Pages

Ejani tek unë të gjithë ju që jeni të lodhur prej barrës së rëndë - E Mërkurë 11 Dhjetor 2013

Leximi i parë: Isaia 40:25-31
Psalm: Psalm 103:1-4, 8, 10
UNGJILLI: MATEU 11:28-30


Leximi i parë: Isaia 40:25-31

25 Po me kë do të më krahasoni, që të jem unë i njëjtë me të?”
pyet Shenjti.

26 Çoni lart sytë tuaj e shikoni: kush i krijoi trupat qiellorë?
‑ Ai që të gjithë i qet në rresht të luftës e secilin e thërret për emër!
Kaq e madhe është fuqia e tij, kaq e fortë energjia e tij kështu që asnjë s’ka si të mungojë!

27 Përse thua, o Jakob, përse flet, o Izrael:
“Udha ime është e fshehtë për Zotin, s’kujdeset për të drejtën time Hyji im?”

28 Pse a s’e di? Pse a s’ke dëgjuar? Hyji është Zot i amshueshëm,
Krijuesi i botës skaj më skaj. Ai nuk lodhet, ai s’moliset, e pashqyrtueshme është dija e tij.

29 Ai të lodhurit i jep fuqi, të pamundshmit ia shton fuqitë.

30 Lodhen të rinjtë edhe meken, marrin në thua të rriturit e rrëzohen,

31 kurse ata që shpresojnë në Zotin, përtëriten në fuqi, marrin krahë porsi shqiponja, vrapojnë e nuk lodhen kurrë, ecin edhe kurrë nuk meken.


Psalm: Psalm 103:1-4, 8, 10

Hyji është dashuri

1 I Davidit.
Bekoje, shpirti im Zotin,
dhe krejt qenia ime Emrin e tij të shenjtë.

2 Bekoje, shpirti im Zotin,
e mos i harro bamirësitë e tija.

3 Ai i fal të gjitha fajësitë e tua,
Ai i shëron të gjitha sëmundjet e tua;

4 Ai ta shpëton jetën prej varrit,
ai të kurorëzon me mirësi e dashuri,

8 Zoti është i mirë e i mëshirshëm,
i ngadalshëm në zemërim e shumë i dashur.

10 Nuk sillet me ne sipas mëkateve tona
as nuk na shpaguan sipas të këqijave tona.


UNGJILLI: MATEU 11:28-30


28 Ejani tek unë të gjithë ju që jeni të lodhur prej barrës së rëndë e unë do t’ju çlodh. 

29 Merrni mbi vete zgjedhën time e pranoni t’ju mësoj unë që jam zemërbutë e i përvuajtur. Kështu do të gjeni pushim për shpirtrat tuaj,

30 sepse, vërtet, zgjedha ime është e ëmbël e barra ime e lehtë.”