Pages

O Zot, unë nuk jam i denjë të hysh nën pullazin tim - E Hene 2 Dhjetor 2013

Leximi i parë: Isaia 2:1-5
Psalm: Psalm 122:1-9
UNGJILLI: MATEU 8:5-11


Leximi i parë: Isaia 2:1-5

1 Vegimi që pa Isaia, biri i Amosit, në lidhje me Judën e Jerusalemin.

2 Do të ndodhë në kohën e ardhshme:
mali i Shtëpisë së Zotit do të vendoset mbi majën e maleve,
e do të qëndroj përmbi kreshta dhe të gjithë popujt do të vërsojnë tek ai.

3 Tek ai do të shkojnë shumë popuj e do të thonë:
“Ejani të ngjitemi në malin e Zotit, në Shtëpinë e Hyjit të Jakobit
që të na i mësojë udhët e tij e të ecim shtigjeve të tij, ”
sepse nga Sioni do të dalë Ligji dhe nga Jerusalemi fjala e Zotit.

4 Ai do të jetë gjykatësi i popujve dhe do t’i gjykojë fiset e shumta,
shpatat e veta do t’i kthejnë në plorë e heshtat në drapërinj.
Një popull nuk do të ngrejë shpatën kundër një populli tjetër
dhe më s’do të ushtrohen për luftë. 

5 Eja, o shtëpia e Jakobit, të ecim në dritën e Zotit!


Psalm: Psalm 122:1-9

Përshëndetje Jerusalemit

1 Këngë shtegtimi. E Davidit.
Seç u gëzova kur më thanë:
“Eja të shkojmë në Shtëpinë e Zotit!”

2 Ja, tashmë këmbët tona shkelën
në dyert e tua, o Jerusalem!

3 O Jerusalem, qytet i ndërtuar me mjeshtëri,
thuaj se i tëri një cope e vetme je!

4 Atje ngjiten fiset, fiset e Zotit,
sipas rregullores në Izrael
për të kremtuar Emrin e Zotit.

5 Atje janë selitë e gjykatores së drejtësisë,
selitë e shtëpisë së Davidit!

6 Lutuni për paqen e Izraelit:
“U priftë e mbara atyre që të duan ty!

7 Mbretëroftë paqja në muret e tua
dhe qetësia në pirgjet e tua!”

8 Për dashuri ndaj vëllezërve e miqve të mi
do të them: “Paqja me ty”!

9 Për dashuri ndaj Shtëpisë së Zotit, Hyjit tonë,
do të lutem t’i kesh të gjitha të mirat!

UNGJILLI: MATEU 8:5-11

Shërbimi i shërbëtorit të centurionit
(Lk 7, 1‑10; Gjn 4, 43‑54)

5 Kur Jezusi hyri në Kafarnaum, iu paraqit një centurion dhe iu lut:

6 “ Zotëri, shërbëtori im është i shtrirë në shtëpi i paralizuar dhe po vuan shumë.”

7 Jezusi i tha:
“Do të vij dhe do ta shëroj.”

8 Por centurioni iu përgjigj:
“O Zot, unë nuk jam i denjë të hysh nën pullazin tim, por vetëm jep urdhër e shërbëtori im do të shërohet. 

9 Sepse, edhe unë që nuk jam tjetër, veçse një njeri i nënshtruar, kam nën urdhrin tim ushtarë dhe unë i them njërit: ‘Shko!’ dhe ai shkon e një tjetri: ‘Eja!’ dhe ai vjen, e shërbëtorit tim: ‘Bëje këtë!’ dhe ai e bën”

10 Jezusi, kur e dëgjoi, u mrekullua dhe u tha atyre që po i shkonin pas:
“Për të vërtetë po ju them: ende nuk e gjeta te asnjë njeri tjetër në Izrael një fe kaq të madhe! 

11 Prandaj po ju them: shumë do të vijnë nga Lindja e nga Perëndimi e do të ulen në tryezë me Abrahamin, Izakun e Jakobin në Mbretërinë e qiellit.