Pages

Kthehuni, se Mbretëria e qiejve është afër! - E Djelë 26 Janar 2014

Leximi i parë: Isaia 8:23 -- 9:3
Psalm: Psalm 27:1, 4, 13-14
Leximi i dytë: 1 e Korintasve 1:10-13, 17
UNGJILLI: MATEU 4:12-23 ose 4:12-17


Leximi i parë: Isaia 8:23 -- 9:3

23 Porse më nuk do të ketë errësirë ku më parë kishte ndrydhje.
Në kohën e kaluar e përbuzi tokën e Zabulonit e tokën e Neftaliut, por në kohën e fundit do ta bëjë të lavdishme udhën përgjatë detit, përtej Jordanit, Galilenë pagane.

1 Populli që ecte në errësirë, pa një dritë të madhe;
për banorët, që jetonin në krahinën e hijes së vdekjes, zbardhi për ta drita.

2 Ti e shtove gëzimin, e madhërove harenë;
ata gëzohen në praninë tënde si njerëzit që i gëzohen korrjes,
si gëzohen kur ndajnë prenë.

3 Sepse ti e thyeve si ditën e Madianit zgjedhën e tij të rëndë,
lozën e krahut të tij, e shkopin e atij që e dëbonte përpara.


Psalm: Psalm 27:1, 4, 13-14

1 I Davidit.
Zoti është drita ime dhe shpëtimi im,
kë do të kem frikë?
Zoti është mbrojtësi i jetës sime,
para kujt do të dridhem?

4 Për një gjë të vetme i lutem Zotit,
vetëm atë ia kërkoj
që të jetoj në Shtëpinë e Zotit
të gjitha ditët e jetës sime,
që ta shijoj kënaqësinë e Zotit
e ta vërej Shtëpinë e Zotit.

13 Besoj se do t’i shijoj të mirat e Zotit
në tokën e të gjallëve.

14 Shpreso në Zotin: bëhu burrë!
Ji zemërfortë e prite Zotin!


Leximi i dytë: 1 e Korintasve 1:10-13, 17

Përçarjet në kishën e Korintit

10 Ju përbej, o vëllezër, pashë Emrin e Zotit tonë Jezu Krishtit: jini të gjithë një mendimi e të mos ketë përçarje ndër ju, por të jeni në përkim të plotë me ndjenja e në mendime. 

11 Sepse, o vëllezër, njerëzit e Klojes më lajmëruan se mes jush ka grindje.

12 Ja, ku e kam fjalën: secili prej jush thotë:
“Unë jam i Palit!”
“Unë i Apolit!”
“Unë i Kefës!”
“Unë jam i Krishtit!”

13 Vallë, a qenka Krishti i ndarë? A mos u kryqëzua Pali për ju? Apo u pagëzuat në emër të Palit?

17 Sepse Krishti nuk më dërgoi të pagëzoj, por të predikoj Ungjillin, madje ta predikoj, jo me dituri fjale, që të mos i humbë fuqia kryqit të Krishtit.
Krishti, fuqia dhe urtia e Hyjit


UNGJILLI: MATEU 4:12-23

Jezusi e fillon veprimtarinë e vet në Galile
(Mk. 1, 14‑15; Lk 4, 14‑15)

12 Kur Jezusi e mori vesh se e kishin burgosur Gjonin, u tërhoq në Galile. 

13 E la Nazaretin e shkoi e u vendos me banesë në Kafarnaum, qytet bregdetar në krahinën e fisit të Zabulonit e të Neftalit, 

14 që të shkonte në vend fjala që tha Isaia profet:

15 “Tokë e Zabulonit e tokë e Neftalit,
në drejtim të detit, përtej Jordanit, Galileja pagane,

16 populli që gjendej në errësirë, pa një dritë të madhe;
atyre që banonin në krahinën e hijes së vdekjes u lindi drita.”

17 Që atëherë Jezusi filloi të predikojë: “Kthehuni, se Mbretëria e qiejve është afër!”

Jezusi bën nxënës të vet katër peshkatarë
(Mk 1, 16‑20; Lk 5, 1‑11)

18 Ndërsa Jezusi po ecte afër Detit të Galilesë, pa dy vëllezër ‑ Simonin që quhet Pjetër dhe Andreun, të vëllanë e tij, duke hedhur rrjetën në det: ishin peshkatarë. 

19 E u tha: “Ejani pas Meje e unë do t’ju bëj peshkatarë njerëzish!”

20 Ata menjëherë lanë rrjetat e shkuan pas tij.

21 Duke vazhduar rrugën më tej, pa dy vëllëzër të tjerë, Jakobin e Zebedeut dhe Gjonin, vëllain e tij, në lundër bashkë me Zebedeun, atin e tyre, duke rregulluar rrjetat dhe i thirri. 

22 Ata aty për aty lanë lundrën dhe babain e shkuan pas tij.

Jezusi mëson dhe shëron
(Lk 6, 17‑19)

23 Jezusi shkonte prej një vendi në një vend tjetër nëpër mbarë Galilenë, duke mësuar në sinagogat e tyre, duke predikuar Ungjillin e Mbretërisë e duke shëruar në popull çdo sëmundje e çdo pamundësi.


Zoti është plot me dhembshuri, dhe kurrë nuk i harron ata që janë të lënduar dhe të përbuzur, vetëm po të besojnë tek Ai.

-- Shën Teresa e Avilas