Pages

Pastaj mori shtatë bukët dhe peshqit, falënderoi Hyjin.... - E Mërkurë 4 Dhjetor 2013

Leximi i parë: Isaia 25:6-10
Psalm: Psalm 23:1-6
UNGJILLI: MATEU 15:29-37



Leximi i parë: Isaia 25:6-10

Gostia mesianike

6 Zoti Hyji i Ushtrive do të bëjë përmbi këtë mal një gosti për të gjithë popujt: me mish të majmë e me verë të moçme, me mish të majmë plotë me palcë, me verë të kulluar, të qartë si loti.

7 Në këtë mal ai do ta shqyejë velin që ua mbulonte fytyrën të gjithë popujve, mbuluesin që i mbulonte të gjithë popujt.

8 Përgjithmonë do ta zhdukë vdekjen, Zoti Hyj nga çdo fytyrë do të fshijë lotin, nga çdo vend Ai do ta zhdukë turpin e popullit të vet, sepse Zoti kështu ka thënë.

9 Dhe do të thuhet po atë ditë:
“Ja, ky është Hyji ynë! Në të shpresuam, Ai na shpëtoi!
Ky është Zoti, në Të shpresuam: le të gëzojmë, të galdojmë për shpëtimin që na e solli,

10 sepse dora e Zotit mbi këtë mal pushon!” E për tokë do të shqelmohet në vend të vet Moabi, siç shqelmohet kashta në gropë të plehut,


Psalm: Psalm 23:1-6

Bariu i mirë

1 Psalm. I Davidit.
Zoti është bariu im,
asgjë nuk më mungon.

2 Më pushon kullotave të gjelbra,
më prin në ujëra të qeta,

3 shpirtin ma përtërin.
Ai më prin shtigjeve të drejta
në saje të dashurisë së Emrit të vet.

4 Po edhe në kalofsha nëpër luginën e hijes së vdekjes,
s’trembem nga e keqja
sepse ti je me mua:
thupra jote dhe kërraba
për mua janë ngushëllim.

5 Ti ma shtron tryezën përpara
ndër sy të armiqve të mi,
me vaj erëmirë kokën ma lyen,
gotën ma mbush plot e përplot.

6 Hiri dhe mirësia do të më përcjellin
në të gjitha ditët e jetës sime,
do të banoj në shtëpinë e Zotit
derisa të jem gjallë.


UNGJILLI: MATEU 15:29-37

Shërime të ndryshme në popull

29 Jezusi u nis prej andej, ra bregut të detit të Galilesë, u ngjit në një kodër e u ul të rrijë atje. 

30 Iu afrua një turmë e madhe e popullit që sillte me vete të shqepët, të verbër, dorëcungë, memecë e shumë të tjerë. I ulën para tij dhe ai i shëroi. 

31 Populli u mrekullua duke parë se si memecët flisnin, dorëcungët u shëruan, të shqeptët ecnin drejt, të verbërit shihnin dhe i dha lavdi Hyjit të Izraelit.

Jezusi ushqen katër mijë vetë
(Mk 8, 1‑10)

32 Atëherë Jezusi i thirri pranë vetes nxënësit e vet e u tha:
“Më dhimbset ky popull se, ja, ka tri ditë që rri me mua e nuk ka çka të hajë. Nuk dua t’i nis të uritur që të mos u bie të fikët udhës.”

33 Nxënësit iu përgjigjën:
Po ku të gjejmë këtu në shkretëtirë aq bukë sa të ngijmë gjithë këtë popull?”

34 Jezusi pyeti:
“Sa bukë keni?”
“Shtatë bukë e pak peshq të vegjël” ‑ iu përgjigjën ata.

35 Atëherë i dha urdhër popullit të ulej për tokë. 

36 Pastaj mori shtatë bukët dhe peshqit, falënderoi Hyjin, i theu, ua dha nxënësve të vet e nxënësit popullit.

37 Të gjithë hëngrën deri sa u nginë, e me copat që tepruan, çuan plotë shtatë shporta. 



Shenjtorët kanë qënë gjithmonë burimi dhe origjina e ripërtëritjes në momentet më të vështira në historinë e Kishës.

-- Papa Gjon Pali II