Pages

Ku është foshnja e lindur, që do të bëhet mbreti i judenjve? - E Djelë, 5 Janar 2013

Leximi i parë: Isaia 60:1-6
Psalm: Psalm 72:1-2, 7-8, 10-13
Leximi i dytë: Efesianëve 3:2-3, 5-6
UNGJILLI: MATEU 2:1-12



Leximi i parë: Isaia 60:1-6

1 Ngrihu, shkëlqe, se po vjen drita jote,
mbi ty po lind Lavdia e Zotit!

2 Sepse tokën po e mbulon terri
dhe një errësirë e madhe popujt,
kurse mbi ty, dritë bën Zoti
e Lavdia e Tij mbi ty, do të shihet!

3 Në dritën tënde, do të ecin popujt
edhe mbretërit, në lindjen e shkëlqimit tënd.

4 Lartësoji përreth sytë e tu e shiko:
të gjithë këta po mblidhen, te ti po vijnë.
bijtë e tu po vijnë prej së largu,
bijat e tua para duarsh po i sjellin.

5 Atëherë do të shikosh, fytyra do të të ndriçojë,
zemra do të të rrahë e do të të zgjerohet,
sepse pasuritë e detit do të zbrazen te ti,
të mirat e popujve do të vijnë te ti.

6 Mori gamilesh do të të mbulojnë,
gamile njëgungëshe nga Madiani e Efa.
Të gjithë do të vijnë nga Saba,
ar e kem do të sjellin
e do t’i këndojnë lavde Zotit.

Psalm: Psalm 72:1-2, 7-8, 10-13

Mbreti i premtuar

1 I Salomonit.
O Hyj, jepja mbretit gjyqin tënd
dhe drejtësinë tënde birit të mbretit,

2 që ta gjykojë popullin tënd me drejtësi
e skamnorëve të tu t’u japë të drejtën.

7 Në ditët e tija do të lulëzojë drejtësia
dhe paqe e madhe derisa të jetë hëna.

8 Do të sundojë prej detit në det,
prej Lumit e deri në skajin e botës.

10 Mbretërit e Tarsisit edhe të ishujve
dhurata do të sjellin,
mbretërit e arabëve e të Sabës do të lajnë të dhjetat,

11 të gjithë mbretërit para tij përmbys do të bien
e popujt mbarë do t’i shërbejnë.

12 Ai do ta shpëtojë skamnorin që fshan,
të varfërin që nuk ka ndihmëtar.

13 Mëshirë do të ketë për të mjerin e të vobektin,
dhe skamnorëve do t’ua shpëtojë jetën.

Leximi i dytë: Efesianëve 3:2-3, 5-6

2 Mendoj se patjetër do të keni marrë vesh për hirin që Hyji, për ta çuar në vend synimin e vet, ma ka dhënë për të mirën tuaj, 

3 [se] me zbulesë ishte vënë në njohuri të Misterit, për të cilin shkurtimisht posa ju vura në dijeni.

5 i cili nuk u qe zbuluar njerëzve të breznive të shkuara sikurse tani u është zbuluar në Shpirt Shenjt apostujve të tij të shenjtë dhe profetëve: 

6 se paganët ‑ në Jezu Krishtin ‑ janë bashkëpjesëtarë të të njëjtit trashëgim, bashkëgjymtyrë të të njëjtit trup, dhe bashkanëtarë të të njëjtit premtim në saje të Ungjillit.

UNGJILLI: MATEU 2:1-12

1 Pasi Jezusi lindi në Betlehemin e Judesë, në kohën e mbretit Herod, ja, prej Lindjes erdhën në Jerusalem disa Dijetarë, 

2 e pyetën: “Ku është foshnja e lindur, që do të bëhet mbreti i judenjve? Sepse e pamë yllin e tij duke lindur dhe erdhëm t’i shprehim nderimet tona.”

3 Mbreti Herod, posa i dëgjoi këto fjalë, u shqetësua vetë e me të edhe mbarë Jerusalemi. 

4 I bashkoi të gjithë kryepriftërinjtë e skribët e popullit dhe i pyeti se ku duhej të lindte Mesia. 

Ata iu përgjigjën: “Në Betlehemin e Judesë, sepse kështu ka shkruar profeti:

6 “E ti, o Betlehem tokë e Judës,
ti nuk je kurrsesi më i parëndësishmi
ndër qytetet princërore të Judës,
sepse prej teje do të dalë prijësi,
që do ta udhëheqë popullin tim, Izraelin.”

7 Atëherë Herodi i thirri fshehtazi Dijetarët dhe me kujdes mori hetime prej tyre rreth kohës kur u ishte dukur ylli. Pastaj i dërgoi në Betlehem duke u thënë: 

8 “Shkoni dhe bëni me kujdes kërkime rreth fëmijës. Kur ta gjeni, më lajmëroni që të vij edhe vetë e t’i shpreh nderimet e mia.”

9 Ata, si e dëgjuan mbretin, u nisën. Dhe ja, ylli që kishin parë në lindjen e tij, u shkonte përpara derisa zuri vend aty ku ishte fëmija. 

10 Ata, kur e panë yllin, u bënë shend e verë. 

11 E, si hynë në shtëpi, panë fëmijën me Marinë, të ëmën e tij, ranë përmbys dhe i shprehën nderimet e tyre. Pastaj hapën thesaret e veta e i dhuruan: ar, kem e mirrnë. 

12 Të mësuar në ëndërr prej Hyjit të mos ktheheshin tek Herodi, u kthyen një rruge tjetër në vendin e vet.