Pages

Ti je Biri i Hyjit - E Enjte 23 Janar 2014

Leximi i parë: 1 e Samuelit 18:6-9; 19:1-7
Psalm: Psalm 56:2-3, 9-13
UNGJILLI: MARKU 3:7-12


Leximi i parë: 1 e Samuelit 18:6-9; 19:1-7

Lindja e smirës së Saulit

6 Porse, në kthim, kur Davidi po kthehej pasi vrau filisteun, u dolën përpara gra prej të gjitha qyteteve të Izraelit, duke kënduar e vallëzuar para Saulit mbret me daulle, me këngë hareje e me cetra. 

7 Gratë këndonin, kërcenin e thoshin:
“Vrau Sauli me mijëra,
vrau Davidi me dhjetëra mijëra”!

8 Saulit i erdhi shumë keq dhe nuk i pëlqeu aspak kjo fjalë. Tha: “I dhanë Davidit me dhjetëra mijëra, kurse mua me mijëra! Çka i mungon atij përveç mbretërisë”?! 

9 Që prej asaj dite Sauli nuk e shikonte më Davidin me sy të mirë.

1 Sauli i tregoi Jonatanit, birit të vet, dhe të gjithë nëpunësve të vet se mendonte ta vriste Davidin. Jonatani tashmë e donte Davidin pa masë.

2 Jonatani i dëftoi Davidit e i tha: “Sauli, im atë, kërkon të të vrasë. Prandaj, ruaju, po të lutem, nesër në mëngjes: rri fshehur e struku. 

3 Unë do të dal e do të qëndroj përbri babait kudo të jesh në arë. Unë do të flas me tim atë për punë tënde, e, gjithçka të hetoj, do të ta tregoj ty”.

4 Jonatani foli mirë për Davidin me babain e vet, Saulin, e i tha: “Mos të mëkatojë mbreti kundër shërbëtorit të vet Davidit, sepse nuk të ka bërë farë faji, përkundrazi veprat e tija të kanë sjellë shumë dobi. 

5 Jetën e vet e ka vënë ndër gërshërë: e vrau filisteun dhe Zoti i dha fitore të madhe mbarë Izraelit: e pe dhe u gëzove. Pse atëherë mëkaton kundër gjakut të pafajshëm, e mendon ta vrasësh Davidin që s’ka faj”? 

6 Sauli, kur i dëgjoi këto fjalë, u qetësua nga fjala e Jonatanit, dhe u përbetua: “Pasha Zotin ai nuk do të vritet”!

7 Atëherë Jonatani e thirri Davidin dhe ia tregoi të gjitha këto fjalë. Jonatani e paraqiti Davidin te Sauli dhe qëndroi tek ai, siç kishte qëndruar më parë.

Psalm: Psalm 56:2-3, 9-13

2 Ki mëshirë për mua, o Hyj, se po më shkel armiku,
sulmuesi im po më ngushton gjithë ditën.

3 Armiqtë e mi po më shqelmojnë çdo ditë
e sulmuesit e mi janë tepër shumë, o i Tejetlartë!

9 Ti i ke numëruar ditët e mërgimit tim,
lotët e mi mblidhi në rrëshiqin tënd!
A thua s’janë të shkruar në librin tënd?

10 Atëherë armiqtë e mi do të zmbrapsen
kur ta kërkoj ndihmën tënde,
sepse e di mirë se Hyji është me mua.

11 I jap lavdi fjalës së Hyjit,
e madhëroj fjalën e Zotit.

12 Në Hyjin kam vënë shpresën, nuk do të trembem:
çka mund të më bëjë njeriu?

13 Me ty, o Hyj, më lidhin kushtet e mia,
do të të kushtoj fli falenderimi.


UNGJILLI: MARKU 3:7-12

Turma të tëra shkojnë pas Jezusit

7 Jezusi me nxënësit e vet u shmang kah bregu i detit. E ndiqte një turmë e madhe populli prej Galilesë. Gjithashtu edhe prej Judesë, 

8 prej Jerusalemit, prej Idumesë, prej Transjordanisë e prej rrethit të Tirit e të Sidonit ‑ turmë e madhe ngarendi tek ai, pse dëgjuan ç’bënte.

9 Prandaj u tha nxënësve të vet ta kenë përherë gati një lundër që turma e popullit të mos e shtrydhte. 

10 E meqenëse shëroi shumë ‑ të gjithë të sëmurët turreshin drejt tij për ta prekur. 

11 E shpirtrat e ndytë kurdoherë e shihnin, binin përmbys para tij e bërtisnin: “Ti je Biri i Hyjit!” 

12 Por Jezusi u urdhëronte rreptësisht të mos dëftonin se kush është.



Ashtu sikurse dikush i përdredh dy copë dylli së bashku dhe i shkrin në zjarr, që të dyja të bëhen një, po ashtu përmes marrjes së Trupit të Krishtit dhe Gjakut të Tij të shtrenjtë, Ai është i bashkuar me ne dhe ne me Atë. Në asnjë mënyrë tjetër natyra jonë korruptuese nuk mund të bëhet e gjallë përveç se duke qënë  të bashkuar në trup me Trupin e Tij i Cili është, sipas vetë natyrës së Tij, Jeta: që është i Vetë-Linduri.

-- Shën. Cyril i Alexandrias