Pages

Ky Fëmijë do të jetë i shenjtë ‑ Biri i Hyjit: E Hene 9 Dhjetor 2013

Leximi i parë: Zanafilla 3:9-15, 20
Psalm: Psalm 98:1-4
Leximi i dytë: Efesianëve 1:3-6, 11-12
UNGJILLI: LUKA 1:26-38


Leximi i parë: Zanafilla 3:9-15, 20

9 Zoti Hyj e thirri njeriun e i tha: “Ku je”? 

10 Ky iu përgjigj: “Dëgjova zërin tënd në kopsht e u tremba, sepse jam lakuriq e u fsheha”. 

11 Ai i tha: “Kush të tregoi se je lakuriq? A mos hëngre frutat nga pema prej së cilës të kam urdhëruar të mos hash”? 

12 Njeriu u përgjigj: “Gruaja që ma dhe për shoqe, ajo më dha frut prej pemës dhe hëngra”. 

13 Atëherë Zoti Hyj i tha gruas: “Pse e bëre këtë”? Gruaja u përgjigj: “Më gënjeu gjarpri dhe hëngra”.

14 Atëherë Zoti Hyj i tha gjarprit:
“Pasi e bëre këtë gjë qofsh mallkuar ndër të gjitha bagëtitë dhe kafshët e egra! Do të ecësh përmbi barkun tënd dhe do të hash pluhur në të gjitha ditët e jetës sate!

15 Armiqësi do të vë ndërmjet teje e gruas, ndërmjet farës sate e farës së saj: fara e saj do të ta ndrydhë kokën, kurse ti do t’ia sulmosh themrën”.

20 Njeriu e quajti gruan e vet Evë, sepse ajo është nëna e të gjithë të gjallëve.


Psalm: Psalm 98:1-4

Zoti gjykatës i tokës

1 Psalm.
Këndoni Zotit një këngë të re,
sepse bëri vepra të mrekullueshme!
Ngadhënjeu me fuqi të së djathtës së vet,
me fuqi të krahut të vet të shenjtë.

2 Zoti e dëftoi shpëtimin e vet,
përpara paganëve e zbuloi drejtësinë e vet.

3 I ra ndër mend dashuria dhe besnikëria e vet
kundrejt shtëpisë së Izraelit.
Të gjitha skajet e botës e panë
shëlbimin e Hyjit tonë.

4 Mbarë toka le t’i brohorisë Zotit,
le të gëzojë, të duartrokasë e të këndojë.


Leximi i dytë: Efesianëve 1:3-6, 11-12

Bekimi shpirtëror në Krishtin        

3 Qoftë bekuar Hyji. Ati i Zotit tonë Jezu Krishtit, i cili na bekoi me çdo bekim shpirtëror në qiell në Krishtin.

4 Në Të na zgjodhi para krijimit të botës që të jemi të shenjtë e të papërlyer para Tij në dashuri.

5 Ai na parashënoi për vete të jemi bij në shpirt në saje të Jezu Krishtit
me pëlqimin e vullnetit të vet

6 për nder të lavdisë së hirit të tij me të cilin na pajisi me anë të të Dashurit:

11 Në të edhe ne u bëmë trashëgimtarë ‑ të paracaktuar me vendim të Atij
që vepron gjithçka sipas pëlqimit të vullnetit të vet ‑

12 të jemi në nder të lavdisë së tij ‑ne që që më parë e vumë shpresën në Krishtin.


UNGJILLI: LUKA 1:26-38

Lajmërimi i Lindjes së Jezusit

26 Në të gjashtin muaj, Hyji e dërgoi engjëllin Gabriel në një qytet të Galilesë, që quhet Nazaret, 

27 te një virgjër, që ishte e fejuar me një njeri, që quhej Jozef, prej fisit të Davidit. Virgjëra quhej Mari.

28 Engjëlli hyri tek ajo dhe i tha:
“Të falem, o Hirplote! Zoti me ty!”

29 Kjo fjalë e shqetësoi Marinë dhe zuri të mendojë: ç’do të thotë kjo përshëndetje.

30 Por engjëlli i tha:
“Mos ki frikë, o Mari, sepse ke gjetur hir para Hyjit!

31 Ja, do të mbetesh shtatzënë e do të nxjerrësh në dritë një djalë e ngjitja emrin Jezus. 

32 Ky do të jetë i madh dhe do të quhet Biri i Hyjit tejet të lartë. Zoti Hyj do t’ia japë fronin e Davidit, atit të tij. 

33 Ai do të mbretërojë përgjithmonë mbi shtëpinë e Jakobit dhe mbretëria e tij s’do të ketë mbarim.”

34 Atëherë Maria i tha engjëllit:
“Si do të mund të ndodhë kjo, ndërsa unë jam virgjër?”

35 Engjëlli iu përgjigj:
“Shpirti Shenjt do të zbresë në ty e fuqia e Hyjit të tejetlartë do të të mbulojë me hijen e vet; prandaj ky Fëmijë do të jetë i shenjtë ‑ Biri i Hyjit. 

36 Dhe ja, Elizabeta, kushërira jote, edhe ajo, në pleqërinë e saj, pret t’i lindë djali. Ajo që mbahet beronjë, është në të gjashtin muaj. 

37 Vërtet, s’ka gjë të pamundshme për Hyjin!

38 Atëherë Maria tha:
“Unë jam shërbëtorja e Zotit: Më ndodhtë siç the ti!”

Atëherë engjëlli u largua prej pranisë së saj.