Pages

Atëherë ata, atë ditë, do të agjërojnë! - E Hënë 20 Janar 2014

Leximi i parë: 1 i Samuelit 15:16-23
Psalm: Psalm 50:8-9, 16-17, 21, 23
UNGJILLI: MARKU 2:18-22


Leximi i parë: 1 i Samuelit 15:16-23

16 Por Samueli i tha Saulit: “Prit të të tregoj se ç’më ka thënë Zoti sonte”. Ia priti: “Fol”! 

17 E Samueli vazhdoi: “A s’ është e vërtetë se, kur ishe i vogël, në sytë e tu, qe bërë krye në fiset e Izraelit? Zoti të leu mbret mbi Izraelin 

18 dhe Zoti të nisi në rrugë e të tha: ‘Shko e vriti mëkatarët amalekas dhe lufto kundër tyre deri në shfarosje të tyre’? 

19 Pse atëherë nuk e dëgjove fjalën e Zotit, por të pëlqeu preja dhe bëre ç’është e keqe para syve të Zotit”?

20 Sauli iu përgjigj Samuelit: “Po si s’e kam dëgjuar zërin e Zotit? Unë shkova atje ku më dërgoi Zoti. E solla Agagun, mbretin e Amalekut dhe amalekasit i shfarosa. 

21 Populli prej presë mori dele e lopë, ato më të mirat, dhe u prenë për t’ia flijuar Zotit, Hyjit tënd, në Galgalë”.

22 E Samueli iu përgjij:
“Pse a ndoshta Zoti i parapëlqen flitë e shkrumbimit e theroret
fort se të dëgjohet fjala e tij?
Më e mirë është dëgjesa se therorja,
më mirë të dëgjosh se dhjami i deshëve.

23 Për të vërtetë kundërshtimi është i keq si magjia,
e të tekurit kobësi idhujtarie:
për arsye se e përbuze fjalën e Zotit,
Zoti të përbuzi ty: më s’do të jesh mbret”!

Psalm: Psalm 50:8-9, 16-17, 21, 23

8 Nuk të qortoj për flitë e tua,
flitë e shkrumbimit të tuat i kam gjithherë para sysh!

9 S’do të pranoj prej shtëpisë satë mëzat,
as cjap prej tufave të tua.

16 Kurse mëkatarit Hyji i thotë:
“Si guxon ti t’i shtjellosh urdhërimet e mia?
Si e merr nëpër gojë Besëlidhjen time,

17 kur ti e urren disiplinën,
pas shpine i hedh urdhrat e mi?

21 Kështu veprove e unë heshta.
A mendon ti se unë jam si ti?
Po të qortoj e po t’i përplas në fytyrë”.

23 Më nderon ai që më kushton flinë e lavdit,
do t’ia tregoj shpëtimin e Hyjit
atij që ecën udhës së drejtë.


UNGJILLI: MARKU 2:18-22

Diskutim mbi agjërimin
(Mt 9, 14‑17; Lk 5, 33‑39)

18 Nxënësit e Gjonit dhe farisenjtë agjëronin. Erdhën disa dhe i thanë:
“Pse nxënësit e Gjonit e të farisenjve agjërojnë e nxënësit e tu nuk agjërojnë?”

19 Jezusi u përgjigj:
“A thua mund të agjërojnë dasmorët derisa është me ta dhëndri? Për aq kohë sa është dhëndri me ta s’mund të agjërojnë! 

20 Do të vijë dita kur do t’ua rrëmbejnë dhëndrin. Atëherë ata, atë ditë, do të agjërojnë!

21 Askush nuk e qep arnën e tirkut të pashkelur në petk të vjetër; përndryshe arna e tirkut të pashkelur e shqyen petkun e vjetër dhe e shqyerja bëhet më e madhe.

22 Askush nuk e qet verën e re në rrëshiqa të vjetër; përndryshe vera e re i shqyen rrëshiqat: vera derdhet e rrëshiqat prishen. Porse vera e re ‑ në rrëshiqa të rinj.”



Dëshira ime e fundit, fëmij, është që dashuria e Zotit Tonë të banoj në ju që ajo t’ju kthej në kaq shumë apostuj, të zellshëm për lavdinë e Tij. Ju do të jeni thesari i familjeve tuaja, të cilët ju do tii bëni të lumtur me sjelljen tuaj të mirë.

-- Papa Shën. Pius X