Pages

Mbretëria e Hyjit është porsi kur njeriu e hedh farën në dhe - E Premte 31 Janar 2014

Leximi i parë: 2 i Samuelit 11:1-10, 13-17
Psalm: Psalm 51:3-7, 10-11
UNGJILLI: MARKU 4:26-34


Leximi i parë: 2 i Samuelit 11:1-10, 13-17

1 Tani, në kthim të vitit, në kohën kur mbretërit e kanë zakon të dalin në luftë, Davidi e dërgoi Joabin me shërbëtorët e vet e me mbarë Izraelin dhe këta shkretëtuan mbarë vendin e bijve të Amonit dhe e rrethuan Rabën. Davidi qëndroi në Jerusalem.

2 Një mbrëmje Davidi u çua prej shtratit e po shëtiste në tarracë të shtëpisë mbretërore. Nga tarraca pa një grua tek po lahej: e ishte shumë e bukur. 

Davidi dërgoi për të marrë hetime se kush ishte ajo grua. I treguan se ajo ishte Betsabeja, e bija e Eliamit, gruaja e Uri Heteut. 

4 Atëherë Davidi dërgoi lajmëtarë për ta sjellë. Kur erdhi ajo te Davidi, Davidi ra me të, që posa ishte shenjtëruar prej papastrisë së saj. 

5 Pastaj u kthye në shtëpi të vet.
Gruaja mbeti shtatzënë. Dërgoi për ta lajmëruar Davidin e tha: “Ngjiza”!

6 Davidi dërgoi njerëz te Joabi e i tha: “Dërgoje tek unë Uri Heteun”. Joabi e dërgoi te Davidi Urin. 

7 Uri erdhi te Davidi. Davidi e pyeti si ishte Joabi e ushtria dhe si shkonin punët e luftës. 

8 Atëherë Davidi i tha Urit: “Zbrit në shtëpinë tënde e laji këmbët e tua”. Uri doli prej pallatit të mbretit dhe i qe dërguar pas tij haje prej tryezës së mbretit. 

9 Porse Uri fjeti para derës së pallatit mbretëror me shërbëtorët e tjerë të zotërisë së vet dhe nuk shkoi në shtëpi të vet.

10 Erdhën dhe e lajmëruan Davidin: “Uri nuk shkoi në shtëpinë e vet”. Atëherë Davidi i tha Urit: “Ndoshta nuk erdhe prej udhëtimit? Pse nuk shkove në shtëpinë tënde?” 

13 Sepse Davidi e grishi të hajë e të pijë me të dhe e dehu. Ky, pasi doli në mbrëmje, shkoi e fjeti në shtratin e vet me shërbëtorët e zotërisë së vet, por në shtëpinë e vet nuk dëgjoi të zbresë.

14 Në mëngjes Davidi i shkroi një letër Joabit dhe ia dërgoi për Urin. 

15 Në letër shkruante: “Vëreni Urin në vijën e parë, kur të jetë përleshja më e tmerrshme dhe tërhiquni prej tij që të goditet e të vdesë”. 

16 Kështu, pra, kur Joabi e rrethoi qytetin e vuri Urin aty ku e dinte se trimat ishin më të fortë. 

17 Kur qytetarët dolën prej qytetit e po përlesheshin me Joabin, ranë disa prej popullit, prej ushtarëve të Davidit dhe mbeti i vrarë edhe Uri Heteu.


Psalm: Psalm 51:3-7, 10-11

3 Ki mëshirë për mua, o Hyj, sipas mëshirës sate,
pashë mirësinë tënde shlyeje mëkatin tim!

4 Më laj krejtësisht prej mëkatit tim
e më pastro prej fajit tim!

5 Sepse e pranoj paudhësinë time:
mëkatin tim përherë e kam para sysh.

6 Ty, vetëm ty të kam rënë në faj
dhe kam bërë ç’është keq para teje,
prandaj je i drejtë sado të më ndëshkosh,
dhe i paanshëm në dënimin tënd.

7 Ja, mëkatar unë linda,
madje në mëkate nëna ime më ngjizi,

10 Bëj ta ndiej zërin e haresë e të gëzimit
dhe do të gëzohen eshtrat e thërmuara.

11 Largoje shikimin tënd prej mëkateve të mia,
e resiti të gjitha fajet e mia.


UNGJILLI: MARKU 4:26-34

Shëmbëlltyra e farës që rritet vetvetiu

26 Dhe vazhdoi:
“Mbretëria e Hyjit është porsi kur njeriu e hedh farën në dhe. 

27 Si të flejë si të rrijë zgjuar natë e ditë, fara mbin, rritet ‑ pa ditur ai se si. 

28 Toka vetvetiu qet bimën; më parë kërcyllin, pastaj kallirin e në fund kallirin plot kokrra. 

29 E posa fryti piqet, i vë draprin, sepse është koha e korrjes.”

Shëmbëlltyra e farës së sinapit
(Mt 13, 31‑32; Lk 13, 18‑19)

30 Dhe thoshte:
“Me çka ta krahasojmë Mbretërinë e Hyjit? Ose me çfarë krahasimi ta paraqesim? 

31 Ajo i përngjet kokrrës së sinapit që është më e vogla ndër farëra kur hidhet në dhe; 

32 por, kur mbillet, rritet e bëhet më e madhe se të gjitha perimet; lëshon degë të mëdha, aq sa zogjtë e malit banojnë nën hijen e saj.”

Përdorimi i shëmbëlltyrave
(Mt 13, 34‑35)

33 Me shumë shëmbëlltyra si këto ua shpallte Fjalën, ashtu si ishin të zotët ta kuptojnë; 

34 por pa shëmbëlltyra atyre nuk u fliste asgjë, kurse nxënësve ua shtjellonte veçmas të gjitha.