dhe mirësia do të më përcjellin
në të gjitha ditët e jetës sime,
do të banoj në shtëpinë e Zotit
derisa të jem gjallë.

UGJILLI: MATEU 16:13-19

Dëshmimi i Pjetrit mbi Jezusin
(Mk 8, 27‑30; Lk 9, 18‑21)

13 “Kur Jezusi arriti në krahinën e Cezaresë së Filipit, i pyeti nxënësit e vet:
“Ç’thonë njerëzit, kush është Biri i njeriut?”

14 Ata u përgjigjën:
“Disa thonë se është Gjon Pagëzuesi; disa të tjerë Elia; do të tjerë Jeremia ose një ndër profetët.”

15 Po ju ‑ u tha atyre ‑ ç’thoni: kush jam unë?”

16 Iu përgjigj Simon Pjetri:
Ti je Mesia ‑ Biri i Hyjit të gjallë!”

17 Atëherë Jezusi i tha:
I lumi ti, o Simon, biri i Jonës, sepse këtë nuk ta zbuloi mishi e gjaku, por Ati im që është në qiell! 

18 Edhe unë po të them: Ti je Pjetër‑Shkëmb dhe mbi këtë shkëmb unë do ta ndërtoj Kishën Time dhe dyert e ferrit s’do të ngadhënjejnë kundër saj!

19 Ty do të t’i jap çelësat e Mbretërisë së qiellit: gjithçka të lidhësh mbi tokë, do të jetë e lidhur edhe në qiell e gjithçka të zgjidhësh mbi tokë, do të jetë e zgjidhur edhe në qiell.”



Kushdo që angazhohet me punën për Krishtin nuk mund të presi të ketë një moment të lirë, sepse madje të pushoj nuk do të thotë të mos bëj asgjë: ajo është të qetësohet me veprimet që kërkojnë më pak mundim.

-- Shën. Jose Maria Escriva