Pages

Ai i shëroi të sëmurit..Dëboi edhe shumë djaj. - E Mërkurë 15 Janar 2014

Leximi i parë: 1 i Samuelit 3:1-10, 19-20
Psalm: Psalm 40:2, 5, 7-10
UNGJILLI: MARKU 1:29-39


Leximi i parë: 1 i Samuelit 3:1-10, 19-20

1 Samueli djalosh i shërbente Zotit nën mbikëqyrjen e Heliut. Fjala e Zotit ishte asokohe e rrallë: nuk kishte vëgime të shpeshta. 

2 E ndodhi që një ditë, Heliu po pushonte në vendin e vet të rëndomtë. Sytë i ishin dobësuar shumë: nuk shihte fare. 

3 Drita e Zotit ende nuk ishte shqimur. Samueli po flinte në Tempullin e Zotit, aty ku ishte Arka e Hyjit. 

4 Zoti e thirri Samuelin. Ai iu përgjigj: “Urdhëro!”, 

5 u lëshua vrap tek Heliu e i tha: “Urdhëro! Ti më thirre”. Ai i tha: “Unë nuk të kam thirrur! Kthehu e fli”! Ai shkoi e ra të flinte.

6 Zoti përsëri e thirri Samuelin. Samueli u ngrit, shkoi tek Heliu e i tha: “Ja ku jam, sepse më thirre”! Ai iu përgjigj: “Nuk të kam thirrur, biri im. Kthehu e fli”!

7 Samueli ende nuk e njihte Zotin. Fjala e Zotit ende nuk i ishte zbuluar.

8 Por Zoti e thirri përsëri Samuelin për të tretën herë. Ky u ngrit e shkoi tek Heliu 

9 e i tha: “Urdhëro, sepse më ke thirrur”! Atëherë Heliu e mori vesh se Zoti e kishte thirrur djaloshin dhe i tha Samuelit: “Shko e fli! Nëse të thërret përsëri, thuaji: ‘Fol, o Zot, se të dëgjon shërbëtori yt’!” Samueli shkoi e fjeti në vendin e vet.

10 Zoti erdhi e qëndroi pranë tij. E thirri siç e kishte thirrur më parë: “Samuel, o Samuel”! E Samueli u përgjigj: “Fol, shërbëtori yt dëgjon”.

19 Samueli u rrit. Zoti ishte me të, e nuk lejoi që asnjë prej fjalëve të tija të shkonte hupëse. 

20 Mbarë Izraeli, prej Danit e deri në Bersabe, e mori vesh se Samueli ishte bërë profet i Zotit.


Psalm: Psalm 40:2, 5, 7-10

2 Më nxorri jashtë një grope shkatërrimi, nga balta e moçalit, i vendosi këmbët e mia mbi një shkëmb dhe i ka bërë të qëndrueshme hapat e mia.

5 O Zot, Perëndia im, të shumta janë mrekullitë që ke bërë, dhe askush nuk mund të numërojë gjërat që ke menduar për ne. Po të duhej t`i shpallja dhe t`i tregoja, do të ishin tepër për t`i radhitur.

7 Atëherë unë thashë: "Ja, po vij. Në rrotullin e librit shkruhet për mua.

8 Perëndia im, unë gëzohem kur zbatoj vullnetin tënd dhe ligji yt është në zemrën time".

9 E shpalla drejtësinë tënde në kuvendin e madh; ja, unë nuk i mbaj buzët të mbyllura, o Zot, ti e di këtë.

10 Nuk e kam fshehur drejtësinë tënde në zemrën time; kam shpallur besnikërinë tënde dhe shpëtimin tënd; nuk e kam fshehur mirësinë tënde as të vërtetën tënde para kuvendit të madh.

UNGJILLI: MARKU 1:29-39

Shërime të shumta në popull
(Mt 8, 14‑17; Lk 4, 38‑41)

29 Dhe menjëherë, posa dolën nga sinagoga, shkoi me Jakobin e me Gjonin në shtëpinë e Simonit e të Andreut.          

30 Vjehrra e Simonit ishte në shtrat ndër ethe.
Menjëherë i treguan për të. 

31 Jezusi u afrua, e kapi për dore dhe e ngriti. E lëshuan ethet dhe u shërbeu.

32 Në mbrëmje, në të perënduar të diellit, ia sollën para të gjithë të sëmurët dhe të djallosurit. 

33 Mbarë qyteti u mblodh para derës. 

34 Ai i shëroi të sëmurit ‑ ishin shumë dhe me sëmundje të ndryshme. Dëboi edhe shumë djaj. Por nuk i lejoi djajtë të flasin sepse e njihnin.

Jezusi qarkullon Galilenë
(Lk 4, 42‑44)

35 Herët në mëngjes, kur ende ishte natë, Jezusi u çua e shkoi në një vend të pabanuar e atje lutej. 

36 Simoni me shokët e vet u vunë ta kërkojnë. 

37 Kur e gjetën i thanë:
“Të gjithë po të kërkojnë.”

38 Ai u tha:
“Ejani të shkojmë gjetiu, në fshatrat e afërme që të predikoj edhe atje. Prandaj edhe erdha.”

39 Dhe i ra kryq e tërthor Galilesë duke predikuar nëpër sinagogat e tyre dhe duke dëbuar djajtë.



Nuk mund të dyshohet se i varfëri e ruan më me lehtësi bekimin e përulësisë sesa ata që janë të pasur. Në rastin e të varfërit, mungesa e të mirave materiale shpesh shoqërohet me një butësi të qetë, ndërsa të pasurit janë më të prirur ndaj arrogancës. Megjithatë, shumë njerëz të pasur janë të predispozuar ta përdorin bollëkun e tyre jo për të fryrë krenarinë e tyre por për të kryer vepra bamirësie. Ata e konsiderojnë fitimin e tyre më të madh në atë që çfarë ata shpenzojnë për të lehtësuar shqetësimin e të tjerëve. Ky virtyt është i hapur për të gjithë njerëzit, pavarësisht se nga cila klasë apo kushte, sepse të gjithë mund të jenë të barabartë në dëshirën e tyre për të dhënë, sado të pabarabartë mund të jenë ata në fatin e tyre material.

-- Papa Shën. Leo i Madh