Pages

S’ka gjë të pamundshme për Hyjin - E Enjte 12 Dhjetor 2013

Festa e Zonjës së Guadalupes: 12 Dhjetor

Leximi i parë: Zbulesa 11:19; 12:1-6, 10
UNGJILLI: LUKA 1:26-38



Leximi i parë: Zbulesa 11:19; 12:1-6, 10

19 Atëherë u hap tempulli i Hyjit që është në qiell dhe u duk Arka e Besëlidhjes së tij në tempullin e tij, shpërthyen vetëtima, gjëmë e rrufe, tërmet dhe breshër i madh!

1 Në qiell u duk një shenjë e madhërueshme: një Grua e veshur me diell, me hënë nën këmbë, në kokë kezën me dymbëdhejtë yje!

2 Shtatëzënë, bërtiste në mundime, në dhimbjet e lindjes.

3 Pastaj në qiell u duk edhe një shenjë tjetër: Ja, Dragoi! I madh, i zjarrtë, me shtatë kokë e dhjetë brirë! Mbi kokë shtatë kurorë!           

4 Bishti i tij tërhiqte pas vetes një të tretën e yjeve të qiellit - dhe i rrëzoi për tokë!

Dragoi zuri vend para Gruas që po lindte fëmijën që, posa të lindte fëmijën, t’ia hante.

5 Dhe Ajo lindi fëmijën - një Djalosh - që do të sundojë të gjithë popujt me skeptër hekuri.

Por Fëmija i Saj qe sjellë te Hyji dhe te froni i tij, 

6 kurse Gruaja iku në shkretëtirë ku Hyji i përgatiti një vend që atje të ushqehej për një mijë e dyqind e gjashtëdhjetë ditë.

10 Atëherë dëgjova një zë të madh në qiell, që thoshte: »Ja, tani koha e shëlbimit, e pushtetit dhe e Mbretërisë së Hyjit tonë dhe e sundimit të Krishtit të tij! Sepse u hodh poshtë paditësi i vëllezërve tanë që ditë e natë i padiste para Hyjit tonë.

UNGJILLI: LUKA 1:26-38

Lajmërimi i lindjes së Jezusit

26 Në të gjashtin muaj, Hyji e dërgoi engjëllin Gabriel në një qytet të Galilesë, që quhet Nazaret, 

27 te një virgjër, që ishte e fejuar me një njeri, që quhej Jozef, prej fisit të Davidit. Virgjëra quhej Mari.

28 Engjëlli hyri tek ajo dhe i tha:
“Të falem, o Hirplote! Zoti me ty!”

29 Kjo fjalë e shqetësoi Marinë dhe zuri të mendojë: ç’do të thotë kjo përshëndetje.

30 Por engjëlli i tha:
“Mos ki frikë, o Mari, sepse ke gjetur hir para Hyjit!

31 Ja, do të mbetesh shtatzënë e do të nxjerrësh në dritë një djalë e ngjitja emrin Jezus. 

32 Ky do të jetë i madh dhe do të quhet Biri i Hyjit tejet të lartë. Zoti Hyj do t’ia japë fronin e Davidit, atit të tij. 

33 Ai do të mbretërojë përgjithmonë mbi shtëpinë e Jakobit dhe mbretëria e tij s’do të ketë mbarim.”

34 Atëherë Maria i tha engjëllit:
“Si do të mund të ndodhë kjo, ndërsa unë jam virgjër?”

35 Engjëlli iu përgjigj:
“Shpirti Shenjt do të zbresë në ty e fuqia e Hyjit të tejetlartë do të të mbulojë me hijen e vet; prandaj ky Fëmijë do të jetë i shenjtë ‑ Biri i Hyjit. 

36 Dhe ja, Elizabeta, kushërira jote, edhe ajo, në pleqërinë e saj, pret t’i lindë djali. Ajo që mbahet beronjë, është në të gjashtin muaj. 

37 Vërtet, s’ka gjë të pamundshme për Hyjin!

38 Atëherë Maria tha:
“Unë jam shërbëtorja e Zotit: Më ndodhtë siç the ti!”
Atëherë engjëlli u largua prej pranisë së saj.