Pages

Merre fëmijën dhe nënën e tij e ik në Egjipt - E Shtunë 28 Dhjetor 2013

Leximi i parë: 1 e Gjonit 1:5 -- 2:2
Psalm: Psalm 124:2-5, 7-8
UNGJILLI: MATEU 2:13-18



Leximi i parë: 1 e Gjonit 1:5 -- 2:2

5 Dhe kjo është shpallja që e dëgjuam prej tij dhe po jua kumtojmë juve: Hyji është dritë dhe në Të nuk ka kurrfarë errësire! 

6 Nëse themi: »Kemi bashkësi me Të«, por jetojmë në errësirë, ne rrejmë dhe nuk e ushtrojmë të vërtetën. 

7Por, nëse ne ecim në dritë, sikurse Ai është në dritë, kemi bashkësi me njëri-tjetrin dhe gjaku i Jezusit, Birit të tij, na pastron nga çdo mëkat. 

8 Por nëse themi: »Ne nuk kemi mëkat«, gënjejmë vetveten dhe e vërteta nuk është në ne. 

9 Por, nëse i pranojmë mëkatet tona, Ai është besnik dhe i drejtë: do të na i falë mëkatet dhe do të na pastrojë nga çdo padrejtësi. 

10 Por, nëse themi: »Ne nuk kemi mëkatuar«, e bëjmë Atë gënjeshtar dhe fjala e tij nuk është në ne.

1 Fëmijëzit e mi, po jua shkruaj këto që të mos mëkatoni. Por, edhe nëse ndokush mëkaton, e kemi Mbrojtësin te Ati – Jezu Krishtin, Të Drejtin. 

2 Ai është flia pajtuese për mëkatet tona, dhe jo vetëm për mëkatet tona, por edhe për të mbarë botës. 

Psalm: Psalm 124:2-5, 7-8

2 po të mos kishte qenë Zoti me ne,
kur njerëzit u ngritën kundër nesh:

3 atëherë do të na kishin përpirë gjallë,
kur u mori flakë zemërimi kundër nesh.

4 Atëherë ujët do të na kishte marrë,
rrjedha e përroit do të na kishte marrë,

5 do të na kishin mbytur
valët e ujërave të tërbuara!

7 Shpirti ynë shpëtoi si trumcaku
prej gracke të gjuetarëve:
laku u këput
e ne shpëtuam!

8 Ndihma jonë është në Emër të Zotit,
që krijoi qiellin e tokën.


UNGJILLI: MATEU 2:13-18

Ikja në Egjipt

13 Pasi u nisën Dijetarët, ja se, engjëlli i Zotit iu dëftua në ëndërr Jozefit e i tha: “Çohu, merre fëmijën dhe nënën e tij e ik në Egjipt. Rri atje derisa të them unë, sepse Herodi do ta kërkojë fëmijën për ta vrarë.” 

14 Ky u çua, natën e mori fëmijën dhe të ëmën e tij e shkoi në Egjipt. 

15 Banoi atje derisa vdiq Herodi që të plotësohej fjala e Zotit e thënë me gojë të profetit: “Nga Egjipti e thirra Birin tim.”

Vrasja e fëmijëve të pafajshëm

16 Atëherë Herodi, kur pa se e mashtruan Dijetarët, u zemërua së tepërmi dhe urdhëroi të vriteshin të gjithë fëmijët meshkuj që ishin në Betlehem dhe në mbarë rrethinën e tij dy vjeç e poshtë ‑ sipas kohës që me kujdes e mori vesh nga Dijetarët.

17 Atëherë u plotësua fjala e Jeremisë profet:

18 “U dëgjua një klithmë në Ramë
‑ vaj e gjëmë e madhe:
vajton Rakela fëmijët e vet
e nuk do të pajtohet ‑ sepse nuk i ka më!”