Pages

Kush do të besojë e do të pagëzohet, do të shëlbohet - E Shtunë 25 Janar 2014

Festa e Kthimit të Palit

Leximi i parë: Veprat e Apostujve 22:3-16 ose 9:1-22
Psalm: Psalm 117:1-2
UNGJILLI: MARKU 16:15-18


Leximi i parë: Veprat e Apostujve 22:3-16

3 “Unë jam hebre, i lindur në Tarsin e Cilicisë, por që u rrita në këtë qytet e te këmbët e Gamalielit u edukova sipas Ligjit të të vjetërve: isha zelltar i Hyjit ashtu siç jeni edhe ju sot e kësaj dite. 

4 Këtë Udhë e kam salvuar deri në vdekje, i kam hedhur në pranga dhe kam burgosur burra e gra, 

si mund të ma bëjnë dëshmi edhe kryeprifti dhe paria. Prej atyre kam marrë edhe letrat për të burgosur vëllezërit në Damask dhe qesh nisur që edhe ata atje t’i bie të lidhur në Jerusalem për t’i ndëshkuar.”

Pali tregon kthimin e vet
(Vap 9, 1‑19; 26, 12‑18)

6 “Ndërsa po udhëtoja dhe po i afrohesha Damaskut, papritmas, rreth mesditës, prej qiellit më shndriti një dritë e madhe, 

7 unë rashë për dhe e dëgjova një zë që më tha: ‘Saul, Saul, pse po më salvon?’ 

8 Unë u përgjigja: ‘Kush je, o Zot?’ Ai më tha: ‘Unë jam Jezusi, Nazarenasi, të cilin ti e salvon!’ 

9Ata që ishin me mua, dritën njëmend e panë, por zërin e atij që fliste me mua nuk e dëgjuan. 

10 Atëherë thashë: ‘Çka duhet të bëj, o Zot?’ E Zoti më tha: ‘Çohu e shko në Damask e atje do të të thuhet çka duhet të bësh. 

11 Pasi prej shkëlqimit të asaj drite më nuk shihja, shoqëruesit e mi më morën për dore e arrita në Damask.

12 Një farë Ananie, zbatues besnik i Ligjit, i cili gëzonte zë të mirë ndër hebrenj që banonin atje ‑ 

13 erdhi tek unë dhe, si m’u afrua më tha: ‘Vëlla Saul, rifitoje dritën e syve!’ Dhe unë, aty për aty e rifitova të parët e syve. 

14 Ai vijoi: ‘Hyji i etërve tanë caktoi ta njohësh vullnetin e tij, ta shohësh të Drejtin e ta dëgjosh zërin prej gojës së tij, 

15 sepse do të jesh dëshmitari i tij para të gjithë njerëzve për të gjitha ato që ke parë e dëgjuar. 

16 Ç’ke që ngurron? Ngrihu, pagëzohu dhe laji mëkatet e tua duke e thirrur në ndihmë Emrin e tij!’”

Psalm: Psalm 117:1-2

1 ALELUJA!
Lavdërojeni Zotin, o kombe të gjitha,
madhërojeni së bashku, o popuj të gjithë!

2 Sepse e madhe është dashuria e tij ndaj nesh,
besnikëria e Zotit qëndron për amshim!


UNGJILLI: MARKU 16:15-18

15 Dhe u tha:
“Dilni në mbarë botën e predikojani Ungjillin të gjithë njerëzve. 

16 Kush do të besojë e do të pagëzohet, do të shëlbohet, ndërsa kush s’do të besojë, do të dënohet.

17 Shenjat që do t’i përcjellin ata që do të besojnë, janë këto: në emër tim do t’i dëbojnë djajtë, do të flasin gjuhë të reja; 

18 [në duar] do t’i marrin gjarpërinjtë e, nëse do të pijnë ndonjë gjë që sjell vdekjen, nuk do t’u bëjë keq. Do t’i vënë duart mbi të sëmurë, e këta do të shërohen.”



“Më fal, O përsosmëria e Zotit tim, që kam preferuar tendencat e gabuara dhe të liga kundrejt Teje!

Më fal, O drejtësia e Zotit tim, që të kam zemëruar Ty me mëkatet e mia.

Më fal, O shenjtëria e Zotit tim, që për kaq kohë e kam njollosur pastërtinë e pamjes Tënde me mëkatet e mia.

Më fal, O mëshira e Zotit tim, që për kaq kohë e kam përbuzur zërin e mëshirës Tënde.

Me dëshpërim të thellë dhe pendesë, unë bie tek këmbët e Tua: Ki mëshirë për mua. Amin.”

-- Shën Ignatius i Loyolas